Gripi i derrit, spitalet asnjë masë
Tashmë kur edhe në vendin tonë janë evidentuar rastet e para të prekjes nga gripi i derrit AH1N1, ende në spitalet e rajonit të Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, nuk janë marrë masa për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Aktualisht në këto spitale puna vazhdon krejt normalisht si edhe më parë, ku nuk bie në sy asgjë që të tërheqë vëmendjen e pacientëve dhe banorëve, për ruajtjen e tyre nga virusi i rrezikshëm. Kështu, personeli i shërbimit në këto spitale punon pa mjete mbrojtëse si: maska, doreza, përparëse etj., si edhe mungojnë fletëpalosjet për sensibilizimin e banorëve për ruajtjen nga virusi. E njëjta situatë vërehet edhe në të vetmen doganë të këtij qarku, atë të Bllatës në rrethin e Dibrës, ku puna vazhdon normalisht si për çdo ditë, pa shtim të masave të kontrollit, edhe pse të ardhurit nga shtetet fqinje të Maqedonisë dhe Greqisë, mbeten një rrezik potencial i mbartjes së virusit. Deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i dyshuar për prekjen nga gripi i derrit, por mjekët pohojnë se ndihen në vështirësi edhe për sa i takon ekzaminimit të virusit, pasi mungojnë aparaturat e duhura për analiza të sakta në këtë drejtim. Ndërkohë, mësohet se vetëm në spitalin rajonal të Peshkopisë, ka doza "Tamiflu" për emergjencat e pritshme, ndërsa në të gjitha spitalet e tjera të rajonit ato mungojnë. Po kështu, asnjë lloj trajnimi dhe sensibilizimi, për profilaksinë e sëmundjes nuk është bërë, qoftë edhe me personelin mjekësor të këtyre spitaleve.