E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël do të taksohet më tepër, qeveria e klasifikon si të madh

Procedurat e reja do të shtojnë subjektet tatimpaguese të TVSH-së

Ervin KOÇI

Qeveria do ta taksojë më tepër biznesin e vogël duke i ndryshuar këtij të fundit klasifikimin në të madh. Subjektet private që janë regjistruar pranë administratës tatimore si “biznes i vogël” nuk mund ta mbajnë gjithmonë këtë status. Ashtu si aktiviteti i tyre, i cili mund të zgjerohet ose mund të likuidohet (mbyllet ose falimentojë), edhe klasifikimi si subjekt biznesi i vogël mund të ndryshojë. Gazeta “Albania” boton sot për herë të parë kriteret bazë se si një subjekt biznesi i vogël mund të humbasë statusin fillestar dhe ta ndryshojë atë duke u klasifikuar si një biznes i madh (tatimpagues i TVSH-së). Me natë të një udhëzimi të posaçëm dhe në bazë të ligjit të ri “Për tatimin mbi vlerën e shtuar të ndryshuar”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka nisur drejtorive rajonale tatimore në rrethe qarkoren e re të veprimit. Burime konfidenciale pranë DPT-së kanë bërë të mundur për “Albania”-n sigurimin e procedurave se si do të realizohet bërja e klasifikimit të ri për bizneset nga ana e tatimorëve. Drejtorive rajonale në rrethe u lihet si detyrë që të realizojnë nga e para vlerësimin për të gjitha subjektet e vogla dhe t’i riklasifikojnë ato, ku si afat i fundit është caktuar data 31 tetor 2009. Brenda kësaj date drejtoritë rajonale të tatimeve duhet të kenë përfunduar veprimet procedurale për kalimin e tatimpaguesve të klasifikuar “biznes i vogël” në subjekte që janë tatimpaguese të TVSH-së.

Procedurat

Për të realizuar procesin e riklasifikimit të subjekteve private, seleksionimi dhe përzgjedhja e tatimpaguesve që do të kalojnë në skemën e TVSH-së do të bëhet nga të dhënat e siguruara nëpërmjet analizës së riskut për tatimpagues të veçantë. Duke iu përmbajtur kategorive të aktiviteteve dhe transaksioneve të tatimpaguesve, si kriter bazë për këtë riklasifikim është xhiroja e realizuar, mbajtja e dokumentacionit ligjor nga ana e subjektit dhe lloji i aktivitetit që ai kryen.

Xhiroja e realizuar

Si kriter bazë për kalimin e një subjekti të vogël biznesi në subjekt tatimpagues të TVSH-së, Tatimet kanë përcaktuar xhiron e realizuar nga tatimpaguesi për vitin 2008 dhe ajo e parashikuar për vitin 2009. Xhiroja e realizuar do të sigurohet nga deklarata e paraqitur nga subjekti për vitin 2008, të marra nga organet e pushtetit vendor dhe nga të tretët, nga të dhëna shtesë nga rezultat e kontrolleve tatimore dhe vizitave fiskale. Të gjithë ata tatimpagues që kanë realizuar një xhiro vjetore mbi 7 milionë lekë për vitin 2008, do të bëhen objekt verifikimi në terren doke koordinuar punonjësit e verifikimit në terren dhe të sektorëve të zbatimit për të analizuar kohëzgjatjen për çdo ditë pune në biznesit, madhësinë e njësisë apo të kapacitet mbajtës, vendndodhjen etj.

Pasqyrimi i xhiros

Për pasqyrimin e xhiros së subjekteve të vogla do të analizohet në tërësi mbajtja e dokumentacionit, si libri i blerjeve dhe a është i gjithë malli i justifikuar me fatura tatimore sipas ligjit, a është mbajtur libri i shitjeve dhe a janë përdorur faturat tatimore dhe dëftesat tatimore për shitjen e mallrave dhe shërbimeve. Në bazë të nivelit të korrektësisë së mbajtjes së dokumentacionit nga subjekti, drejtoritë rajonale do të ndërhyjnë në bazë të ligjit me metoda alternative për përcaktimin e xhiros që realizon realisht tatimpaguesi në biznesin e tij. Si kritere plotësuese për këtë do të jenë dhe vlera e aktivitetit, niveli i pagesave dhe blerjeve.

Pagesat dhe blerjet

Analiza e pagesave dhe blerjeve do të bëhet mbi totalin e blerjeve (importe dhe blerje brenda vendit), vlerën e amortizimit, pagesa mbi qiranë dhe vlera reale e saj, pagesa të tjera periodike (energji, paga, ujë etj.), gjendja e mallrave në njësi, magazinë ose depozita. Gjendja reale e plotësimit të këtyre kritereve do të paraqitet në skedën bashkëngjitur “Skeda mbi verifikimin e të dhënave për tatimpaguesit”. Konkluzionet dhe vlerësimi përfundimtar nga ana e grupit të kontrollit do të bëhet nëpërmjet një vendimi, i cili do të përshkruhet në seksionin “F” të skedës për kalimin e biznesit të klasifikuar “biznes i vogël” në subjekte tatimpagues që janë subjekt TVSH-je.

Llojet e aktiviteteve që do të bëhen objekte të kontrolleve tatimore

Tatimpaguesit potencialë për kalimin në subjekte TVSH-je do të jenë të gjitha ato subjekte që kryejnë aktivitet e mëposhtme: 1) shërbime hotelerie, argëtuese, sportive, artistike, mediatike elektronike; 2) restorante, bare-kafe, markete ose minimarkete, me sipërfaqe mbi 200 metra katrorë, duke përfshirë edhe sipërfaqet ekstra pa mbulim apo përreth ambientit kryesor të shërbimit; 3) servise makinash dhe mjetesh motorike me mbi dy punëmarrës; 4) pikat e shitjes së karburantit, gazit, vajrave lubrifikante dhe pjesëve të këmbimit apo aksesorëve të ndryshëm për automjete; 5) nënkontraktorët e ndërtimit me fonde private dhe publike; 6) transportuesit e mallrave me tonazh mbi 20 tonë kapacitet mbajtës apo grup automjetesh udhëtarësh e taksish me mbi 3 automjete; 7) tatimpaguesit që rezultojnë si klientë të shoqërive që janë të regjistruara në drejtoritë rajonale të tatimpaguesve të mëdhenj; 8) prodhuesit industrialë, agro-industrialë dhe ushqimor të natyrave të ndryshme.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›