Gripi, specialistët shtojnë dyshimet për 13 persona të tjerë me virus
Emanuela Sako
Specialistët e ISHP-së shtojnë dyshimet për persona të tjerë me virusin AH1N1 në vendin tonë. Sipas tyre, janë 13 persona që po kryejnë ekzaminimet në Rumani, pasi dyshohen se janë mbartës të virusit të gripit të derrit. Nga rezultatet laboratorike të specialistëve tanë, këta persona rezultojnë se janë të prekur nga ky virus. Ndërsa, dy ditë më parë u konfirmuan edhe 4 persona të tjerë me virus, ku numri i të prekurve në total ka shkuar në 8 persona. Duket se harta e personave të prekur nga virusi do të përqendrohet në qytetet e Sarandës dhe Vlorës, ku numri i pushuesve ka arritur në shifra të larta. Njëkohësisht, ardhja e turistëve në këto zona mund të bëhet objekt i përhapjes më të gjerë të virusit.
Deklarata
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, sqaroi se analizat për personat e dyshuar janë dërguar në laboratorin e Rumanisë dhe ditën e hënë pritet përgjigja zyrtare. Por, mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, theksoi se nga analizat e bëra në vendin tonë, kanë rezultuar se 13 personat janë mbartës të virusit A, ndaj ata po marrin të gjitha mjekimet e duhura.
Një pjesë personave të prekur nga ky virus po trajtohen në shtëpi, në dhoma të izoluara. Pjesa e tjetër e të prekurve, që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore po trajtohen në Spitalin Infektiv. Tamifluja është përdorur vetëm për rastet që kanë qenë më rëndë, por specialistët konfirmojnë se deri më tani të sëmurët janë të nivelit të lehtë dhe mesatar, çka ka bërë që ata të trajtohen në shtëpi. Ditët e fundit mjekët kanë marrë më shumë se 300 mostra për personat që kanë simptomat të njëjta me virusin dhe po kryejnë ekzaminimet laboratorike. Specialistët e ISHP-së shprehen se të gjitha rastet paraqiten me shenja klinike të lehta të gripit dhe me temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Këto raste nuk janë shtruar në spital dhe izolimi i tyre është bërë në kushtet e shtëpisë.
Harta
Bino ka sqaruar se harta e personave që dyshohen se janë prekur nga ky virus është shtrirë në Sarandë dhe Vlorë, ku dhe fluksi i turistëve në këto ditë është i lartë. Deri tani, ISHP-ja ka marrë mjaft mostra, në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Devollit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Lushnjës, Sarandës. Specialistët mendojnë se shtrirja e prekjes nga virusi mund të jetë më e gjerë, por qytetarët duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj simptomave që kanë. Ata duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku i familjes për kryerjen e vizitës dhe në rast se dyshohet duhet të qëndrojë në shtëpi për të mos u bërë i rrezikshëm për të tjerët.
Gjatë sezonit të vjeshtës dhe atij dimëror, pritet që të ketë një shtim të madh të rasteve të personave që do të preken nga ky virus. Në këtë periudhë, qytetarët preken nga gripi i zakonshëm dhe janë më të prirur për t’u prekur edhe nga gripi i derrit. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas këtë Tamiflunë për individët që kanë nevojë në të gjitha spitalet rajonale. Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që sasia e sapoardhur do t’u shpërndahet urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Medikamenti mban përsipër dhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011.
3 Gusht 2009