E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një paqe që do të zgjasë

Partneriteti i Izraelit me SHBA-në është njëra nga pasuritë më të mëdha strategjike që ka ky shtet. SHBA-ja i jep Izraelit ndihmë tejet të rëndësishme sigurie dhe ekonomike, si edhe përkrahje politike në arenën ndërkombëtare. Në mes të rivendosjes legjitime të marrëdhënieve, të cilën Presidenti Obama e ka nisur me botën arabe dhe myslimane, është e rëndësishme të mos nënçmohet natyra e marrëdhënieve të SHBA-së me Izraelin, e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme, principet themeluese të së cilës janë të bazuara në vlerat perëndimore të lirisë për të gjithë. Gjatë kohës së Kryeministrit Ariel Sharon dhe administratës sime pas tij, ne, së bashku me Presidentin George W. Bush, i përmirësuam marrëdhëniet e Izraelit me SHBA-në në të gjitha nivelet dhe në shumicën e çështjeve. Ky përparim u bazua në mirëkuptime të thella dhe të çiltra, edhe në të shkruar edhe në të folur. Gjatë intifadës së dytë, Amerika dha përkrahje të paparaparë për luftën e Izraelit kundër terrorizmit palestinez dhe për ndërtimin e barrierës së sigurisë nga ana e Izraelit. Së bashku, ne e përfytyruam "zgjidhjen dyshtetëshe" si mënyrën e vetme për t‘i dhënë fund konfliktit, duke e adoptuar dhe zbatuar "hartën e rrugës" dhe rezultatet e saj. Me një shumicë të madhe, Kongresi e miratoi letrën e Presidentit Bush në vitin 2004, ku shqyrtohej e drejta e Izraelit që ta mbrojë veten, e vetme, kundër çfarëdo kërcënimi dhe pranohej realiteti i ri në terren, në të cilën qendrat e popullatës çifute në Bregun Perëndimor do të mbeteshin pjesë e pandashme e shtetit të Izraelit në çfarëdo marrëveshjeje të ardhshme për statusin permanent. Amerika pranoi se e ardhmja e shtetit të ardhshëm palestinez do të paraqiste zgjidhje për refugjatët palestinezë, duke i rivendosur aty e jo në Izrael. Në nëntor të vitit 2007, Izraeli, Autoriteti Palestinez dhe administrata e Bushit u mblodhën në Annapolis me cakun e përbashkët për të zgjidhur të gjitha çështjet e diskutueshme. Annapolisi e dha kornizën për negociata direkte në mes Izraelit dhe palestinezëve drejt përfundimit të konfliktit dhe të gjitha mosmarrëveshjeve. Sidoqoftë sot, në vend të një procesi politik, çështja e ndërtimit të vendbanimeve e drejton axhendën në mes SHBA-së dhe Izraelit. Ky është një gabim, i cili nuk i shërben as procesit me palestinezët, e as marrëdhënieve në mes të Izraelit dhe botës arabe. Aq më shumë, ka potencial që t‘i shkundë edhe marrëdhëniet në mes Izraelit dhe SHBA-së. Vendbanimet janë një çështje e njohur e zënkës në mes Izraelit dhe SHBA-së; edhe pse Amerika nuk e ka përkrahur ndërtimin e tyre, në disa raste i ka njohur realitetet, të cilat janë zhvilluar që 40 vjet. Sharon arriti pajtime me administratën e SHBA-së kur ishte në fjalë rritja dhe ndërtimi i vendbanimeve, si pjesë e hartës së rrugës. Këto pajtime përfshinin: nuk do të ndërtoheshin vendbanime të reja; nuk do të ndahej apo konfiskohej tokë e re për ndërtim të vendbanimeve; çfarëdo ndërtimi në vendbanime do të jetë përbrenda vijave të tashme të ndërtimit; nuk do të ketë provizion për stimule ekonomike, të cilat promovojnë rritjen e vendbanimeve; postet jo të autorizuara, të ndërtuara pas marsit të vitit 2001 do të çmontoheshin (një zotim të cilin, vajtueshëm, Izraeli ende nuk e ka përmbushur). Këto pajtime dhanë një platformë për të punuar dhe, sipas mendimit tim, një baraspeshë të duhur për elemente thelbësore të stabilitetit dhe normalitetit për izraelitët, të cilët jetojnë nëpër këto vendbanime derisa të përcaktohet e ardhmja e tyre në një marrëveshje të statusit permanent. Unë i adaptova këto pajtime dhe i përcolla në koordinim të afërt me administratën e Bushit. Aq më shumë, gjatë përgatitjes për Annapolis dhe gjatë takimeve atje, unë ua shqyrtova administratës së SHBA-së dhe udhëheqësisë palestineze se Izraeli do të vazhdonte të ndërtonte nëpër vendbanime në pajtim me kriteret e paraqitura më lart. Më lejoni të qartësohem: pa këto pajtime, procesi i Annapolis-it nuk do të kishte marrë kurrfarë forme. Andaj, përqendrimi në ndërtimin e vendbanimeve tani nuk është i dobishëm. Tani, këmbëngulja në ngrirjen komplete të ndërtimit të vendbanimeve, i pamundur të zbatohet në tërësi, nuk do t‘u ndihmojë përpjekjeve palestineze që të rriten masat e sigurisë; ndërtimit të institucioneve, i cili është aq i rëndësishëm për zhvillimin e një shteti palestinez; lëvizjes më të mirë dhe qasjes më të gjerë për palestinezët; e as një ekonomie të përmirësuar në Bregun Perëndimor. E, as nuk do ta dobësojë qeverinë e Hamasit në Gazë. Nuk do t‘i sjellë siguri më të madhe Izraelit, nuk do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të Izraelit me botën arabe, nuk do t‘i fuqizojë koalicionet e shteteve jo radikale arabe apo të ndryshojë baraspeshën strategjike në Lindjen e Mesme. Vetëm një proces politik, i cili kërkon vendime guximtare nga udhëheqësit e të dy anëve, do të sjellë një zgjidhje për çështjen e vendbanimeve. Deri në këtë ditë, nuk mund të kuptojë pse udhëheqja palestineze nuk e pranoi propozimin e paparaparë, të cilën ua ofrova. Propozimi im përfshiu një zgjidhje për të gjitha çështjet e diskutueshme: kompromisin territorial, aranzhimet për siguri, Jerusalemin dhe refugjatët. Do t‘ia vlente t‘i hulumtojmë arsyet pse palestinezët e refuzuan ofertën time dhe në vend të kësaj preferuan t‘i zvarrisin këmbët, duke iu shmangur vendimeve të vërteta. Propozimi im do të ndihmonte në realizimin e zgjidhjes "dyshtetëshe" në përputhje me principet e administratës së SHBA-së, qeverisë së Izraelit, të cilën unë e udhëhoqa dhe kritereve që i ka përcjellë udhëheqja palestineze me vite të tëra. Besoj se është shumë e rëndësishme të rishikohen mësimet nga refuzimi i një oferte të tillë nga palestinezët. Përqendrimi në ndërtimin e vendbanimeve, derisa shpërfillen pajtimet e arritura më herët, në mënyrë të padrejtë e heq fokusin nga një proces i vërtetë politik dhe nga zgjidhja e çështjeve të vërteta strategjike me të cilat përballet rajoni. Ndërtimi i vendbanimeve duhet të hiqet nga agjenda publike dhe të zhvendoset në një dialog diskret, ashtu si në të kaluarën. Kjo do t‘i përmirësonte marrëdhëniet tona bilaterale dhe do të na lejonte të merremi me çështjet thelbësore: parandalimi i Iranit që të ndërtojë armë nukleare; eliminimi i terrorizmit të ekstremizmit islamik; dhe krijimi i dialogut të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Izraelit dhe botës arabe. Koha për t‘u përballur me këto çështje aq të rëndësishme po ikën. Ne nuk mund ta shpenzojmë këtë kohë të cilën nuk e kemi me çështje që nuk janë prioritet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›