E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, nis aplikimi për punësimin sezonal të studentëve

Formulari që duhet të plotësohet për punësim në Bashkinë e Tiranës

Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës iu ofron mundësi punësimi sezonal në administratë studentëve që sapo kanë mbaruar studimet. Të gjithë studentët që kanë mbaruar ciklin e lartë të studimeve dhe që kërkojnë të punojnë në administratë mund të aplikojnë pranë bashkisë. Kohëzgjatja e punësimit do të jetë deri në 6 muaj dhe punësimi do të bëhet sipas profilit përkatës, për të cilin ata kanë përfunduar studimet. Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka nisur procedurat e përzgjedhjes për të gjithë aplikantët që kanë plotësuar formularin përkatës. Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe punësimit, ka vënë në dispozicion formularin që duhet të plotësojnë studentët për të aplikuar për punësim. Sipas burimeve pranë Bashkisë, projekti “Punësimi Veror Sezonal” do t’u ofrojë mundësi studentëve pjesëmarrës të njihen me administratën lokale. Në këtë mënyrë ata do të vënë në praktikë dijet e marra në procesin akademik, si dhe do të identifikohen si potencialë të mundshëm që pas përfundimit të studimeve të integrohen në strukturat e administratës lokale.
Formulari
Për të kryer aplikimin studentët do të plotësojnë një formular, që përmban të gjitha të dhënat e sakta personale. Formulari që duhet të plotësojnë studentët do të përmbajë të gjitha të dhënat për secilin dhe detajime të ndryshme se përse kërkojnë të punësohen. Studentët duhet ta plotësojnë me qartësi formularin, me emrin, mbiemrin, ditëlindjen, vendlindjen, universitetin, degën, mesataren e lëndëve etj. Njëkohësisht, ata duhet të argumentojnë se si e vlerësojnë këtë projekt të nisur nga Bashkia e Tiranës. Bashkëngjitur me kërkesën studentët duhet të dorëzojnë CV-në, listë notash, vërtetim nga fakulteti ku ka studiuar, një rekomandim nga një pedagog i degës, një ese me temë “Ja pse duhet të marr pjesë në këtë projekt”.
Punësimi
Numri i të përzgjedhurve nuk është bërë ende publik, por mendohet që të mos ketë ndryshime nga viti i kaluar. Një vit më parë, Bashkia punësoi në administratë 15 studentë të sapodiplomuar. Kështu, Bashkia e Tiranës u jep mundësinë të rinjve të sapodiplomuar për t’u praktikuar pranë ambienteve të saj, sipas sektorëve përkatës dhe për të vënë në zbatim idetë e reja. Një vit më parë, në vijim të eksperiencës së krijuar tashmë në vite për punësimin e të rinjve për sezonin veror, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit, filloi aplikimin e një programi të ri për punësim të punëkërkuesve. Këta të fundit, duhet të kenë mbaruar shkollat e tyre, brenda apo jashtë vendit. Synimi i Bashkisë është që kjo nismë të shërbejë si një model kombëtar për të gjithë të diplomuarit që kanë ambicien për t’i shërbyer shtetit shqiptar në një prej niveleve të organizimit të tij dhe të mos mbeten rrugëve të papunë. Për të gjithë ata studentë që do të jenë të aftë në punën e paraqitur gjatë sezonit të punësimit, do të kenë mundësinë të përzgjidhen përfundimisht si punonjës në një nga sektorët e Bashkisë së Tiranës.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, nis punën pas 4 muajsh ndërprerje

Pas 4 muajsh ndërprerje Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mbledhë anëtarët për diskutimin e 13 projektvendimeve që janë vendosur në rend të ditës. Anëtarët e këshillit do të diskutojnë për disa pika kryesore siç është vendosja për procedurat e privatizimit të banesave shtetërore; si dhe për vendosjen e shumës maksimale të përfitimit të bonusit të qirasë. Bashkia e Tiranës ka propozuar emrat e familjarëve që do të përfitojnë nga privatizimi i objekteve shtetërore. Aktualisht janë propozuar 35 emra, të cilët pas përfundimit të procedurave të privatizimit do të jenë ligjërisht pronarë të shtëpive. Kjo kategori qytetarësh, prej 20 vitesh kanë zënë objektet shtetërore dhe kanë shlyer vlerën e tyre. Një pikë tjetër e rëndësishme për diskutim është edhe miratimi i tarifave të propozuara për bonusin e qirasë. Nga të cilat shkojnë nga 9 mijë lekë që ka qenë më parë për zonën e qendrës së Kryeqytetit, është propozuar të jetë deri në 12.500 lekë. Ndërsa për zonën jashtë Unazës së Tiranës, tarifa maksimale e përfitimit me të cilën është operuar deri më tani është 7 mijë lekë dhe pritet të bëhet 8.5 mijë lekë. Ndërsa në periferi, ndryshe nga zonat e tjera, tarifa e përfitimit do të pësojë ulje, nga 7 mijë lekë që është aktualisht, pritet të bëhet 6 mijë lekë. Po kështu, janë dhe një sërë Projektvendimesh të tjera, si: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”; Projektvendimi për “Disa ndryshime në nivelin e pagave në Bashkinë e Tiranës”; për “Disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të Njësive Bashkiake të Tiranës dhe institucioneve të varësisë”; “Për përdorimin e fondit rezervë për financimin e projektit “Energjia diellore – alternativë pro mjedisore dhe ekonomike”; për “Nivelet e masës ditore të përfitimit me trajtim ushqimor që financon Bashkia e Tiranës për sportistë të kategorisë së parë, të Klubit Sportiv “Tirana” dhe Klubit të Futbollit “Tirana”. Njëkohësisht në rend të ditës është përfshirë edhe projektvendimi për “Rishpërndarje fondesh në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 dhe për përdorimin e fondit rezervë”,(Investime në klubin e Futbollit “Tirana”); për “Miratimin e projektit të Bashkisë së Tiranës “Strategjia për zhvillimin e qytetit të Tiranës” dhe për përdorimin e fondit rezervë”; për “Miratimin e projektit “Zhvillimi i të rinjve nëpërmjet fuqizimit të komunitetit në Shqipëri”; “Për miratimin e projektit “Shkolla ndryshe” etj.

Nisin 3 projekte për zbutjen e papunësisë
Korçë – Në qytetin e Korçës kanë nisur zbatimin disa projekte për uljen e papunësisë dhe zbutjen e problemeve sociale. Zyra rajonale e Punës në Korçë, është duke zbatuar tre projekte punësimi për zbutjen e këtij problemi social sidomos tek femrat dhe studentët e sapodiplomuar. Punësimi i femrave në industrinë e konfeksioneve është një ndër projektet kryesore që po ndjek prej 3 vitesh Zyra e Punës në Korçë, duke arritur që të sigurojë vende pune për një numër të konsiderueshëm punëkërkuesesh. “Projektet tona të punësimit, kanë më shumë prioritet gratë në nevojë, dhe për këtë po zbatohet prej 3 vitesh një projekt i punësimit të tyre kryesisht në sektorin privat të konfeksioneve”,- u shpreh Drejtori i Zyrës Rajonale të Punës në Korçë, Marsel Sulçe. Sipas tij, nga ky projekt janë siguruar 230 vende pune për femra në sektorin e prodhimit të konfeksioneve. Një tjetër projekt punësimi i zbatuar nga Zyra rajonale e punës në Korçë, është ai për studentët. Sulçe thotë se po kryhen praktika për 57 studentë, që ata të kenë mundësinë e punësimit në arsim, shëndetësi etj. “Këto praktika që zbatohen me studentët, krijojnë jo vetëm shanset e punësimit të tyre, por shtojnë edhe kualifikimin e tyre në kategori më të larta, duke i dhënë përparësi kësaj kategorie punëkërkuesish në gjetjen e vendeve të punës”,- theksoi Sulçe. Projekti i tretë që po zbaton Zyra rajonale e punës në Korçë, është drejtuar në sektorin privat të ndërtimit, ku gjithashtu një numër i konsiderueshëm punëkërkuesish kanë siguruar vende pune sezonale apo gjithëvjetore.

Rreth 34,7 milion lekë për rikonstruksionin e një shkolle

Has - Rreth 34,7 milion lekë akorduar nga buxheti i shtetit kanë mundësuar rikonstruksionin tërësor të shkollës 9- vjeçare “Niman Ferizi”, të qytetit të Krumës. “Punimet kanë nisur në muajin qershor, ndërsa pritet të përfundojnë në fillim të muajit shtator, kur fillon viti i ri shkollor”,- Shprehet Kryetari i Bashkisë, Bardhyl Peka. Punimet përfshijnë prishjen e suvatimit të mureve brenda e jashtë shkollës dhe risuvatimin e tyre, rehabilitimin e dyerve e dritareve, të sistemit të ndriçimit, zëvendësimi i pllakave të dyshemesë, ndërtimi i një palë shkallësh të reja, që do të përdoren vetëm në raste emergjence si dhe vendosja e impiantit për ngrohje të përqendruar në të gjitha mjediset mësimore të shkollës.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›