Gripi i derrave, mjekët: Në shtator presim raste të rënda
Gripi i derrave do veprojë me egërsi në muajn shtator dhe pacientët do ta kalojnë në forma më të rënda. Këtë e pohojnë specialistë të Infeksionit, të cilët theksojnë se dikush që e kalon tani gripin e derrave, e ka shumë më të lehtë se dikush që e kalon në shtator. Madje, pozitiv është fakti se ai që e kalon gripin e derrave një herë, nuk i bie më kurrë. Shefi i Shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja, shpjegoi për gazetën arsyet se përse në muajt në vijim virusi AH1N1 do të veprojë më ashpër se këto muaj. "Në muajt shtator dhe tetor do të vijnë virozat e stinës, çka do të thotë se do të ketë shumë persona me gripin e zakonshëm. Kjo do të sjellë edhe faktin se gripi i derrave do të veprojë më ashpër tek personat që i prek. Pra, do të ketë më shumë persona që do ta kalojnë në formë të rëndë gripin e derrave,"- pohon Kraja, duke shpjeguar se nëse tani, nga 100 të prekur nga gripi i derrave vetëm një e kalon në formë të rëndë, në muajt në vijim, nga 100 të prekur mund ta kalojnë rëndë 4 ose 5 persona. Ndërkohë, Kraja dha një lajm shumë të mirë për personat që e kanë kaluar gripin e derrave, sepse sipas tij, atyre nuk do t'u bjerë kurrë më virusi AH1N1. "Në fakt, nuk ndodh që një personi t'i bjerë dy herë gripi i derrave. Nëse dikush e ka kaluar, duhet të rrijë i qetë, sepse kurrë nuk do t'i bjerë më", - thekson Dhimitër Kraja. Këtë ai e shpjegon me faktin se një person që ka kaluar virusin AH1N1, ka krijuar imunitet. "Një person i prekur nga ky virus, ka krijuar antikorpe në rrugët e frymëmarrjes, çka do të thotë se gripi i derrave nuk e prek më",- pohon Kraja.
*******
12 gusht
Gripi i derrit, i dyshuar një fëmijë 4-vjeç
TIRANË- Instituti i Shëndetit Publik pret konfirmimin për dy raste të tjera të dyshuara me gripin e derrit, analizat për të cilën në vendin tonë kanë dëshmuar praninë e virusit A.
Për herë të parë ka dyshime për praninë e virusit në një fëmijë 4-vjeç, pasi deri tani grupmosha e prekur ka rezultuar 15-59-vjeç.
Analizat janë dërguar në laboratorin e referencës në Rumani për të konfirmuar nëse kemi të bëjmë me virusin A/H1N1, ndërkohë që të tjera mostra janë marrë për analiza.
Tamifluja
Ndërkohë që në vendin tonë ka mbërritur në 12 numri i të prekurve me virusin A/H1N1, shkencëtarët këshillojnë se përdorimi i tamiflusë sjellë pasoja negative tek fëmijët dhe rekomandojnë mospërdorimin e këtij medikamenti.
Shkencëtarët në Britani po paralajmërojnë që fëmijëve të mos u jepen ilaçe si Tamiflu, duke thënë se këto barna mund t'u sjellin fëmijëve më shumë dëme sesa të mira.
Ekspertë nga universiteti i Oksfordit thonë se ilaçe si Tamiflu pakësojnë kohëzgjatjen e gripit tek fëmijët vetëm me një ditë, por nuk i çlirojnë ata nga simptoma të tilla si astma dhe infeksioni në vesh.
Shkencëtarët gjithashtu thonë se trajtimet e gripit me barna si Tamiflu mund të shkaktojnë të vjella, të cilat çojnë në humbjen e lëngjeve të trupit tek fëmijët.
Ekspertët thonë se studimi i tyre vlen për gripin stinor, por ata mendojnë se rezultatet janë të vlefshme edhe ndaj gripit pandemik që shkaktohet nga virusi A-H1N1.
Gripi, arrin në 12 numri i të prekurve në vend
TIRANË- Pas dyshimeve për të tjera raste me virusin A/H1N1, përgjigja e analizave ka konfirmuar edhe 4 raste të tjera, duke e çuar kështu në 12 numrin e personave të prekur me këtë virus në vendin tonë.
Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se laboratori i referencës në Rumani ka konfirmuar 4 raste të tjerë mes mostrave të dërguara për analiza.
Një ditë më parë specialistët shprehën dyshimin se gripi i derrave mund të ketë prekur 39 persona në vendin tonë, ndërkohë që dy pacientë të dyshuar janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Këtë e pohuan mjekët e spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët thonë se në laboratorin e virologjisë po punohet për testin e imunofluoreshencës, që saktëson nëse të sëmurët janë prekur nga gripi i formës A. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë analizat dërgohen në laboratorin e Bukureshtit, për të saktësuar nëse kemi të bëjmë me virusin H1N1. Sipas mjekut infeksionist dhe anëtar i komisionit të gripi të të derrave, Pëllumb Pipero, të dyshuarit po trajtohen me të gjitha mjekimet e duhura, dhe vetëm dy prej pacientëve kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendin tonë, deri dje ishin konfirmuar vetëm tetë raste, por mostra janë marrë për rreth 300 persona. "Duhet të sjellim në konsideratë, në radhë të parë, klinikën e gripit të derrit, që nuk është se ndryshon shumë nga klinika e gripit të zakonshëm. Kur themi se klinika e gripit të derrit dominon nga shenjat e influencës stinore, që janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës, dobësia dhimbja e fytit, kolla, diarreja dhimbja muskulare, pak a shumë këto janë edhe shenjat e gripit të derrit,"- pohon Pipero. Sipas tij, nëse është vënë re që në rast se ne, deri tani, komplikacionet e gripit të zakonshëm i njohim dhe marrim masat për t'iu përgjigjur në kohën e duhur me anë të trajtimit adekuat, ende nuk njihen mirë komplikacionet e gripit të derrit. Edhe pse vdekshmëria është e ulët, në nivelin 0.4 deri në 2 për qind, ne nuk i njohim mirë komplikacionet. "Thuhet se janë komplikacione nervore, komplikacine pulmonare, komplikacione kardiake, por ne nuk kemi një situatë të saktë nga eksperienca e vendeve të tjera. Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera, personat më të rrezikuar janë gratë shtatzëna, fëmijët deri në 6 vjeç, ose të sëmurët me imunitet të komprometuar, apo të sëmurët kronikë dhe personat mbi 65 vjeç",- pohon Pipero.