E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS kritika për Ministrinë dhe KLD-në për ndëshkimin e gjyqtarëve

Përfaqësuesit e huaj kërkojnë që sistemi të ndryshojë në mënyrë të menjëhershme. Alternativat që japin të huajt dhe sugjerimi që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Tiranë - Rruga e ndjekur deri më sot për ndëshkimin e gjyqtarëve si nga Ministria e Drejtësisë ashtu edhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk është e drejtë. Të paktën këtë mendim ndajnë specialistët e Misionit evropian i asistencës për sistemin shqiptar të drejtësisë (EURALIUS). Në një studim të fundit ata kanë bërë një rezyme të punës së deritanishme të këtyre dy institucioneve mbi ndëshkimet që janë dhënë deri më tani mbi gjyqtarët. “Nga 350 gjyqtarë që ka Shqipëria gjithsej, janë ndëshkuar 135 prej tyre dhe sërish imazhi për gjyqësorin nuk ka ndryshuar”, thuhet në studimin që kanë bërë të huajt duke argumentuar me shifra pretendimet e tyre për ndryshimet e sistemit të ndëshkimit për togat e zeza. Një nga pikat negative që kanë dalë falë studimit është edhe fakti që si Ministria e Drejtësisë ashtu edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kanë zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e masave disiplinore që janë dhënë në mënyrë të padrejtë.
Studimi
Sipas EURALIUS, sistemi shqiptar i procedimeve disiplinore dhe përgjegjësive të gjyqtarëve nuk përputhet plotësisht me standardet evropiane. Këshilli i Evropës ofron udhëzime të qarta për përgjegjësinë dhe procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve. Disa prej këtyre standardeve evropiane zbatohen në legjislacionin dhe në praktikën shqiptare, por në disa raste ato lihen mënjanë nga ligjbërësit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare. Sipas standardeve evropiane dhe Rekomandimeve të Këshillit të Evropës, sistemi i inspektimit të gjykatës nuk duhet të fokusohet në themelin apo saktësinë e vendimeve të atyre që kërkojnë drejtësi. Specialistët e huaj kanë argumentuar se gabimet gjyqësore, qofshin këto në lidhje me juridiksionin apo procedurën, për të siguruar apo zbatuar ligjin ose për të vlerësuar atë duhet të trajtohen në apel apo rekurs në Gjykatën e Lartë, jo nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Jo çdo shkelje e rregullave të disiplinës mund të përfundojë me një procedim disiplinor. “Nëse masa disiplinore dhe shkalla e disiplinës që do të merret janë të përshtatshme apo jo, kjo duhet të përcaktohet nëpërmjet zbatimit të arsyeshëm dhe të
arsyetuar të teksteve ligjore dhe duhet të varet nga faktorë siç janë rëndesa e shkeljes, ekzistenca apo jo e një modeli veprimtarie të papërshtatshme dhe efekti i veprimtarisë
së papërshtatshme mbi të tjerët ose mbi sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e publikut. Në shumë raste, masa informale mund të mjaftojnë për të zgjidhur problemin”, thuhet në studim.
Ndëshkimet
Sipas studimit ka rezultuar se procedimet disiplinore janë përdorur gjerësisht në vitet e fundit. Sipas statistikave të
dhëna nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përafërsisht 135 gjyqtarë kanë marrë masa disiplinore pas një procedure disiplinore nga viti 1997 e deri më tani. “Duke pasur parasysh që në Shqipëri ka rreth 370 gjyqtarë shifra është shumë mbresëlënëse”, thuhet në studim. Nga viti 2001 deri në 2008 për rreth 25 gjyqtarë është dhënë masa më e rëndë disiplinore “shkarkim nga detyra” nga KLD bazuar në një propozim të Ministrit të Drejtësisë. “Nëse këto vendime të KLD janë të drejta apo jo nuk ka takon neve të shprehemi; megjithatë këto shifra tregojnë që procedimet disiplinore nuk janë zgjidhja për të “pastruar” sistemin e drejtësisë nga “gjyqtarët e këqij” dhe për të përmirësuar imazhin e sistemin të drejtësisë”, janë shprehur përfaqësuesit e huaj. Sipas tyre, një vend demokratik
me besim të fortë tek institucionet e pavarura duhet të mendojë për mjete të tjera për të përmirësuar pushtetin gjyqësor, si për shembull trajnimi më i mirë i gjyqtarëve, një proces transparent i emërimit dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve dhe sidomos një
sistem i mirë dhe i drejtë vlerësimi.

Rekomandimet
Reforma legjislative duhet të ketë të paktën përmbajtjen e mëposhtëm:
a) Në ligj duhet të përfshihet një parim i përgjithshëm për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit. Gjyqtarët nuk do të disiplinohen për interpretimet e tyre gjyqësore ose për
mënyrën sesi e zbatojnë ligjin. Shërbimi i Inspektimit nuk duhet të hetojë ankesa që prekin themelin e vendimit.
b) Duhet të prezantohen rregulla të qarta për mënyrën sesi gjyqtari, qytetari që ankohet ose palë të tjera të interesuara mund të prezantojnë prova gjatë procedurës disiplinore të një gjyqtari përpara KLD.
c) Gjithashtu është e nevojshme të përfshihen rregulla për vlerësimin e provave dhe barrën e provës. Akuzat e një ankese në një procedim disiplinor gjyqësor duhet të provohen me prova të qarta dhe bindëse dhe barra e provës për të verifikuar shkelje
disiplinore nga gjyqtari i përket autoriteteve publike që janë pjesëmarrëse në procedim disiplinor.
ç) Duhet të prezantohen më shumë sanksione disiplinore për çdo kategori të shkeljeve. KLD duhet të ketë mundësi të zbatojë sanksione të ndryshme për të siguruar zbatimin korrekt të parimit të proporcionalitetit
Duhet të prezantohen rregulla që lidhen me zbatimin e sanksioneve disiplinore si dhe rregulla sesi të procedohet kur Gjykata rrëzon vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
e) Duhet të bëhet një përkufizim më i saktë i shkeljeve disiplinore ku të mbahen parasysh rrethanat objektive dhe subjektive
f) Një dispozitë ligjore duhet të përcaktojë që për interpretimin e dispozitave ligjore në lidhje me procedurat disiplinore duhet të merren parasysh elementët e mëposhtëm: pasojat e shkeljes, kohëzgjatja e pasojave, sjellja subjektive e gjyqtarit kundrejt shkeljes dhe ekzistencës apo jo të një modeli sjelljeje nga gjyqtari. (Doktrina e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë)
g) Një komision i përbërë nga disa anëtarë brenda Këshillit duhet të përgatisë dhe të drejtojë gjithë procedurën, përfshirë këtu mbledhjen e provave, në mënyrë që t’i paraqesë në seancë plenare në mënyrë të qartë.
3) Inspektorët, gjyqtarët dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të trajnohen për standarde evropiane në këtë fushë dhe për doktrinën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›