Gripi i derrit, ne gjendje te rende edhe pesë persona
Emanuela Sako
Gripi i derrit shfaqet në formën e tij të rëndë te 5 pacientë. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se këta persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohen me Tamiflu në spitalet përkatëse. Në Spitalin Infektiv në Tiranë ndodhen tre persona të shtruar, të dyshuar me virusin A/H1N1. Ndërkohë që janë edhe dy pacientë të tjerë të dyshuar, të cilët janë fëmijë dhe po marrin mjekim pranë Spitalit Pediatrik në QSUT. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se janë paraqitur raste që janë në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Infektiv. Ai shprehet se i tillë është rasti i një vajze 20-vjeçareje. “Ne tashmë kemi edhe raste të shtruara. Kemi edhe raste të rënda nga gripi A/H1N1, siç ishte rasti i një vajze rreth të 20-ve, e cila ishte disa ditë në reanimacion në gjendje të rendë. Tashmë shpëtoi. Është mirë dhe po rikuperohet në spitalin tonë”,- thotë Pipero.
Virusi
Listës së 29 personave të prekur nga virusi A/H1N1 pritet t’i shtohen edhe 9 të tjerë, për të cilët është vërtetuar virus A në laboratorin e virologjisë pranë ISHP-së. Por, përgjigja përfundimtare për AH1N1 pritet javën që vjen nga laboratori i referencës në Bukuresht. Nëse edhe këta persona do të rezultojnë të prekur me virusin gripal situata pritet të jetë më e vështirë përsa u përket përmasave të përhapjes së virusit, pasi numri do të shkojë në 38. I dyshuar për gripin e derrit është dhe një emigrant 45 vjeç që vjen nga Italia, i cili është shtruar në gjendje të rëndë në Sanatoriumin e Tiranës. Sipas mjekëve, pacienti është shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore, me temperaturë të lartë dhe duke qenë konsumues i alkoolit ka shfaqur probleme edhe në organe të tjera përveç mushkërive, ndaj po mbahet me frymëmarrje artificiale. Në Sanatoriumin e Tiranës janë marrë të gjitha masat për izolimin e pacientit.
Problemi
Mjeku Pëllumb Pipero rithekson dhe njëherë problemin e vonesave të analizave nga ISHP-ja, të cilat e vështirësojnë punën e mjekëve në kurimin e pacientëve të dyshuar. Nëse Tamiflu përdoret pa qenë i prekur nga virusi atëherë medikamenti mund të japë efekte anësore. Për të dhënë më tepër efektivitet, medikamenti ka një hark kohor të përshtatshëm që duhet ndjekur nga të gjithë pacientët e prekur. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48-ireshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit.
A/H1N1, mbi 2 mijë viktima në të gjithë botën
Numri i viktimave të shkaktuara nga virusi i gripit të derrit në rang botëror ka kaluar shifrën e 2 mijë personash. Të dhënat janë publikuar dje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku thuhet se 2185 është numri i viktimave të regjistruara në të gjithë botën si pasojë e A/H1N1 dhe 209 mijë janë rastet me komplikacione të rënda shëndetësore për pacientët. Numri më i madh i personave që kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi është regjistruar në Amerikën Veriore dhe atë Jugore, 1876 raste, në Azinë Lindore 139, 85 në Europë, 64 në vendet e Paqësorit, 11 në Afrikë dhe 10 në Lindjen e Mesme. Specialistët po përgatisin vaksinën që do të shërbejë kundër prekjes nga virusi, e cila është eksperimentuar tek disa persona dhe ka rezultuar pozitive, përsa i përket efekteve të dhëna. Shumë vende të botës kanë bërë porosinë për blerjen e vaksinës, me të cilën do të vaksinohen të gjithë vendet e botës. Disa vende kanë bërë porosi vetëm për pjesën më të rrezikuar të popullsisë dhe ata persona që nuk mund ta blejnë vetë vaksinën.
31 Gusht 2009