“Gripi, të prekurit do shkojnë në 15 mijë”
zirina llambro
Numri i të prekurve nga gripi i derrave në vendin tonë pritet të shkojë deri në 15 mijë. Prej tyre, 5000 vetë do të shfaqin simptoma të rënda të virusit ndërsa pjesa tjetër do t’ja hedhin sëmundjes pa komplikacione. Këtë parashikim bëjnë krerët e shëndetësisë. Ministrja Anila Godo, gjatë një konference për shtyp të dhënë dje, analizoi situatën dhe u bëri apel qytetarëve për të qenë sa më të qetë. “Për rastet e dyshuara, rreth 5 raste gjatë kësaj jave, konfirmimi ka ardhur negativ dje në mbrëmje. Në këtë çast kemi vetëm një rast të konfirmuar. Kemi tre marinarët, 2 filipinas dhe 1 rumun, të cilëve po u ribëhen dhe një herë analizat”, tha Godo. Por sipas mjekëve infeksionistë, për këta të fundit, prania e virusit është e sigurt, pra aktualisht në vendin tonë i bie të kemi 4 raste me virusin A-H1N1. “Popullsia të marrë masat që ne kemi përsëritur shumë herë, të evitojë grumbullimet në ambiente të mbyllura e pak të ajrosura, që predispozojnë për një kontakt me të sëmurë, të mbajë higjienë vetjake të ekzagjerur”, u shpreh ministrja Godo. Ajo shtoi se po punohet fort, në mënyrë që pandemia aktuale në Shqipëri të ketë atë lloj karakteri që ka pasur në vendet fqinjë dhe të jetë e mbledhur e pa shpërthime. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, deklaroi gjithashtu se ditët në vijim pritet të konfirmohen raste të reja. ”Deri tani kemi 100 monstra që janë analizuar. Çdo ditë kemi kampionë të rinj dhe të dyshuar të rinj, shumë shpejt do të konfirmohen edhe të tjerë të prekur”, tha Ylli. Ai shtoi se virusi i ri pandemik ka një qarkullim komunar dhe nuk është e domosdoshme të hetohet çdo rast i izoluar. “Nuk ka asnjë lajm që do të kërkonte kufizimin e jetës normale të qytetarëve”, u shpreh Drejtori i ISHP-së. Izolimi dhe karantina, megjithëse janë të parashikuara në planin e kontigjencës për pandeminë, nuk duket se do të jepnin ndonjë efekt domethënës, për sa i përket këtij momenti epidemiologjik. Sa i përket masave të marra në spitale, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se janë pajisur me një sasi antiviralesh tamiflu të gjithë spitalet rajonale dhe ruhet një stok në ISHP. Ndërkohë është porositur dhe pritet të sigurohet shpejt një sasi prej rreth 100 000 tabletash. “Janë trajnuar dhe pajisur me dokumentacionin specifik të gjithë spitalet e vendit, ndërkohë që shumica e qendrave shëndetësore në vend kanë të paktën një person të trajnuar, lidhur me përballimin e gripit të ri pandemik”, thuhet në deklaratën për mediat të Ministrisë. Ndërkaq janë shpërndarë në të gjithë spitalet rajonale mjete mbrojtëse dhe desinfektante. Sasia planifikohet të përballojë valën e parë të gripit.
Izolohet infektivi, leje për të hyrë në pavijon
Për t’u futur në Spitalin Infektiv duhet leje e posaçme nga mjekët. Kjo është masa e fundit që kanë marrë drejtuesit për të evituar kontakte të mundshme me persona të dyshuar, që mund të rezultojnë pozitiv për virusin AH1N1. Ditët e fundit janë numëruar me dhjetëra raste vizitash në ditë të personave që vuajnë simptomat e gripit. Janë bluzat e bardha që konstatojnë shkallën e sëmundjes dhe vlerësojnë analizimin e tyre më tej. Shefi i Shërbimit në Spitalin Infektiv, Dhimitër Kraja, pranon mbi 60 raste të dyshuar të dërguara në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. “Deri tani kemi dërguar rreth 60 raste, të gjitha kanë qenë negative. Masat, pas shfaqjes së rastit të parë janë shtuar në ato drejtime që i takojnë situatës. Spitali është dhe ka qenë në gatishmëri të plotë. Për të prekurit do të aplikohet trajtimi Tamiflu” - u shpreh shefi i Shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja. Ai shtoi Studenti i konstatuari si personi i parë me virusin AH1N1 tashmë është plotësisht i shëruar, duke mos përbërë rrezik për persona të tjerë. ”Është ndjekur nga mjekët tanë por nuk ka pasur komplikacione dhe simptoma të rënda, gjithçka e ka kaluar brenda disa ditësh”, shtoi Kraja. Ai theksoi se nuk ka vend për panik, por ndërkaq nuk duhen neglizhuar shenjat e gripit. “Shenja më e rëndësishme është një temperaturë e lartë, dhimbje kockash, sidomos në ekstremitete e poshtme si dhe kockat e këmbëve dhe djegia e fytit” - theksoi Shefi i Spitalit Infektiv. Ai garantoi se disponohen sasitë e mjaftueshme të ilaçeve për të kuruar çdo rast që do të rezultojë i prekur. Sa i përket karantinës, në dispozicion të pacientëve është vetëm një dhomë me dy shtretër, e ngritur që prej alarmit të gripit të shpendëve kohë me parë.
Vasili: Mbështesim masat e marra
"Sot Shqipëria kalon një moment të veçantë dhe të rëndësishëm lidhur me përhapjen e gripit të derrit edhe në vendin tonë. Ne mbështesim të gjitha masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë si dhe grupi ministror i drejtuar nga Kryeministri". Këtë deklaratë bëri dje sekretari i përgjithshëm i LSI. Sipas tij, situata kërkon një vëmendje të veçantë, kryesisht lidhur me një kontroll akoma më intensiv, veçanërisht me kontrollin në pikat kufitare, ato ajrore dhe ato detare. "Shërbimi shëndetësor veçanërisht duhet të jetë në gatishmëri të plotë, veçanërisht ai parësor, i cili komunikon me një numër të madh qytetarësh, si dhe do të duhet të komunikojmë me të gjithë familjet, të cilat kanë nën mbulim për të informuar gjerësisht ata",tha Vasili. Sipas tij media do të duhet që të jetë më e kujdesshme se asnjëherë dhe do të ishte e udhës të punonte sa më shumë me informacione të karakterit zyrtar."Kjo sepse specifikat e kësaj lloj pandemie të paverifikuara kurrë më parë kërkojnë kujdes te veçantë, sepse si alarmizmi pa vend ashtu edhe nënvleftësimi do të ishin njëlloj të rrezikshme",tha Vasili.
“Tamifluja vetëm kur e thotë mjeku, mos e blini privatisht”
zirina llambro
“Mos siguroni antiviralin Tamiflu në rrugë private. Ky medikament duhet të përdoret vetëm me këshillën e mjekëve specialistë dhe vetëm në rastet kur pacienti është prekur nga gripi i derrave me komplikacione”.
Deklarata vjen nga Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Frika e ditëve të fundit për prekje të mundshme nga virusi ka bërë që qytetarët të shfaqin interes të madh për të blerë vetë ilaçet kundër gripit. Një pako me Tamiflu, edhe pse nuk shitet në farmacitë tona, në vendet e BE kushton rreth 30 euro. Por edhe në këto shtete tregtohet vetëm me recetë nga mjekët. Sa i përket sasive që shteti disponon, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha dje se janë porositur 10 mijë doza Tamiflu dhe ka 5 mijë të tjera rezervë. Në dispozicion është vënë një fond prej 350 mijë eurosh. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik kanë pranuar se sasia që disponohet është vetëm 200 doza. Medikamenti viral Tamiflu është i vetmi ilaç i efektshëm për trajtimin e gripit të derrave. Kjo për aq kohë sa ende nuk ka dalë në treg vaksina e posaçme që parandalon infektimin nga AH1N1. Sa i përket kësaj të fundit, e cila pritet të mbërrijë në nëntor, Godo tha se një tjetër fond i posaçëm është hequr veç për blerjen. Por ajo shtoi se programi për kategoritë që do ta marrin falas ka përfunduar. ”Nëse mbulojmë me vaksinë 1/4 e popullatës, besoj se jemi brenda parametrave që kërkon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por ne do të tentojmë që masa e mbulimit të jetë më e lartë”, tha Godo. Fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, zyrtarët dhe punonjësit e bankave, do të jenë kategoritë do të futen të parët në skemë. Pjesa tjetër e popullsisë duhet ta sigurojë vetë. Kostoja e vaksinës së gripit të derrave mendohet të mos i kapërcejë 10-15 euro. Vlerë kjo që në riskun e pandemisë është më se e pranueshme, për një pjesë të mirë të popullsisë. Pandemia e gripit të derrave është parashikuar të zgjasë minimalisht 6 muaj. Një në pesë persona, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mendohet të preket në botë nga virusi.
Gripi i derrave
Simptomat
Temperatura:
Kalon të 38 gradët
Frymëmarrja:
Të kollitur,
Teshtima,
Ftohje
Vështirësi në frymëmarrje
Sytë:
Skuqje e syve
Kockat dhe muskujt:
Dhimbje kockash,
muskujsh
ndjesi dobësie
Barku:
Mungesë oreksi,
të vjella
dhe diarre