E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, konfirmohet viktima e nëntë

28/12/2009  Viktima 25 vjeçare shtatzënë, nuk ka mundur ti rezistojë më shumë se 12 ditë trajtimit mjekësor
Mjekët vijojnë apelin për marrjen e vaksinës, qytetarët tregojnë interes të ulët
Gripi i derrave godet sërish vendin tonë, duke e çuar në nëntë numrin e pacientëve që kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga infektimi me virusin A/H1N1. Autoritet shëndetësore kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se 25-vjeçarja shtatzënë me binjakë ka ndërruar jetë në spitalin e Sanatoriumit në kryeqytet. Prej më se 12 ditësh viktima kishte paraqitur komplikacione të vazhdueshme shëndetësore. Lidhur me këtë rast mjekët kanë deklaruar se, pavarësisht trajtimit të specializuar që i është dhënë në spital, organizmi i saj nuk ka mundur të rezistojë më tej, çka është reflektuar me rëndimin e gjendjes ditë pas dite. Ekspertët e organizmave ndërkombëtare shëndetësore i kanë konsideruar gratë shtatzëna si një ndër kategoritë më të rriskuara për t’u prekur nga ky virus, i cili mund të mbart pasoja fatale për jetën, ndaj dhe është rekomanduar përfshirja e tyre në grupet që duhet të marrin menjëherë vaksinën mbrojtëse. Aktualisht në vendin tonë ka mbërritur në dy numri i viktimave të shkaktuara nga gripi pandemik te gratë shtatzëna. Gjithashtu drejtuesit e spitalit infektiv si dhe atij të mushkërive raportojnë se janë edhe disa pacientë të tjerë që ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët po i nënshtrohen vëzhgimit të rreptë mjekësor. Edhe gjatë ditës së djeshme stafet mjekësore kanë vijuar thirrjen për kategoritë e rriskuara që të paraqiten për marrjen e vaksinës mbrojtëse në urgjencat e spitaleve apo pranë qendrave shëndetësore. Sipas tyre, interesimi i qytetarëve për marrjen e vaksinës duket se ka qenë i ulët, kjo për shkak të mundësisë së shfaqjes së efekteve anësore. Përkundrejt kësaj situate mjekët sqarojnë se marrja e vaksinës është e domosdoshme tek të sëmurët kronikë, fëmijët e vegjël si dhe gratë shtatzëna, si dhe kanë ripërsëritur se kjo vaksinë nuk sjell as një efekt anësor të rrezikshëm. Shifrat e raportuara nga drejtuesit e shëndetit publik mbi përhapjen e këtij virusi në vendin tonë tregojnë se nga ky virus janë infektuar më shumë se 350 pacientë, 9 prej të cilëve kanë humbur jetën. Mosha mesatare e të infektuarve pohohet të jetë nga 15-24 vjeç. Pjesa dërrmuese e rasteve të konfirmuara i përkasin kryeqytetit, të zbuluara pranë spitalit infektiv.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›