Gripi i derrit, Ministria: Shkollat do të hapen edhe pse ka virus
Jonida Tashi
Prania e gripit të derrit në vendin tonë nuk është arsye për të mos çelur shkollat në kohën e duhur. Të paktën në këtë konkluzion kanë arritur drejtuesit më të lartë të Shëndetësisë, të cilët megjithë kontradiktën që i shoqëron deklaratat e tyre, për hapjen e shkollave duket se janë bërë në një mendje. Kështu, ndërsa mjekët infeksionistë që gjenden më pranë të prekurve nga gripi i derrit deklarojnë se ky virus po përhapet me ritme të shpjeta edhe në vendin tonë, ende Ministria jonë e Shëndetësisë nuk është bindur për praninë e këtij virusi në vend.
Vendimi
Vendimi i këtij dikasteri për të çelur shkollat në datën 15 shtator, ka injoruar edhe monitorimet paraprake që Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka ndërmarrë në godinat e arsimit parauniversitar, për të dalë më pas në vendimin nëse duhet të hapen ose jo shkollat. Sipas ekspertëve të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, shkollat janë një terren i përshtatshëm për përhapjen e virusit A/H1N1 dhe se ecuria e hapjes së tyre do të jetë në varësi të zhvillimit të sëmundjes. Qëndrimi i Ministrisë së Shëndetësisë për këtë çështje ka shkaktuar një konfuzion të madh në mendjen e mijëra prindërve, të cilët nuk dinë se çfarë vendimi duhet të marrin për fëmijët e tyre. Pasi, ndërsa nga njëra anë Ministria e Shëndetësisë përpiqet të fshehë përhapjen e virusit A/H1N1, nga ana tjetër, po ky dikaster duket se po bën të pamundurën për sigurimin e vaksinës kundër gripit të derrit.
Shkollat
Shkollat, kopshtet e çerdhet do të hapen në kohën e duhur, pavarësisht përhapjes së virusit të gripit A/H1N1. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, sipas të cilit, nuk ka asnjë arsye të mendojmë për shtyrjen e shkollave apo mos hapjen e tyre, ashtu sikurse nuk ka arsye të mendojmë për ndryshimin e sjelljeve tona të përditshme. Duke garantuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen nën kontroll të situatës, Ivanaj i konsideroi të thënat e deritanishme mbi mos hapjen e shkollave në datën e përcaktuar (14 shtator) si të nxituara. Ndërkohë sipas numrit dy të Shëndetësisë, drejtoritë e shëndetit publik në rrethe janë udhëzuar të kenë komunikim të vazhdueshëm dhe të veçantë në shkolla, me fëmijët. Gjithashtu, janë përgatitur dhe fletë-palosje informuese për fëmijët mbi masat parandaluese dhe mënyrën e sjelljes ndaj virusit A/H1N1. Ndonëse flitet për marrjen e këtyre masave, deri tani në ambientet e shkollave nuk është afishuar asnjë fletë-palosje për fëmijët. Të vetmet këshilla me vlerë për nxënësit janë rekomandimet që japin specialistët e shëndetit publik, të cilët i bëjnë apel prindërve dhe fëmijëve që të tregohet kujdes me higjienën, sidomos larjen e duarve, dhe të garantohen mjetet e duhura në mjediset e shkollave.
Vaksina
Ministria e Shëndetësisë ka aktualisht në dispozicion 350 mijë dollarë për blerjen e vaksinës kundër virusit të gripit A/H1N1. Ndërkohë, burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se po mbahen kontakte të vazhdueshme me kompanitë farmaceutike për sigurimin e saj. Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Arben Ivanaj, janë të gjitha kapacitet e nevojshme për sigurimin e vaksinës kundër gripit A/H1N1. Për këtë ai bën të ditur se MSH-ja është në kontakt dhe me vendet e Bashkimit Evropian, që nëse do të duhet, do të bashkëpunojë për sigurimin e vaksinës. Sasitë e para të vaksinës pritet të hidhen në treg në muajin tetor. Mjekët infeksionistë këshillojnë qytetarët të vaksinohen me vaksinën e virusit të influencës stinore dhe të kenë në konsideratë masat e thjeshta të higjienës personale. Deri tani në vend janë konfirmuar 30 raste të prekura nga virusi A/H1N1, ndërsa priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të dyshuara nga Laboratori i Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht (Rumani).
Gripi prek katër komando shqiptare në Afganistan
Gripi i derrit ka prekur katër komando shqiptare me mision në qytetin e Heratit në Afganistan. Deri tani mësohet se emri i një prej ushtarëve të prekur është Denis Sulko nga Lushnja, pjesë e brigadës së ndërhyrjes së shpejtë. Aktualisht, ushtari lushnjar po kurohet në spitalin spanjoll të kampit, për shkak se gjendja e tij shëndetësore është më e rënde. Ndërsa tre ushtarët e tjerë janë izoluar në një dhomë të kampit ku edhe po marrin mjekimin e nevojshëm. Ushtarët shqiptarë janë nisur para pak ditësh në Afganistan dhe kryejnë misionin nën komandën italiane. Sipas burimeve, në këtë kamp ka pasur edhe 8 raste të tjera të prekura nga gripi i derrit, por ata kanë qenë në radhët e ushtarëve spanjoll. Ministria e Mbrojtjes shqiptare ende nuk i konfirmon zyrtarisht rastet e prekura nga ky virus. Nga ana tjetër, as Ministria e Shëndetësisë nuk është e informuar nga mbrojtja për katër rastet për të cilët nuk dihet nëse janë infektuar në vendin ku ata kryejnë misionin ushtarak apo e kanë marrë në kohën kur ishin në Shqipëri.
Mjekët infeksionistë: Virusi A/H1N1 po përhapet shpejt
Ritmi i përhapjes së virusit A/H1N1 është rritur edhe në vendin tonë. Mjekët infeksionistë, të cilët përballen të parët me personat e prekur nga ky virus në spitalin Infektiv deklarojnë shifra në rritje edhe të rasteve të dyshuara në këtë spital, të cilët në të shumtën e rasteve janë konfirmuar me H1N1. Sipas mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero, rastet kanë qenë të mesme dhe të rënda. Vetëm para pak ditësh kanë dalë nga spitali tre raste, të cilët janë trajtuar nën kujdesin e mjekëve. Në Shqipëri pritet që nga gripi i derrit të preken mbi 30 për qind e popullsisë.
ISHP, përcakton kategoritë e para të vaksinimit
Instituti i Shëndetit Publik ka përcaktuar kategoritë që do të vaksinohen të parat kundër virusit A/H1N1. Sipas ekspertëve të këtij instituti, të parët që do të vaksinohen kundër virusit të rrezikshëm do të jenë mjekët, gratë shtatzëna, të sëmurët nga mushkëritë, diabetikët, si dhe anëtarët e qeverisë e policisë. Mësohet se në grupin e parë të personave që do të vaksinohen do të përfshihen edhe grupmoshat nga 5 deri në 25 vjeç. Specialistët shpjegojnë se vaksina bëhet vetëm njëherë si për fëmijët, ashtu edhe për grupet e tjera.
3 Shtator 2009