E Diel, 1 Nëntor 2026

Detyrimet e MSA-së, BE-ja i kërkon qeverisë heqjen e taksës doganore për makinat

Financat, gati të rishikojnë skemën për ta hequr taksën vitin që vjen

Taksa doganore për automjetet që shqiptarët blejnë nga jashtë vendit do të na thotë “lamtumirë” vetëm vitin që vjen (2010). Ky nuk është një propozim i bërë nga autoritetet shqiptare, por një kërkesë që Komisioni Europian ia ka drejtuar qeverisë tonë si një prej kushteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. KE-ja e shikon me shqetësim faktin se shtetasit shqiptarë nuk paguajnë taksa për automjetet që blejnë brenda vendit, ndërsa ndodh e kundërta me importin. Gjatë takimit të radhës, të zhvilluar pak kohë më parë në Bruksel, grupi i punës diskutoi, ndër të tjera, edhe problemin e taksave të larta për automjetet që vijnë nga jashtë. Mësohet se pala shqiptare ka marrë rekomandime për të rishikuar politikën e taksave doganore në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Shqetësimi i KE-së lidhet me faktin e aplikimit të taksave në mënyrë jo të barabartë mes shtetasve të saj dhe palës shqiptare, në një kohë që MSA-ja sanksionon liberalizim të plotë, konkurrencë të lirë dhe kushte të barabarta. "Nuk është e drejtë që për një makinë të blerë në një vend të BE-së të paguhet taksë doganore importi, ndërsa kur shitet dhe blihet brenda Shqipërisë nuk paguhet asnjë detyrim. Ky raport duhet të ndryshojë. Ose të paguajnë të gjithë taksa, ose të hiqet fare", - mësohet të ketë thënë një nga zyrtarët e Brukselit në takim. Taksa e importit për automjetet kap vlera deri në 250 mijë lekë, në varësi të vitit të prodhimit dhe kapacitetit motorik. E vetmja taksë që aplikohej për mjetet e shitura në Shqipëri ishte ajo e regjistrimit, që nuk shkonte më shumë se 10 mijë lekë. Por, edhe këtë taksë qeveria e ka shfuqizuar në muajin shtator të vitit të kaluar. Krijimi i këtij raporti jo të barabartë ka detyruar Bashkimin Europian të parashtrojë kërkesën për rishikim të kushteve.

Kërkesa e BE-së

Shqiptarët paguajnë taksa për makina të blera në Bashkimin Europian dhe aspak për ato që shiten brenda vendit. Ky raport nuk duket i drejtë për Brukselin, i cili sugjeron ndryshimin e skemës. Në morinë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj MSA-së (firmosur në qershor 2006), është edhe liberalizimi i plotë i tregtisë, ose operimi në kushte të barabarta. Deri tani nuk shihet ndonjë vullnet nga ana e qeverisë shqiptare për të ulur taksën doganore për makinat e importuara. E shumta që mund të bëjë është rritja e saj për makinat e vjetra që ndotin ambientin. Pikërisht kjo taksë ka përplasur palët në grupin e punës. Edhe pse është vendosur nga ne si mjet për të ulur ndotjen, aplikimi i taksës së mjedisit shikohet me dyshim nga BE-ja. Duke parë kërkesat e vazhdueshme, qeveria po përgatitet të rishikojë kuadrin ligjor. Lidhur me këtë pikë, Ministria e Financave sqaron se, do të hartohet një mekanizëm i ri për llogaritjen e taksës doganore, pa prekur TVSH-në.

Afatet e MSA-së

Pavarësisht debatit, Shqipëria është e detyruar të gjejë zgjidhjen e duhur brenda afateve të caktuara në MSA. Sikurse e parashikon marrëveshja, të paktën brenda vitit 2011, tregtia mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së duhet të funksionojë me kushte të barabarta dhe në liri të plotë (pa taksa). "Gjithsesi, pavarësisht rekomandimeve, TVSH-ja për automjetet do të qëndrojë e njëjtë, 20 për qind. Ajo çka duhet rishikuar është taksa për ndotjen në mjedis", - sqarojnë zyrtarët e Ministrisë së Financave.

Llogaritja, sa paguhet taksë për automjetin

a) Taksa e importimit të autoveturave llogaritet sipas formulës së mëposhtme:

1- Taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit;

2- "Taksa fikse" për çdo autoveturë me benzinë është 20000 (njëzet mijë) lekë, ndërsa për çdo autoveturë me naftë 25000 (njëzet e pesë mijë) lekë.

3- "Cilindrata e motorit" është vëllimi i dhomës së djegies së motorit, i shprehur në centimetër kub (cm³).

b) "Koeficientet e viteve të përdorimit" janë si më poshtë:

1- deri në 2 vite nga data e prodhimit: 0,0016

2- mbi 2 deri në 4 vite nga data e prodhimit: 0,0024

3- mbi 4 deri në 7 vite nga data e prodhimit: 0,0029

4- mbi 7 deri në 10 vite nga data e prodhimit: 0,0032

5- mbi 10 vite nga data e prodhimit: 0,0048

Me "vite përdorimi" kuptojmë diferencën ndërmjet vitit kur mjeti hyn për qarkullim të lirë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, me vitin e prodhimit

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›