Tekstet, këtë vit subvencioni vetëm për shkollat 9-vjeçare
Këtë vit tekstet shkollore do të subvencionohen vetëm për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Gjimnazet nuk do të marrin rimbursimin e parave me përjashtim të nxënësve që përfitojnë asistencë sociale. Këta të fundit në momentin që blejnë librat duhet të tërheqin faturën tatimore, në mënyrë që më pas të përfitojnë subvencionimin. Ndërkaq, MASH ka udhëzuar të gjitha shtëpitë botuese të punojnë më mirë se vitin e kaluar për furnizimin e nxënësve me tekste shkollorë. “Komisioni i Miratimit të Teksteve në MASH siguron të gjithë prindërit dhe nxënësit se kanë dalë nga shtypi të gjithë tekstet mësimore të arsimit nëntëvjeçar të detyruar, tekstet e gjimnazit si dhe të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional”, sqaron MASH. Për të gjitha tekstet thuajse ka alternativa. Numri i përgjithshëm i tyre është afërsisht 600. “Për herë të parë, klasa e parë e gjimnazit do të punojë me program dhe tekste krejtësisht të reja, disa prej të cilave janë përkthime të teksteve të huaja nga shtëpitë botuese më të mira”, sqarojnë specialistët. Pjesë e këtij grupi janë lëndët e profilit Natyror si Fizika, Matematika, Kimia e Biologjia. Këto tekste do të jenë unike në të gjithë vendin. Një tjetër ndryshim është futja e lëndëve me zgjedhje në gjimnaze. Disa prej tyre janë të vështira dhe për një grup të caktuar nxënësish, ndërsa të tjera janë tejet të asimilueshme e deri diku edhe argëtuese. Kështu nxënësit më të mirë do të kenë mundësi të zgjedhin matematikën e avancuar ose letërsinë e avancuar si lëndë me zgjedhje. Të tjerë mund të zgjedhin foto-shopin, teknologji informacioni apo kërcimin. Ky ndryshim vjen edhe në kuadër të strategjisë së re të miratuar nga Qeveria disa muaj më parë. Në të thuhet se kurrikulat duhet të përshtaten me ato të vendeve të BE në mënyrë që nxënësit t’i asimilojnë sa më kollaj. Tekstet do të blihen në libraritë pranë shkollave, të cilat kanë afishuar dhe tekstin alternativ që ka zgjedhur çdo shkollë. “MASH i fton prindërit të fillojnë blerjen e librave dhe të mos harrojnë tërheqjen bashkë me librat edhe të faturës tatimore, për të përfituar nga subvencioni shtetëror”, thuhet në deklaratën për mediat të këtij dikasteri. Procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore ka filluar në të gjithë vendin, për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe pritet që të përfundojë para fillimit të vitit të ri shkollor, kur do të jetë gati edhe alterteksti. Pra, brenda datës 14 shtator të gjithë nxënësit do të kenë mundësi t’i kenë në duar. Këtë vit përpara ribotimit të teksteve janë korrigjuar edhe një pjesë e mirë e gabimeve që ishin evidentuar në to.