E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoria e Higjienës: Çerdhet dhe kopshtet që rrezikojnë mbylljen



Një çerdhe dhe dy kopshte shtetërore në kryeqytet rrezikojnë mbylljen, pasi kanë mungesa të kushteve higjiene-sanitare. Gjatë inspektimeve para çeljes së këtyre institucioneve paraarsimore, Sektori i Higjienës Fëminore-Shkollore-Studentore në Drejtorinë e Shëndetit Publik(DSHP), ka evidentuar problemet higjiene-sanitare, që ndikojnë negativisht në shëndetin, mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të grupmoshave 0-3 vjeç dhe 3-6 vjeç. Shefja e Sektorit të Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Besa Shehu, theksoi se çerdhja nr.11 në Laprakë, kopshti 22 e 39 të Tiranës rrezikojnë të mos hapen gjatë vitit të ri shkollor. Shehu, deklaroi se inspektimet dhe marrja e masave kryhet për të ruajtur shëndetin e fëmijëve në prag dhe të një epidemie gripale që mund të përfshijë vendin me ardhjen e vjeshtës. Në rrethin e Tiranës gjenden 25 çerdhe dhe 49 kopshte publike. Ndërsa kopshte jo publike numërohen 34 të tillë.

Universitetet, nis procesi i lidhjes së emrit me pikët

Nis procesi i lidhjes së emrit të maturantit me pikët që ai ka fituar për të nxjerrë listat e fituesve të universiteteve. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. “Deri në datën 15 shtator do të afishohen listat. Sot (dje) ka filluar veçimi, pra lidhja e emrit me pikët dhe përfundimisht jepen vlerësimet. Përfundimisht punohet për nxjerrjen e listës së fituesve sipas degëve”,- tha Vejsiu. Më tej ai shpjegon dhe disa nga procedurat pas shpalljes së listave të fituesve për në universitete. “Pas shpalljes së listave fillon regjistrimi me një afat kohor të përcaktuar, jo më shumë se një javë. Pas përfundimit të regjistrimeve bëhet bilanci i vendeve vakantë, çka nuk do të thotë se bëhen shtesa artificiale, por shtesat bëhen duke i ngjitur nga poshtë lart. Nëse në preferencën e parë një kandidat është djegur për pak pikë dhe krijohet një vend bosh, atëherë ai mund të futet në varësi të kuotave të mbetura bosh”,- sqaron drejtori i Arsimit Parauniversitar. Këtë vit nga procesi i Maturës Shtetërore rezultoi se rreth 150 maturantë kishin kopjuar, për të cilët është marrë masa e përjashtimit nga viti i ri akademik.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›