Mësuesit, ndryshon skema e vjetërsisë në punë dhe kualifikimet
Jonida Tashi
Skema e vjetërisë në punë për mësuesit e sistemit parauniversitar pritet të ndryshojë së shpejti. Ministria e Arsimit ka përgatitur një draft të ri për vjetërsinë e punës në arsim, sipas të cilit, mësuesve do t’u duhen më pak vite pune në këtë sektor për të arritur shkallën sipërore të karrierës. Sipas reformës që parashikon drafti i ri për arsimtarët, vjetërsia në punë nuk do të arrihet më me 25 vite sa është aktualisht, por me 16. Përkrah uljes së vjetërsisë në punë për të siguruar një prej tri shkallëve të kualifikimit, drejtuesit e Arsimit kanë parashikuar ndryshime edhe për këto të fundit. Kështu, pas miratimit të draftit të ri, shkallët e kualifikimit nuk do të jenë më me numra, por me tituj. Mbi bazën e titujve do të bëhet diferenca në pagë për mësuesit, si dhe kualifikimi.
Titujt
“Mësues fillestarë”, “Mësues i licencuar”, “Mësues specialist” dhe “Mësues mjeshtër”, janë katër titujt e përcaktuar në draftin politik të hartuar nga MASH-i për kualifikimin e mësuesve, të cilët do të sigurohen përmes provimeve. Secila shkallë e kualifikimit përshkruhet nga lista e vet e standardeve. Titulli i karrierës është për një lëndë dhe për një grupmoshë të caktuar nxënësve. Një mësues mund të aplikojë për titull kualifikimi për më shumë së një lëndë, ose për më shumë se një grupmoshë nxënësish (që mund të jenë të arsimit të mesëm, të ulët, të mesëm të lartë, ose për specializime të posaçme). Pas titullit më të lartë “Mësues mjeshtër”, një mësues do të ketë detyrimin për të ndjekur disa module që kanë të bëjnë me të rejat e domosdoshme shkencore si dhe metodat e reja të mësimdhënies. Këto të fundit, do të përcaktohen nga politikat kombëtare arsimore. Nëse mësuesi nuk do arrijë të fitojë shumën minimale të krediteve për këto module, atij do t’i pezullohen rolet profesionale. Në draftin e ri është përcaktuar edhe një titull i veçantë për mësuesit me përvojë (onorifik), i cili nuk do të sigurohet duke iu nënshtruar provimit. E mira e këtij titulli për mësuesit që do arrijnë ta sigurojnë qëndron në faktin se ai do të shoqërohet me pagë të posaçme ose me ulje të ngarkesës mësimore.
Aplikimi
Ndryshimi i skemës së kualifikimit do të shoqërohet me reduktimin e kohës për të marrë një titull. Kështu, sipas draftit të ri, mësuesit fillestarë, që sapo janë diplomuar kanë të drejtë të aplikojnë për titullin “Mësues”, që është hapi i parë për tu futur në skemën e kualifikimit, pasi kanë punuar të paktën një vit si mësues, ose e shumta pasi kanë bërë katër vite pune si arsimtar. Ndërkohë që sipas rregullores ende në fuqi për testimin e mësuesve për të fituar një prej tri shkallëve të kualifikimit, një mësues duhet të ketë punuar nga 5 deri në 9 vjet punë për të marrë shkallën e tretë të kualifikimit. Me disa vite më pak është reduktuar koha edhe për titujt e tjerë në arsim. Hartuesit e draftit të ri për kualifikimin e mësuesve kanë përcaktuar edhe kohën që duhet të plotësojë një arsimtar për të kaluar nga një titull në tjetrin. Intervali minimal kohor ndërmjet titujve “Mësues” dhe “Mësues specialist” është 5 vjet, ndërsa midis “Mësues specialist” dhe “Mësues mjeshtër” është 10 vjet. Kalimi nga një titull kualifikimi në atë pasues, do të shoqërohet me një shtesë të caktuar page, e cila do të bazohet në meritat profesionale. Këto merita përkthehen në pjesëmarrje, në trajnime, sigurim kreditesh.
Marrja e titujve
Koha e aplikimit do të vendoset nga çdo arsimtar
Koha se kur një mësues duhet të aplikojë për titull, do të jetë në dorën e çdo arsimtari. Mjafton që ai të ketë plotësuar vitet e nevojshme të punës për marrjen e titullit. Në draftin e ri, i rëndësishëm është fakti se së shpejti mësuesit do të kenë mundësi ta arrijë shkallën më të lartë të kualifikimit 9 vjet më herët se aktualisht. Për rrjedhojë, nga 24-49 vjeç që është aktualisht mosha profesionale e mësuesit për të arritur shkallën më të lartë të kualifikimit, kjo moshë do të ulet në 24-40 vjeç. Sipas hartuesve të draftit, ky ndryshim moshe është më i favorshëm për zhvillim të shpejtë profesional.
Arsimtarët e vjetër
Përfituesit e parë nga shtesat mbi pagë
Rritjen më të madhe të pagës, falë titujve të marrë nëpërmjet testimeve do ta përfitojnë të parët mësuesit me një eksperiencë të gjatë pune, të cilët kanë arritur dhe rezultatet më të larta në provim. Praktika e certifikimit të dijeve për mësuesit do të jetë e përvitshme, në mënyrë që të ndikohet pozitivisht në kualifikimin e njohurive të tyre. Nga ana tjetër, ajo do të ndihmojë mësuesit që kanë aplikuar gjatë këtyre fazave, por nuk kanë marrë pikë kaluese, që të rifuten në testim për të përfituar rritjen e pagës sipas nivelit të përcaktuar.
Drafti i ri
Mosha për shkallët e kualifikimit
Ishte nga 24-49 vjeç
Bëhet nga 24-40 vjeç
Titujt për kualifikimet
“Mësues fillestar”
“Mësues i licencuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”
Shkallët e kualifikimit
Ishte 5 deri në 9 vjet punë për të marrë shkallën e tretë të kualifikimit
Bëhet 1-4 vjet pune për mësuesit fillestar për të aplikuar titullin “Mësues”
Ishte 10 deri në 19 vjet punë për të kaluar në shkallën e dytë të kualifikimit
Bëhet 5 vjet është intervali minimal kohor ndërmjet titujve “Mësues” dhe “Mësues specialist”
Ishte mbi 20 vjet punë në arsim për të siguruar shkallën e parë të kualifikimit
Bëhet 10 vjet është intervali kohor “Mësues specialist” dhe “Mësues mjeshtër”
31 Gusht 2009