E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvlerësimi i lekut, ja alternativat për thithjen e qëndrueshme të valutës

FORUMI/ Flet Ornela Liperi, kryeredaktorja e revistës ekonomike “Monitor”

Hedhja e euros në treg nga Banka e Shqipërisë është një zgjidhje afatshkurtër, pasi nuk mund të ndikojë në përmirësimin gradual të monedhës vendase. Kështu shprehet kryeredaktorja e magazinës ekonomike “Monitor”, Ornela Liperi, e cila përcakton një sërë alternativash afatmesme dhe afatgjata për thithjen e qëndrueshme të valutës. Sipas saj, rritja e eksporteve, zëvendësimi i importeve me produkte vendi, mbështetja e turizmit tërheqja e investimeve të huaja direkte, angazhimi i politikave që rrisin konkurrueshmërinë apo një harmonizim më i mirë i politikës monetare me atë fiskale do të shërbenin për përmirësimin e situatës. Liperi thotë se ka një numër shkaqesh që kanë sjellë tharjen e euros nga tregu i brendshëm, ku ndër më kryesorët mbetet transferimi i dividentëve (fitimeve) nga kompanitë e huaja në vendet e tyre. Ajo përcakton edhe sjelljen e mundshme të qytetarëve në raport me përdorimin e monedhës për depozitat dhe kreditë që mund të marrin në banka.

Prej më shumë se një viti vihet re një forcim i vazhdueshëm i euros. Madje, edhe në këto kohë kur ka një fluks të madh prurjesh në valutë nga sezoni turistik dhe kthimi i emigranteve. Cilat janë shkaqet?

Zhvlerësimi i lekut ka nisur që në ditët e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar. Mesatarja e këmbimit të lekut me euron gjatë 8 muajve të vitit 2009 rezulton në nivelin e 129.8 lekëve. Në krahasim me mesataren e vitit 2008, leku është zhvlerësuar me 5.7%. Ka një sërë faktorësh që kanë ndikuar në këtë sjellje, që kanë çuar në ulje të ofertës dhe rritje të kërkesës. Në kahun e uljes: si ulja e lehtë e prurjeve të emigrantëve, që vlerësohet të jetë rreth 10%; më pak kredi e re në valutë nga bankat e nivelit të dytë, që ul prapë ofertën për monedhën e përbashkët (të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se kredia e re në euro ishte rreth 40% më e ulët në 6-mujorin e parë të vitit 2009, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008-ës, apo rreth 170 milionë euro më pak).
Në kahun e rritjes së kërkesës: kërkesa e lartë për valutë nga kompanitë e huaja që transferojnë dividentët në vendet mëmë (vetëm AMC e Vodafone kanë pasur së bashku një fitim prej rreth 190 milionë euro në 2008-n, fitim ky është 65% më i lartë se në 2007-n; Bectel Enka ka pasur një fitim prej rreth 90 milionë euro në 2008-n etj.). Në fakt, ka qenë kërkesa tepër e lartë për valutë ajo që ka orientuar ecurinë e kursit. Shtrirja e pagesës së dividentëve në kohë, sipas Bankës së Shqipërisë, ka bërë që të humbasin dhe efektet sezonale të forcimit të lekut.
Rënia e të ardhurave nga eksportet është kompensuar disi nga zhvlerësimi i lekut (eksportuesit marrin më shumë lekë për të njëjtën sasi valute) dhe nga rënia e importeve (deficiti tregtar është përkeqësuar vetëm 3.7% për periudhën janar-korrik 2009, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008-ës, kur në 2008-n ndaj 2007-s ai u përkeqësua rreth 18%).
Mbetet i paqartë efekti i shpenzimeve të larta qeveritare për rrugën Durrës-Kukës në kursin e këmbimit. Financat kanë deklaruar se pagesat për Bechtel Enka bëhen vërtet në euro, por këto para merren nga borxhi i jashtëm dhe të ardhurat nga privatizimet dhe, si rrjedhojë, nuk ndikojnë në kërkesën e brendshme për euro. Ndërsa nga emetimet e bonove të thesarit, sipas tyre, konstatohet se qeveria nuk ka marrë para të reja, por ka marrë para thjesht për të bërë shlyerje të borxhit.
Ndërkohë, të dhënat e buxhetit tregojnë se gjatë periudhës janar-maj 2009, nga buxheti i shtetit janë përdorur rreth 24.6 miliardë lekë për rrugën Durrës-Kukës (rreth 190 milionë euro), të cilat janë siguruar nga financimi i brendshëm, një shumë kjo e barabartë me rreth 15% të totalit të shpenzimeve të kryera nga buxhetit i shtetit për 6 muajt e parë të vitit. Edhe përdorimi i financimeve të huaja ka rritur pagesën për interesa të huaja (pagesa që kryhen në valutë), të cilat rezultojnë të kenë qenë në rreth 2 miliardë lekë (15 milionë euro) për periudhën janar-qershor 2009.

A mendoni se procesi i zhvlerësimit të monedhës tonë do të vazhdojë edhe gjatë vjeshtës?

Aktorët e tregut presin që leku të qëndrojë i dobët dhe në muajt në vijim, megjithëse muajt e fundit kanë treguar se parashikimi i ecurisë së kursit është ndërlikuar mjaft, teksa luhatjet sezonale nuk po konstatohen më dhe disa faktorë jo shumë të qartë po ndikojnë në kërkesën e lartë për valutë. Ndërsa Banka e Shqipërisë ka deklaruar se “ecuria e kursit të këmbimit do të varet nga ecuria e kërkesës dhe ofertës në treg, në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit të ndjekur nga Banka e Shqipërisë”, duke nënkuptuar se do të vazhdojë të ndërhyrje nëse do të konstatohen luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit.

Çfarë roli duhet të luajnë në këto momente institucionet: A duhet të ndërhyjnë në treg BSH-ja në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke futur euro në qarkullim? Apo duhet të gjenden forma të tjera për të nxitur qëndrueshmërinë e monedhës?

Shqipëria, që pas viteve 1990, ka përshtatur një regjim luhatës të kursit të këmbimit, ku kursi caktohet në bazë të ofertës dhe kërkesës. Banka e Shqipërisë, sipas deklaratave të saj, ka ndërhyrë në treg, kryesisht në funksion të përmbushjes të objektivit të Rezervës Ndërkombëtare Neto, e cila duhet të jetë rreth 4-5 muaj importe (që nënkupton se në raste p.sh të jashtëzakonshme, vendi do të ketë valutën e nevojshme për të siguruar importe deri në 5 muaj), si dhe për të stabilizuar luhatjet e kursit të këmbimit. Deri në vitin 2009, detyra e Bankës së Shqipërisë për sigurimin e rezervës valutore ka qenë relativisht e thjeshtë. Nga deklarata në vite për ndërhyrjet mbi kursin e këmbimi të publikuara në faqen e internetit të BSH-së, rezulton se në periudhën 2005-2008, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vetëm në drejtim të blerjes së valutës, duke përfituar nga oferta e lartë për valutë dhe kërkesa e ulët për të, për të mbushur rezervat e saj valutore.
Por 2009-a ka ndryshuar sjelljen. Pas zhvlerësimit të shpejtë të lekut në muajt e parë të vitit, BSH, për herë të parë, pas shumë vitesh, ka ndërhyrë vazhdimisht me synim shmangien e çrregullime në tregun valutor, duke shitur valutë. Por, këto ndërhyrje ndonëse kanë qetësuar disi kursin, nuk kanë arritur të kthejnë monedhën vendase në nivelet e viteve të kaluara. Është normale që Banka e Shqipërisë nuk do mund të vazhdojë të ndërhyjë pa fund për të forcuar lekun, duke shitur valutë, pasi kjo do të sillte një zbrazje të rezervave të saj valutore.
Në mënyrë që të sigurohet një stabilitet afatgjatë i kursit të këmbimit, duhen gjetur burime të qëndrueshme për thithjen e valutës në Shqipëri. Prurjet e emigrantëve, edhe para fillimit të krizës pritej të uleshin, pasi cikli i këtyre prurjeve po maturohej (mendohet se pas 15 apo 20 vitesh lidhjet e emigrantëve me Shqipërinë zbehen dhe emigrantët dërgojnë më pak valutë; - por kriza duket se e përshpejtoi këtë proces), ndaj remitancat nuk mund të shërbejnë dhe për një kohë të gjatë si një burim i vazhdueshëm i sigurimit të valutës. Në një afat të mesëm, alternativat, ku më kryesoret të thithjes së valutës mbeten: rritja e eksporteve; zëvendësimi i importeve me produkte të vendit, atje ku Shqipëria ka avantazhe konkurruese; rritja e të ardhurave neto nga turizmit (të cilat janë të ulëta për shkak të shumave të mëdha që shpenzojnë shqiptarët jashtë dhe shumave relativisht të ulëta që hyjnë për shkak të nivelit të lartë të turizmit ditor dhe mungesës së turizmit elitar); tërheqja e investimeve të huaja direkte, duke u synuar në ato investime që lënë më shumë vlerë të shtuar në vend. Shteti mund të ndihmojë për të gjithë elementët e përmendur më lart, duke ndërmarrë politika që do të rrisnin konkurrueshmërinë e vendit në afatin e gjatë (sipas Forumit Ekonomik Botëror, aktualisht Shqipëria renditet ndër vendet me konkurrueshmëri më të ulët në rajon). Një harmonizim më i mirë i politikës monetare me atë fiskale do të shërbente gjithashtu për administrimin më të mirë të likuiditetit në treg në një afat më të shkurtër.

Zhvlerësimi i lekut ka shkaktuar pasoja të ndjeshme në xhepat e qytetarëve. Nëse ata duan të depozitojnë para apo të marrin kredi në këto kushte, në cilën valutë duhet të operojnë?

Për një kredi prej 300 euro në muaj (që është shuma mesatare e një kredimarrësi për shtëpi, p.sh.), një familje që i ka të ardhurat në lekë paguan aktualisht rreth 3,000 lekë më shumë në muaj për të njëjtin këst, apo 10% më shumë. Për një familje me të ardhura të qëndrueshme, kjo shumë nuk konsiderohet ndonjë barrë e jashtëzakonshme, për sa kohë që ata vazhdojnë të kenë një pune. Përsa u përket interesave, euro vazhdon të jetë më e leverdishme në krahasim me lekun, por rreziku i kursit të këmbimit (që vitet e fundit pothuajse s’ka qenë fare i pranishëm) tashmë është i lartë.
Gjithsesi, bankat po i orientojnë vetë klientët që i kanë të ardhurat në lekë drejt kredisë në lekë. Një ulje e normës bazë të interesit (që do të ishte efektive nëse do të kishim dhe një ulje të interesave të bonove të thesarit, që janë si bazë në caktimin e kredisë në lekë) do të lehtësonte këtë proces riorientimi drejt huas në monedhën vendase. Përsa u përket depozitave, leku paraqitet me interesa më të favorshme për momentin dhe klientët duhet të nxitojnë që të kapin ofertat e verës së bankave.

KURSI I KËMBIMIT VALUTOR
Dollari Amerikan USD 92.34 -0.33
EURO EUR 132.31 -0.06
Poundi Britanik GBP 149.86 -0.26
Franga Zviceriane CHF 87.27 -0.10
Jeni Japonez (100) JPY 99.20 -0.43
Dollari Australian AUD 77.14 -0.55
Dollari Kanadez CAD 84.31 +0.04
Ari(OZ 1) 87688.31 -735.61
Argjend(OZ 1) 1368.44 +12.71
Burimi: Banka e Shqiprisë. Përditësimi i fundit: 12:03:31, 01.09.2009

TREGU I BONOVE TË THESARIT
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.38%
12M 12-mujor 7.97%
6M 6-mujor 6.88%
3M 3-mujor 5.91%
1M 1-mujor 5.69%
1Ë njëjavor 5.09%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.90%
1Ë njëjavor 6.21%
o/n njëditor 6.43%
12M 12-mujor 9.43%
6M 6-mujor 8.31%
3M 3-mujor 7.33%

Burimi: Banka e Shqipërisë. Përditësimi i fundit: 31.08.2009

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›