Policia, masa për parandalimin e aksidenteve
TIRANË - Policia e Qarkullimit Rrugor e qarkut të Tiranës ka marrë një iniciativë të re për parandalimin e aksidenteve në rrugë, që kohët e fundit janë shpeshtuar. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Tiranës bëjnë me dije se dje ka nisur shpërndarja e fletëpalosjeve në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës për të sensibilizuar drejtuesit e automjeteve që të jenë më të kujdesshëm për të parandaluar kështu aksidentet, që ditët e fundit kanë marrë shumë jetë njerëzish e kanë lënduar shumë të tjerë. Sipas Policisë Rrugore së Tiranës shkak për aksidente janë bërë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe ne këtë rast u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve për ulje të shpejtësisë si dhe përdorimi i alkoolit. Për këto arsye policia ka shtuar kontrollet me anë të patrullave të policëve rrugorë në autostradën Tiranë-Durrës si dhe ka përcaktuar masat për shkelësit e Kodit të Qarkullimit. Në këtë aks gjatë 3 viteve të fundit kanë ndodhur 64 aksidente me pasojë vdekjen.
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, tre persona të së njëjtës familje humbën jetën në mënyrë tragjike në aksin Lezhë-Shkodër.
3 Gusht 2009