E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e doganës për makinat, Shqipëria rrezikon të kthehet në varrezë

Mbi 5 milion makina të vjetra në BE bëhen gati për tregun lindor

Ervin KOÇI

Heqja e taksës doganore për të gjitha automjetet që hyjnë nga vendet e BE-së, do të ketë edhe pasojat e veta për Shqipërinë. Sipas gjasave bërja zero e taksave doganore për automjetet nga BE-ja mund të ndodhë vitin që vjen, sidomos pas kërkesës së përsëritur me insistim nga autoritetet evropiane që i kanë kërkuar shtetit shqiptar të respektojë pikat e MSA-së. Por heqja e taksës doganore për makinat, përveç leverdisë që do të kenë qytetarët pasi çmimet e automjeteve pritet të ulen ndjeshëm, ka edhe disa elementë negativë. I pari është reduktimi i të ardhurave doganore nga vjelja e këtyre taksave që deri tani arkëtonin jo pak në buxhetin e shtetit. Por një rrezik akoma edhe më i madh është ai që mund ta kthejë vendin tonë në një varrezë makinash të vjetra, të cilat prej disa vitesh nuk lejohen më që të qarkullojnë në autostradat dhe rrugët nacionale të vendeve të BE-së.

Makinat e vjetra

Bëhet fjalë për më shumë se 5 milionë makina të vjetra të prodhuara para 20 vjetësh, të cilat vetëm disa vite më parë qarkullonin nëpër rrugët e Italisë, Gjermanisë, Austrisë, Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Bullgarisë, Çekisë dhe vendeve të tjera, të cilat autoritet e BE-së i kanë vënë “vizën e kuqe”. Kjo lloj shenje i ka hequr përfundimisht të drejtën këtyre automjeteve që të qarkullojnë në rrugët kryesore urbane dhe interurbane të BE-së, pasi në të kundërt mjetet bllokohen dhe pronarët gjobiten. Një pjesë e këtyre mjeteve janë në qarkullim në një kohë që një pjesë tjetër qëndrojnë të mbyllura nëpër parkime dhe garazhe, duke pritur pronarët e rinj. Hapja e një pjese të vendeve të Europës Lindore me Bashkimin Europian, dhe pritja e tyre për tu anëtarësuar në këtë komunitet shtetesh, ka sjellë përparësi për mallrat dhe produktet evropiane. Këtë moment presin pronarët aktual të këtyre automjeteve në vendet e BE-së, të cilët si mundësi për shitjen e tyre qoftë edhe me çmime simbolike, shikojnë tregun e vendeve të Lindjes.

Tregu lindor

Tregu shqiptar rrezikon të kthehet në një nga pritësit më të mëdhenj të makinave të vjetra nga vendet e BE-së, në vitet e ardhshme. Vetëm fqinji ynë, Greqia, numëron rreth 150 mijë automjete të përdoruara dhe që kanë shumë vite prodhimi, të cilat pret t’i nxjerrë nga territori i saj pasi nuk përmbushin standardet evropiane mbi ndotjen. Mjetet e transportit shumë vjeçare nuk garantojnë standardin e duhur për mbrojtjen e mjedisit, e për rrjedhojë, Greqia si vend anëtar i BE-së, është e detyruar t‘i heqë nga përdorimi. Rregulli kërkon shkatërrimin e tyre, por mund të ndodhë si rasti i Gjermanisë, e cila një pjesë nga 1 milion automjete të mbledhura i shiti në Lindje. Aktualisht, për shkak të taksave të larta, makinat e vjetra shiten shumë lirë në Perëndim, duke gjetur treg për vendet me standarde të ndryshme sa i takon mjedisit. Një nga këto vende është edhe Shqipëria.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›