NGA VARET GJYQESORI SHQIPTAR?
Pak ditë më parë, në të njëjtën faqe të gazetës "Shqip", botoheshin disa lajme që lidheshin me drogën. Njëri syresh fliste për policinë me kosore në dorë, që asgjësonte disa parcela andej nga Kruja, tjetri për një proces ku ishin dënuar nja dy kultivues kanabisi, një tjetër për arrestimin e dy shpërndarësve në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë, të cilët ishin kapur me nga 7 gramë heroinë. Në krye të faqes ishte lajmi që Gjykata e Lartë i kishte ndryshuar masën e sigurisë, nga arrest burgu në hetim të lirë, për një të akuzuar për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë.
Do të mjaftonte leximi i këtyre lajmeve për të parë se me ç‘standarde funksionon drejtësia shqiptare. Natyrisht që vendimi i Gjykatës së Lartë u komentua në media dhe, së paku, ata që shkruan shprehën habinë për faktin se si është e mundur që, një i akuzuar për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë, të lirohet nga burgu pa përfunduar hetimi. Këto komente, kryetarja e Gjykatës së Lartë i kontestoi fuqishëm dhe, përmes një komunikate, i renditi në listën e presioneve që po i bëhen sot gjyqësorit shqiptar.
Në fakt, mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe krijimi i kushteve për të punuar në një vakum presionesh politike e kriminale, kanë qenë shpesh edhe në fokusin e diplomacisë së huaj në Shqipëri. Në mënyrë sistematike, gjykatësve u është ofruar mbështetje pa kufi, për të mos u lëkundur në punën e tyre për të dhënë drejtësi, për të zbatuar ligjin, për të mos iu dorëzuar presionit politik apo çfarëdolloj presioni tjetër. Nuk do të guxonim të përfshiheshim në çështje teknike dhe terma juridikë rreth "gjykimit të gjykatës", por si vëzhgues të produktit final të drejtësisë, ne mundemi të arsyetojmë se sa e pavarur është gjykata shqiptare.
Ne nuk e dimë se çfarë provash ka për ta dënuar apo jo tregtarin fierak, i cili u arrestua së bashku me tre persona të tjerë (të cilët janë ende në qeli). Por ai u la i lirë pikërisht nga Gjykata e Lartë, pa iu verifikuar ende fajësia apo pafajësia. Dhe, përderisa një njeri i akuzuar për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë hetohet në gjendje të lirë, a nuk kemi të drejtë ne të pyesim se, përse janë ende në burg shpërndarësit e "Myslym Shyrit" me 7 gramë heroinë?
Ne jemi dëshmitarë të masakrës juridike mbi një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në këtë vend pas rrëzimit të komunizmit, tragjedisë së Gërdecit. 26 njerëz u vranë, mbi 250 u plagosën, disa fshatra u rrafshuan - një katrahurë të tillë nuk e kishim parë kurrë të ndodhte, vetëm si pasojë e babëzisë për para të një grushti njerëzish. Gjykata e Lartë e ndau më dysh çështjen. Fatmir Mediu do të gjykohet pranë kësaj gjykate, ndërsa 26 të tjerët në Gjykatën e Tiranës. Procesi u nda, edhe pse të gjithë ata akuzohen për të njëjtin krim dhe dëshmitë e akuzat kundër tyre janë të shkruara të gjitha në të njëjtën dosje. Ajo që ne kemi parë deri tani është se, asnjë prej proceseve nuk ka filluar, ndërsa familjarët e viktimave, një grup grash të veshura me të zeza, qëndrojnë në heshtje në sallë, ndërsa dëgjojnë gjykatësit të njoftojnë shtyrjen e seancës. Ato shikojnë se si drejtësia tallet, në mënyrën më të turpshme, me gjakun e njerëzve të tyre.
Ne jemi dëshmitarë se si Gjykata e Lartë e shkatërroi procesin ndaj Lulzim Bashës dhe i vuri vulën e mbylljes një prej çështjeve më të përfolura korruptive të qeverisjes se Kryeministrit Berisha.
Ne jemi dëshmitarë se si prej më shumë se dy vjetësh Gjykata e Krimeve të Rënda nuk po e fillon procesin gjyqësor ndaj Bandës së Durrësit, e njohur si Banda e Lul Berishës. Dhjetëra krime të bandës famëkeqe duhej të ishin zbardhur e ndëshkuar, por gjykatësit vazhdojnë t‘u binden verbërisht ca fletushkave mjekësore që avokatët i paraqesin si justifikime shëndetësore.
Nuk e harroj fytyrën e një burri, që me letra në duar kërkonte drejtësi redaksive të gazetave. Një kamionçinë i kishte vrarë gruan në rrugë dhe 20 metra më tej, edhe vajzën. Ekspertiza e kishte nxjerrë kamionin me shkelje teknike, pa frena e me shpejtësi të madhe, por shoferi u lirua se ishte biznesmen. Nëse do t‘u hyjmë arkivave, nuk do të ketë gazetë t‘i përmbledhë të zezat e gjykatave shqiptare, të cilat jo më kot vazhdojnë të jenë në krye të listës së korrupsionit në sondazhet e ndryshme.
Për të gjitha këto, e shumë më tepër se këto, juristët mund të kenë justifikime në letra, por ajo që ne shikojmë është se këtu nuk bëhet drejtësi. Ne po shikojmë se, sa më i madh të jetë krimi, aq më e mundshme është të marrësh pafajësi. Gjykata është perëndia në tokë, thonë juristët, por për drejtësinë e munguar ne nuk mund të akuzojmë Drejtorinë e Pyjeve apo atë të Mjedisit, meqë perënditë janë hyjnore.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, përmes një deklarate dy ditë më parë, fliste për presione të ndryshme në adresë të tyre dhe kërkonte që gjykatësit të lihen të qetë të bëjnë drejtësi. Ne jemi plotësisht dakord me këtë, por më parë gjykatësja duhet të thotë se nga kush dhe për cilën çështje janë bërë presione. Për drogën, për Bashën, Mediun, Bandën e Durrësit? Nëse këto vendime janë vërtet produkt i presioneve politike, atëherë duhet që dikush të mbledhë forcat e ta denoncojë këtë presion. Nëse këto vendime kanë qenë produkt i presioneve të krimit, atëherë duhet të dalë një gjykatës e të mbledhë forcat, duke mos iu bindur krimit. Por ne e dimë se krimi vret atëherë kur nuk çan rrugën paraja, e deri tani asnjë gjykatës nuk ka qenë shënjestër e krimit. Edhe një anëtar i Gjykatës se Lartë që u plagos me armë, u plagos për shkaqe që nuk kishin asnjë lidhje me të bërit drejtësi. Në këto kushte, drejtuesit e gjyqësorit duhet të saktësojnë dhe denoncojnë, nëse janë nën presionin e politikës, krimit apo parasë. Referuar shumë vendimeve dhe raporteve, tashmë ne e dimë që gjyqësori nuk është i pavarur. Atëherë nga varet ai: nga politika, krimi apo paraja?