E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësohen procedurat për marrjen e letërnjoftimit



Marrja e letërnjoftimit do të mund të kryhet vetëm me një certifikatë prej ditës së djeshme. Në këtë mënyrë, me vendimin e përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe të Postës Shqiptare, për marrjen e kuponit të letërnjoftimit në zyrat e postës do të mjaftojë fotokopja e certifikatës. Ndërkohë, certifikata origjinale do të përdoret vetëm për të aplikuar për letërnjoftimin.

Posta Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë vendosur krijimin e të tjera lehtësirave për qytetarët që nuk kanë pasaportë. “Qytetarët që kanë humbur pasaportën dhe nuk e kanë deklaruar atë në kërkim të marrjes së kuponit veç formularit të vetëdeklarimit në sportelet e Postës do t’i bashkëngjisë jo certifikatën me fotografi marrë në gjendjen civile të njësive të qeverisjes vendore, por fotokopjen e saj”, – bëri të ditur Posta Shqiptare, duke vazhduar se me certifikatën origjinale ata do të paraqiten në qendrat e aplikimit pranë minibashkive, bashkive dhe komunave për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik.

“Duhet theksuar se qytetarët duhet të paraqiten në zyrat postare, duke pasur me vete certifikatën origjinale dhe fotokopjen e saj në mënyrë që të bëhet njehsimi me origjinalin nga ana e punonjësve të postës. Deri më tani sa u përket shtetasve pa pasaportë që përfitojnë nga vendimi i qeverisë janë 3 mijë qytetarë që kanë marrë kuponët, prej tyre 1 mijë kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit pasi emri i tyre nuk ishte në listat e Ministrisë së Brendshme dhe 2 mijë kanë blerë kuponin sipas listave të dërguara nga kjo ministri”, – deklaroi Posta.

Në zyrat postare ndodhen të gjitha listat e personave pa pasaportë dhe se po zbatohet me përpikmëri vendimi i qeverisë dhe udhëzimi i Ministrisë së Financave. Posta Shqiptare ka hedhur poshtë dje zërat për kaos dhe garantoi të gjithë qytetarët se ka të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet e duhura për të përballuar të gjithë procesin sikurse ka bërë deri më tani prej ditës së parë të nisjes së shitjes s kuponëve.

“Deri më sot vetëm në 551 sportelet e Postës janë shitur mbi 811 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 7 mijë për pasaportat biometrike. Bazuar në marrëveshjen me ISSH-në theksojmë se jo vetëm që pajisja e pensionistëve me kuponë po ecën me ritme të kënaqshme, por dhe janë rimbursuar deri më tani mbi 35 mijë pensionistë”, – deklaroi Posta, duke u bërë sërish thirrje qytetarëve shqiptarë të paraqiten në postë dhe të tërheqin kuponin për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›