E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i socialistëve, 5 ligje të rëndësishme i kalojnë 2010-s

28/12/2009  Mbetet pezull hetimi i zgjedhjeve i kërkuar nga PS-ja
Bojkoti i opozitës ka bërë që pesë projektligje të rëndësishme të hartuara gjatë vitit 2009 të kalojnë për miratim për vitin e ardhshëm. Janë projektligje që kërkojnë 84 vota dhe kanë të bëjnë më së shumti me reformimin e sistemit gjyqësor, kusht ky i vënë nga Bashkimi Evropian për proceset integruese të vendit. Por ajo çka është më ironike mbetet projektligji i propozuar nga socialistët për hapjen e kutive, projektligj ky që kërkon shumicë të cilësuar për t’u kaluar në seancë plenare.
Ligji për Gjykatën Administrative, i cili synon të rregullojë marrëdhëniet mes qytetarëve, biznesit dhe qeverisë për masat administrative të marra nga institucione të ndryshme, çështje të cilat kanë hasur në vonesa dhe zvarritje nga ana e gjykatave, do të shqyrtohen pikërisht nga Gjykata Administrative. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u shpreh dje se pranë këtij institucioni është bërë gati struktura e kësaj gjykate dhe janë marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e gjyqtarëve që do të emërohen në gjykatat administrative që do të ngrihen në Tiranë dhe në rrethe. Gjithashtu në sirtarët e deputetëve të Kuvendit mbeten ligjet që kanë të bëjnë me grantin e “Sfidës së Mijëvjeçarit”. Mungesa e votave në Kuvend ka lënë pezull gjithashtu edhe miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Konferencën Gjyqësore dhe, si rrjedhojë, ka mbetur pezull edhe zëvendësimi i dy anëtarëve të KLD-së, të cilëve u ka mbaruar mandati, por në bazë të ligjit duhen të zgjidhen pikërisht nga Konferenca Gjyqësore. Ligji në fjalë ka hasur kundërshtimin e palëve, por sërish nuk është bërë i mundur kalimi ose përmirësimi i tij për shkak të bojkotit.
Kutitë
Kërkohet shumicë e cilësuar
Një tjetër ligj që ka mbetur pezull në Parlament për shkak të mungesës së votave është dhe ai që ka të bëjë me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ligji i hartuar nga socialistët ka marrë firmat e 20 mijë qytetarëve, gjithmonë sipas PS-së, por ende nuk është depozituar në Kuvend. Por edhe në rast se do të depozitohej, sërish kalimi i tij do të kërkonte shumicë të cilësuar, gjë e cila kërkon praninë e socialistëve në sallë.
Ligjet pezull
Ndonëse nuk është përcaktuar një datë konkrete për thyerjen e bojkotit, socialistët kanë paralajmëruar se do të adresojnë në Kushtetuese 5 projektligjet e miratuara gjatë 3 muajve të sesionit të parë të Parlamentit. Bëhet fjalë për ligjin e moratoriumit të skafeve, Inspektoratit Special të Ndërtimit, taksat e biznesit të vogël dhe makinat e deputetëve. Për disa prej tyre socialistët i kanë kërkuar Presidentit mosdekretimin.
Gjykata Administrative
Ligji për Gjykatën Administrative është një ndër ligjet më të pritura nga komuniteti i biznesit. Deri më tani socialistët nuk kanë paraqitur ndonjë kundërshtim në lidhje me këtë projektligj, por mungesa e tyre në sallë ka bërë që miratimi i tij të mbetet pezull. Ky ligj pritet të rregullojë marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit në raste mosmarrëveshjesh mes tyre.
Ligjet e kundërshtuara
Socialistët kanë paralajmëruar se do të adresojnë drejt Kushtetueses 5 nga projektligjet e miratuara gjatë 3 muajve të sesionit të parë të Parlamentit. Bëhet fjalë për ligjin e moratoriumit të skafeve, Inspektoratit Special të Ndërtimit, taksat e biznesit të vogël dhe makinat e deputetëve. Ndërkohë të gjitha këto ligje janë miratuar tashmë, sepse në seancë kalojnë me shumicë të thjeshtë votash.
Thyerja e bojkotit
Janari i vitit 2010 do të jetë muaji që do përcaktojë se çfarë do të bëhet me ligjet e mbetura pezull në Kuvendin e Shqipërisë dhe të cilësuara si shumë të rëndësishme për integrimin. Nga ana e një pjese të socialistëve të cilësuar si kundërshtarë të kryetarit Rama, është deklaruar se brenda janarit të vitit të ardhshëm do të jenë në Kuvend. Gjithsesi, pjesëmarrja e tyre s’do të krijonte shumicën e cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›