Presin me orë 8100 pasagjerët e linjës Bari-Durrës
28/12/2009 Në pritje të qetësimit të stuhisë
Pesë orë kanë qëndruar në det tragetet e linjës Bari-Durrës të mbushur plot e përplot me emigrantë shqiptarë dhe të huaj në pritje të qetësimit të detit. Tragetet janë nisur nga porti i Barit me një interval kohe prej 20 minutash pas njëri-tjetrit dhe më pas janë “bashkuar” pa mundur të mbërrijnë në destinacionin përfundimtar si pasojë e stuhisë dhe dallgëve të larta. Deti në ujërat neutrale ka shkuar deri në 8 ballë dhe era ka ecur me shpejtësi deri në 23-25 m në sekondë, duke paralajmëruar ditë të vështirë për ekuipazhet e trageteve, të anijeve të transportit dhe të anijeve të gjuetisë. Moti i keq me dallgë të larta ka nisur të ndihet në ujërat e Gjirit të Durrësit dhe në Adriatik e Jon që prej tre ditësh duke sjellë vonesa në ardhjen normale të trageteve ditën e Krishtlindjeve dhe në fundjavë. Sipas dispecerisë detare në Durrës, rreth 8100 pasagjerë dhe 3500 vetura janë detyruar të qëndrojnë në tragete për më shumë se 5 orë duke pasur me probleme për fëmijë dhe të moshuar. Tragetet kanë qëndruar afro 15-20 milje detare larg bregut për të shmangur të papritura. Hapësira e ngushtë e vendit të përpunimit të trageteve në portin e Durrësit ka detyruar autoritetet portuale dhe ata të policisë së kufirit të vënë në shërbim rimorkiatorë e mjete të tjera. Kështu Komanda e Forcave Detare ka detyruar kthimin në kalatë të katër peshkatore pasi rrezikonin qëndrimin në gjueti për shkak të dallgëve të forta. Dy motovedeta të rojës bregdetare të Flotiljes së Jugut. Motovedeta R-226 dhe R-227 kanë patrulluar gjatë gjithë kohës për të qenë në gatishmëri. Gjatë javës së mbyllur në portin e Durrësit kanë hyrë rreth 47 mijë emigrantë e turistë si dhe një numër i madh mjetesh.