Policia, pranga autorit të dyshuar të plagosjes së 23-vjeçari te pishinat
Tiranë – Forcat e policisë kanë mundur të vënë në pranga personin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të një 23-vjeçari te pishinat e Akuadromit në kryeqytet. Burime policore bëjnë të ditur se personi i kapur për ngjarjen në fjalë është Sahit Dyberi, i cili u arrestua pranë banesës së tij. Mësohet se 52-vjeçari, ndaj të cilit rëndon akuza e “plagosjes me armë zjarri me dashje”, është vënë në pranga gjatë orëve të natës pas një aksioni të policisë për kapjen me çdo kusht të tij. Sipas uniformave blu, Dyberi dyshohet se ka plagosur dje te pishinat e Akuadromit, në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, 23-vjeçarin Maringlen Cani, lindur e banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje koma në Spitalin Ushtarak. Burimet e grupit hetimor thanë se këta dy persona janë zënë mes tyre dhe dyshohet se në gjaknxehtësi e sipër 52-vjeçari ka qëlluar me armë. Nga hetimet e para rezulton se autori i dyshuar i krimit është grindur fillimisht me Canin pasi mendonte se ky i fundit po i ngacmonte gruan dhe më pas sherri degjeneroi në ngjarjen e rëndë teksa autori ka nxjerrë pistoletën dhe ka hapur zjarr mbi 23-vjeçarin Mariglen Cani duke e plagosur në këmbë. Më pas Dyberi mendohet t’i ketë hipur makinës duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Denoncon makinën e vjedhur, policia ia kthen, por nuk identifikoi autorët
Durrës – Forcave të policisë u ka mbërritur një denoncim nga 28-vjeçari Julian Qyta për vjedhjen e makinës së tij tip “Benz” 200 D me targë DV 2505 A, te Shkëmbi i Kavajës. Mjeti në fjalë më pas është konstatuar nga shërbimi i qarkullimit rrugor në autostradë në drejtimin Durrës-Tiranë, ku pas ndjekjes nga policia ai është braktisur nga tre persona në Maminas, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të fushave duke i shpëtuar ndjekjes së punonjësve të policisë. Është bërë bllokimi i mjetit dhe kanë filluar veprimet e para hetimore, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vjedhjes” parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal.
Alarm fals për bombë në plazh nga konkurrenca mes lokaleve, arrestohet telefonuesi
Durrës – Konkurrenca mes lokaleve të plazhit është bërë shkas për dhënien e një alarmi fals për vënie bombe. Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore të Durrësit, të cilat sqaruan se u ka mbërritur një telefonatë që u sugjeronte të largonin njerëzit pasi “te lokali ‘Kosova’, që ndodhet te vendi i quajtur ‘Rrota e kuqe’, ishte vendosur lëndë plasëse”. Uniformat blu mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe me ndihmën e forcave speciale xheniere u bë dhe kontrolli i mjediseve të këtij lokali, ku rezultoi se alarmi ishte i rremë, pasi nuk kishte lëndë eksplozive. Nga verifikimet e bëra nga policia është identifikuar edhe numri i telefonit me anë të të cilit është kryer telefonata në numrin 129 të sallës operative të policisë, ndërkohë që poseduesi i tij ka deklaruar se atë numër ia ka shitur një personi që nuk njihej nga ana e tij.
3 Gusht 2009