E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2010 do të nisë me rritje të re të çmimit të energjisë elektrike

Në muajin shtator OSSH-ja do të aplikojë pranë Entit Rregullator

Ervin KOÇI

Viti 2010 do të nisë me rritje të re të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët në vend. Për herë të parë këtë vit do të aplikojnë për çmim të ri të gjitha subjektet e licencuara, ku përfshihen; kompania e prodhimit, ajo e shpërndarjes si dhe kompania e transmetimit të energjisë. Por, pavarësisht kësaj, kryetari i Entit Rregullator, Bujar Nepravishta, thotë se kjo procedurë e re nuk do të ndikojë në kostot e energjisë që do të paguajë konsumatori të paktën për këtë vit. OSSH-ja do të aplikojë në shtator, pranë ERE-s, për të rritur çmimin e energjisë elektrike për periudhën nga 1 janari - 31 dhjetor 2010. Kryetari i ERE-s, Nepravishta, shprehet se kompanitë kanë afat deri më 30 shtator për të sjellë kërkesën për aplikim. Kjo kërkesë, sipas tij, do të bëhet transparente dhe pas një analize tremujore do të merret vendimi se sa do të rritet energjia. Në dhjetor, sipas Nepravishtës, do të publikohen tarifat e reja. Por, pavarësisht faktit se këtë vit do të aplikojnë tri kompani për çmimin, Bujar Nepravishta thotë se “kjo procedurë e re nuk do të ndikojë në kostot e energjisë që do të paguajë konsumatori”. Ajo çfarë ndikon në çmim, sipas kryetarit, janë kostot e prodhimit, humbjet teknike apo vjedhjet.

Kontrata e re

Pronarët e rinj çekë të OSSH-së do të bëjnë propozim edhe për të ndryshuar kontratën me konsumatorët. Këta të fundit do të kenë së shpejti në duart e tyre një model të ri kontrate për furnizimin me energji, që do t’u mundësohet nga OSSH-ja, tashmë e privatizuar. Modeli i ri i kontratës synon rregullimin e marrëdhënieve dhe njohjen e përgjegjësive mes furnizuesit dhe konsumatorëve. Kreu i ERE-s, Nepravishta, shpjegon në lidhje me këtë se qytetarët do të jenë më të favorizuar dhe me më shumë të drejta. “Bëhet fjalë edhe për detyrimet e palës furnizuese, sikurse dhe për detyrimet e palës që furnizohet me energji elektrike në mënyrë që të rriten këto detyrime nga ana e furnizuesit në shumë aspekte. Për shembull, mund të themi se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, por parashikohet të ketë zhdëmtim në rast të efekteve negative mbi konsumatorin”, - ka thënë kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta. Drejtuesit e kompanisë “OSSH” janë në fazën e pajisjes me matës të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët. Synimi është të shmanget në maksimum faturimi i energjisë aforfe.

Privatizimi

Privatizimi final i OSSH-së te kompania çeke “CEZ” u bë në prill të këtij viti. Sipas kontratës, ndër zhvillimet më të rëndësishme që do të vijnë nga privatizimi është reduktimi i humbjeve. Aktualisht, e gjithë energjia që importohet mbulon humbjet, ndërkohë që “CEZ” ka marrë përsipër që të ulë me 17 për qind në 5 vjet humbjet. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, çmimi i energjisë gjatë vitit 2010 mund të ketë rritje deri në 10 për qind. Ndryshimi pritet nga kostot e prodhimit dhe blerjet e energjisë për vitin e ardhshëm. Përfaqësuesi i BB-së në Tiranë, Demetrios Papathanasiou, i cili është përgjegjës për energjinë, është shprehur se do të ketë rritje të çmimit të energjisë. Sipas tij, konsumatorët mund të lehtësohen nga pagesat nëse qeveria heq TVSH-në nga faturat e energjisë. Për çdo 5 lekë energji të paguar, një lek e merr shteti si taksë. Nëse do të ketë ndërhyrje në TVSH-në e energjisë, atëherë tarifat mund të ulen, por ky mbetet një vendim politik, të cilin mund ta ndërmarrë vetëm qeveria.

TEC-i i Vlorës nis aplikimin pranë ERE-s për tarifat e energjisë

Termocentrali i Vlorës ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë dhe Gazit për vendosjen e çmimit të energjisë elektrike. Kërkesa është pranuar nga EREG në fillim të muajit gusht dhe pritet të merret shumë shpejt vendimi. Në shtator, TEC-i do të nisë punën për prodhimin e energjisë elektrike me lëndë të parë naftën. Sasia e prodhuar do t‘i shitet Furnizuesit Publik me Shumicë (KESH-it). Për këtë arsye, TEC-i i ka kërkuar EREG-së vendosjen e çmimit për energjinë që do të shesë. Kapaciteti i TEC-it është rreth 100 megavat, ndërsa për ndërtimin e tij KESH-i ka shpenzuar mbi 120 milionë euro, mundësuar nga bankat. Megjithatë, nga përllogaritjet e përafërta del se kostoja e megavatit është rreth 75 euro, në varësi të çmimit të naftës.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›