E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrit/ OBSH-ja: Shqipëria ta sigurojë vetë vaksinën



Jonida Tashi

Shqipëria duhet ta sigurojë vetë vaksinën e shumëpritur të gripit të derrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar dje zyrtarisht se nuk e garanton dot vaksinën për vendin tonë. Sipas përfaqësuesit të OBSH-së në Tiranë, nga pikëpamja globale OBSH-ja do të marrë një sasi vaksine, por ajo do të rezervohet për vendet e varfra dhe ato me numër të madh të prekurish. Kjo deklaratë duket se ka prerë shpresat e zyrtarëve të vendit tonë të cilët prej kohësh kanë deklaruar se ishin në pritje të ndihmës që do të jepte OBSH-ja. Deklaratat e tyre janë bërë edhe më alarmante kur zëvendësministri i Financave pranoi publikisht se vendit tonë i mungonin fondet për të mbuluar të gjitha shpenzimet për blerjen e vaksinës.
Deklarata
“Për Shqipërinë është e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar me disa vende dhe ne po punojmë së bashku për të marrë një pjesë të vaksinave. Por le të themi që nuk ka ende një zgjidhje. OBSH-ja po diskuton me industrinë farmaceutike, por nuk kemi arritur në përfundime. Është e rëndësishme të negociojmë që vendet e vogla të mund të sigurojnë vaksinën. Vendet e rajonit për shembull, mund të bashkohen dhe të porosisin së bashku një sasi vaksinash, çka do të rriste numrin dhe do të ishte në interes të firmës farmaceutike. Kjo është diçka me të cilën duhet të punojmë. Për momentin, vendet po veprojnë në bazë kontratash individuale”,- ka thënë në deklaratën e tij për sigurimin e vaksinës, përfaqësuesi i OBSH-së në Tiranë, Anshu Banerjee.
Situata
Tashmë që OBSH-ja i ka kthyer kurrizin vendin tonë për furnizimin me vaksinën kundër virusit A/H1N1, Shqipëria ende nuk ka asgjë të sigurt se do të mund të sigurojë vaksininim e popullatës, ndonëse numri i të prekurve nga ky virus është në rritje. Kompanitë farmaceutike që e prodhojnë këtë vaksinë, e cila tashmë është në fazën e testimit kanë interes t’ua shesin atë vendeve të mëdha, të cilat kanë numër edhe një numër më të lartë banorësh dhe detyrimisht do të blejnë më shumë vaksina. Aktualisht, OBSH-ja nuk kërkon më raportime rast pas rasti të personave të prekur në vendin tonë, por kërkon monitorim të situatës, për të parë nëse virusi do të bëhet më rezistent dhe më agresiv. Nëse do të sigurohet vaksina rekomandohet të vaksinohen si fillim punonjësit e shëndetësisë, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna. Por edhe brenda këtyre kategorive të parët do të vaksinohen personat që i përkasin moshës 15-50 vjeç e më pas ata 5-15.

Shoqata e Stomatologëve: Emigrantët po bëjnë edhe turizëm dentar

Shërbimi dentar në vendin tonë është shndërruar në një lloj turizmi për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve. Megjithëse ende nuk ka arritur të marrë rrugë ajo që quhet turizëm dentar, pra ardhja e shtetasve të huaj në Shqipëri enkas për të kryer shërbime dentare, Shoqata e Stomatologëve Shqiptarë deklaron se thuajse të gjithë të huajt që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri preferojnë t’i kryejnë këtu shërbimet dentare. “Në Shqipëri, mënyra e pagesës është e drejtpërdrejtë, takimi me një stomatolog bëhet edhe brenda ditës dhe faturat që duhet të paguajnë janë shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit”,- shprehet kryetarja e Shoqatës së Stomatologëve Dentarë, Razarka Budinka. Sipas Shoqatës së Stomatologëve, turizmi dentar në vendin tonë do të marrë zhvillim në momentin që vetë turizmi do të arrijë në nivele të larta zhvillimi dhe modernizimi konkurrues dhe tërheqës për një numër të lartë turistësh të huaj. Aktualisht kryerja e shërbimeve dentare në Shqipëri duket se është dhe zgjedhja e shumë emigrantëve që zgjedhin të jenë pacientë të klinikave në vendin tonë thuajse tërësisht për arsye ekonomike.

Viti i ri shkollor, mësimi me tri turne në periferi të Tiranës

Nxënësit e shkollave që gjenden në periferi të kryeqytetit do ta zhvillojnë mësimin me tre turne gjatë vitit të ri shkollor. Shkak për këtë është bërë mbipopullimi i klasave në shkollat periferike, ku megjithëse janë ndërtuar shkolla të reja, situata do të vazhdojë edhe për vitin shkollor 2009-2010. ky fakt bëhet i ditur nga vetë drejtori i Arsimit Rajonal për Tiranën, Ylli Xhaferi. “Shkollat tona janë gjithnjë të mbipopulluara. Do të jetë viti i fundit që shkollat e Kamzës do të jenë me tre turne. Pra, disa nga shkollat janë me tre turne”,- sqaron Xhaferi. Ndërsa përsa i përket numrit të nxënësve që do të ulen këtë vit në bankat e shkollës, drejtori i Arsimit Rajonal për kryeqytetin thotë se këtë vit shkollor arsimin parauniversitar do ta nisin rreth 70 mijë nxënës. Xhaferri flet edhe për braktisjen e shkollave nga nxënësit. Në rrethinat e Tiranës, sipas tij numërohen mbi 30 fëmijë, të cilët për arsye të gjakmarrjes nuk ndjekin dot shkollën. Për këta fëmijë autoritetet arsimore kanë vendosur dy mësues, të cilët do t’u japin atyre mësim në shtëpi.

Viti i ri shkollor, Bashkia e Tiranës ka gati 69 shkolla

Bashkia e Tiranës ka gati 69 shkolla, të cilat do të jenë të gatshme për të pritur nxënësit në datën 15 shtator. Drejtori i Ndërmarrjes Nr.3 të Bashkisë së Tiranës, Irfan Hysolli shprehet se vetëm 69 godina shkollore janë të gatshme për të pritur nxënësit në datën 15 shtator. Ato kanë përfunduar riparimet e brendshme, punimet elektrike dhe janë në fazën e lyerjeve të fasadave, oborreve dhe ambienteve të tjera të jashtme. Vetëm tri shkolla në kryeqytet nuk do të jenë të gatshme të nisin procesin mësimor në datën 15 shtator. Bëhet fjalë për nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi" dhe të dy shkollave 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Kolë Jakova”, të cilët do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin në shkolla të tjera. Sipas Hysollit, gjatë inspetimeve të kryera, në shkollat e Tiranës janë konstatuar probleme me mungesën e ujit në godina. Ai tha se për të zgjidhur këtë problem nevojitet një bashkëpunim më i mirë me Drejtorinë e Ujësjellësit.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›