Gripi i derrave, spitali i Librazhdit krijon dhomën e karantinës
Spitali rajonal i Librazhdit ka bërë gati dhomën e karantinës, si edhe furnizimin me medikamente, për të qenë i përgatitur në çdo rast të evidentimit të gripit të derrave, pasi është rreth kufitar me Maqedoninë dhe portë hyrëse nga dogana e Qafë Thanës. Drejtori i spitalit, Qemal Roci tha se virusi N1N1, që është i pranishëm në disa vende të globit, është marrë seriozisht nga stafi i këtij spitali.
Çdo ditë dy mjekë, që janë në shërbim 24 orë, evidentojnë çdo rast sëmundjeje në spital. Gjithashtu kemi pajisur me maska të gjithë stafin spitalor, deri edhe sanitaret, që janë në kontakt me të shtruarit apo pacientët", u shpreh Roci, sipas të cilit në dhomën e caktuar për këtë qëllim janë vendosur krevate, aparaturat dhe medikamentet e duhura në rast emergjence. Gjithashtu, sipas tij, çdo ditë para fillimit të punës, mjekët dhe infermierët e këtij spitali konsultohen për ndonjë rast dyshues si edhe për shtrimet, apo urgjencat që janë bërë gjatë natës.