E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti bankar për qershorin, depozitat tkurren sërish



Kthimi i depozitave që u tërhoqën nga sistemi bankar si pasojë e frikës që përhapi kriza në muajt e fundit të vitit të kaluar po rezulton i vështirë. Kur u duk se depozitat pas gjashtë muajsh rënie iu rikthyen sërish trendit të rritjes, të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit qershor kursimet në banka janë tkurrur sërish me 2.4 miliardë lekë. Sipas të dhënave në fund të muajit qershor depozitat në bankat shqiptare ranë në 611.8 miliardë lekë nga 614.2 që ishin në fund të majit. Të dhënat tregojnë se tkurrja ka ardhur e gjitha nga depozitat në valutë, të cilat kanë rënë me 6.1 miliardë lekë në muajin qershor ose më shumë se 2.3 për qind brenda një muaji. Ndërsa ato në lekë janë rritur me rreth 3.5 miliardë lekë. Ekspertët e BSH-së thonë se një pjesë e rënies së depozitave në valutë vjen si efekt i kursit të këmbimit dhe kryesisht zhvlerësimit të euros ndaj lekut, e cila sipas kursit zyrtar në qershor ka qenë 1.3 për qind. Ndërsa pjesa tjetër prej afro 1 për qind e rënies së depozitave duket se ka të bëjë me tërheqje. Disa ekspertë e lidhin këtë rënie të depozitave me faktin se muaji qershor ishte muaji i zgjedhjeve çka mund të ketë ndikuar edhe vendimet e biznesit dhe individëve se si duhet t'i administrojnë kursimet e tyre. Por disa ekspertë të tjerë thonë se pavarësisht zgjedhjeve apo faktorëve të tjerë të rastësishëm, kthimi i depozitave në sistemin bankar po rezulton i ngadaltë, çka paralajmëron se sfida më e madhe e ekonomisë shqiptare në të ardhmen do të jetë mungesa e likuiditetit dhe fondeve të lira për të financuar konsumin dhe investimet në ekonomi.

Kriza godet kreditimin, në qershor huadhënia ra me 1.3 për qind

Për herë të parë pas shumë vitesh kredia për ekonominë shënoi rënie në muajin qershor 2009. Të dhënat më të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kriza financiare globale, e cila filloi t’i jepte ndikimet e saj në sistemin bankar shqiptar në fundin e vitit të kaluar, kishte shkaktuar uljen e fortë me gati 5 herë të ritmit të rritjes së kredisë. Por në qershor, kredia jo vetëm që nuk u rrit, por ra vetëm brenda një muaji me rreth 1.3 për qind. Sipas të dhënave, në fund të muajit maj kredia që bankat kishin dhënë për ekonominë ishte 423.3 miliardë lekë, ndërsa në fund të qershorit ajo ra në 417.9 miliardë lekë. Rënia e kredisë ka përfshirë si biznesin ashtu dhe individët. Kredia për biznesin u ul me rreth 2.5 miliardë lekë në qershor, ndërsa ajo për individët ra me rreth 1 miliardë lekë. Vetëm nga rënia e kredisë në këto ritme edhe pse jo e konfirmuar zyrtarisht, pritet që ta ulë rritjen ekonomike me 2 pikë përqindje, shtuar edhe efektet negative të tjera që ka sjellë kriza ndërkombëtare.

3 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›