Tregu i aksioneve, Qeveria, rregulla të reja loje për investimet kolektive
Tiranë - Dje qeveria miratoi për të dytën herë brenda pesë muajsh projektligjin “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, hartuar nga Autoriteti i mbikëqyrjes financiare (AMF), që synon të forcojë sistemin e fondeve kolektive të investimit në Shqipëri për të nxitur grupet e interesit që të përfshihen në skemat e fondeve kolektive të investimit. Në muajin maj qeveria miratoi një projektligj të ngjashëm që dje u shfuqizua duke vendosur që të çojë për miratim një projektligj më të plotë për “Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” Ekspertë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare deklarojnë se ky projektligj është hartuar pasi ka marrë parasysh kërkesën në rritje të tregut për investime afatgjata. Ai synon të sigurojë një mbrojtje efektive të interesave të investitorëve, të cilët nxiten nga ofertat e operatorëve të këtyre skemave. Për këtë qëllim, projektligji parashikon në mënyrë të shprehur se shoqëria administruese nuk mund të fillojë promovimin, reklamimin, tregtimin, ose ofertën për shitje të ndonjë titulli, apo aksioni të një sipërmarrjeje investimi kolektiv, pa autorizimin e Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare.
Kriteret
Projektligji është hartuar në përputhje me Direktivën e BE që rregullon fondet e investimeve, “Për koordinimin e ligjeve, rregulloreve dhe parashikimeve administrative lidhur me sipërmarrjet për investimet kolektive me tituj të transferueshëm”. Ky projektligj ka për qëllim të rregullojë kushtet dhe kriteret për krijimin, themelimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive si dhe të shoqërive administruese; emetimin dhe shitjen e kuotave dhe aksioneve; shlyerjen e titujve; si dhe promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive. Në projektligj përcaktohet edhe kapitali i regjistruar i shoqërisë administruese dhe burimet e tij. Në bazë të projektit të miratuar nga qeveria, shuma minimale e kapitalit të regjistruar të shoqërisë administruese do të jetë 15 milionë e 625 mijë Lekë. Burimi për kapitalin fillestar të pjesëmarrjes për themelimin e Shoqërisë Administruese nuk mund të jetë hua, kredi, ose paradhënie nga subjektet, që janë palë të treta. Në rast se vlera neto e aseteve tejkalon ekuivalentin prej 31 milionë e 250 mijë lekë, kapitali themeltar i regjistruar i shoqërisë administruese do të zmadhohet me të paktën 0.02 për qind të shumës me të cilën vlera neto e aseteve të fondeve të administruara, ku do të përfshihen të gjitha asetet mbi të cilat shoqëria administruese ka autoritet për të administruar, tejkalon pragun e përmendur, deri në shumën maksimale 125 milionë lekë të kapitalit themeltar regjistruar.
Objektivi
Projektligji i miratuar dje nga qeveria ka për qëllim të rregullojë kushtet dhe kriteret për themelimin, regjistrimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, si dhe të shoqërive administruese, strukturat e fondeve me pjesëmarrje të hapur e pjesëmarrje të mbyllur që ofrohen dhe shiten. Ky projektligj siguron mbarëvajtjen e emetimit dhe shitjes së kuotave dhe të aksioneve; shlyerjen e kuotave; promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive; veprimtaritë e kryera nga palët e treta për llogari të sipërmarrjeve të investimeve kolektive; realizimin e mbikëqyrjes, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të veprimtarisë së sipërmarrjeve të investimeve kolektive të shoqërive administruese, depozitarëve dhe të personave të përfshirë në shitjen e kuotave e të aksioneve, që, duhet të mbikëqyren sipas këtij ligji; veprimtarinë e sipërmarrjeve të huaja të investimeve kolektive dhe të shoqërive administruese të huaja në Republikën e Shqipërisë si dhe të vendosë rregulla, që sigurojnë funksionimin e drejtë të tregut të kapitaleve dhe nxitjen e lëvizjes së lirë të tyre.
Si regjistrohet sipërmarrja e investimit kolektiv
1. Sipërmarrjet e investimeve kolektive regjistrohen në regjistrin e fondeve të Republikës së Shqipërisë.
2. Regjistri i Fondeve mbahet nga AMF-ja dhe është i hapur për publikun.
3. Regjistri i Fondeve duhet të përmbajë informacion të përditësuar, sidomos për llojin e sipërmarrjes së investimeve kolektive, objektin e saj, qëllimin e investimit, strukturën e saj organizative dhe çdo ndryshim të strukturës së saj ligjore dhe/ose organizative. Kërkesat specifike për përmbajtjen përcaktohen me rregullore të AMF-së.
4. AMF-ja mban dhe përditëson Regjistrin e Fondeve në përputhje me rregulloret përkatëse të tij, duke siguruar uniformitetin e informacionit dhe duke marrë parasysh faktet dhe legjislacionin në fuqi.
Regjistrimi në Regjistrin e Fondeve
1. Regjistrimi i sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Regjistrin e Fondeve bëhet vetëm pas dhënies së licencës nga AMF-ja për themelimin dhe funksionimin e sipërmarrjes.
2. Në çastin e dhënies së licencës nga AMF-ja dhe të regjistrimit në Regjistrin e Fondeve, i cili është uniform, i pandryshueshëm dhe unik, çdo sipërmarrjeje të investimeve kolektive i jepet një numër identifikimi
BOX
Krijohen shoqëritë e administrimit , përgjegjëse për kapitalet e tregut aksionar
Strukturimi i tregut të aksioneve dhe kuotave të shoqërive kolektive do të kryhet nga shoqëritë administruese të cilat do të licencohen posaçërisht nga AMF-ja. Shoqëritë administruese mund të kryejnë kryesisht veprimtari për themelimin dhe/ose administrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike, përveç rasteve kur AMF-ja jep licencën ose autorizimin me shkrim për kryerjen edhe të ndonjë veprimtarie tjetër. Objekti përfshin administrimin e aseteve të sipërmarrjes së investimeve kolektive, promovimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe shitjen e kuotave në fondet e investimit ose të aksioneve në shoqëritë e investimit. Shoqëritë e Administrimit do të jenë përgjegjëse edhe për kryerjen e detyrave administrative, që përfshijnë, ndër të tjera dhe mbajtjen e librave të llogarive kontabël dhe përgatitjen e raporteve financiare
ii. përcaktimin e vlerës neto të aseteve dhe llogaritjen e çmimit të kuotave ose të aksioneve harmonizimin e veprimtarisë së shoqërisë administruese me ligjet dhe rregulloret përkatëse, publikimet dhe raportimet tek aksionarët dhe pronarët e kuotave;
v. pagesat për aksionarët ose pronarët e kuotave nga asetet ose fitimi i fondit, shlyerjen e kuotave në një fond investimi dhe shlyerjen e aksioneve në shoqëritë e investimit me ofertë publike si dhe mbajtjen e regjistrit të pronarëve të kuotave ose të aksionareve
Si funksionojnë Sipërmarrjet e investimeve kolektive
1. Jo më pak se 90 për qind e portofolit të një sipërmarrjeje të investimeve kolektive me ofertë publike duhet të përbëhet nga sa më poshtë vijon:
a) Tituj të transferueshëm dhe instrumente të tregut të parasë, që tregtohen në tregje të rregulluara ose në një bursë titujsh në Republikën e Shqipërisë, në një vend të Bashkimit Evropian apo në një vend tjetër të lejuar nga AMF-ja;
b) Kuota e fondeve të investimit apo aksione të shoqërive të investimit të licencuara sipas këtij ligji, si dhe kuota ose aksione të sipërmarrjeve kolektive të investimit të licencuara në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian;
c) Depozita në institucione kreditimi, të cilat mund të tërhiqen menjëherë ose që kanë afat maturimi jo më shumë se 12 muaj;
ç) Instrumente financiare derivate;
d) Instrumente të tregut të parasë, përveç atyre të tregtuara në një treg të rregulluar.
2. Një sipërmarrje investimi kolektive mund të investojë jo më shumë se 10 për qind të aseteve të tij në tituj të transferueshëm dhe në instrumente të tregut të parasë, të ndryshme nga ato të përmendura më sipër.
3. Një sipërmarrje e investimeve kolektive me ofertë publike nuk duhet të zotërojë metale të çmuara ose certifikata që përfaqësojnë këto metale.
4. Një shoqëri investimi mund të zotërojë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, që janë thelbësore për kryerjen e drejtpërdrejtë të veprimtarisë tregtare.
5. Sipërmarrjet e investimeve kolektive me ofertë publike mund të mbajnë asete likuide për qëllime dytësore.
3 Shtator 2009