Gjysmë shekulli burg bandës së drejtuar nga paraplegjiku
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda dënon me rreth gjysmë shekulli burg pesë personat e arrestuar nga operacioni "Butrinti", mes të cilëve edhe një paraplegjik. Sipas Prokurorisë, paraplegjiku ishte një nga drejtuesit e personave të akuzuar për kalim të paligjshëm të klandestinëve drejt Greqisë, në këmbim të parave. Togat e zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda shpallën pak ditë më parë vendimin përfundimtar për gjykimin e çështjes në ngarkim të Pëllumb Gurit, Irfan Dalipajt, Bardhi Prodës, Nino Tushes dhe Resul Çelës. Verdikti i togave të zeza te Krimet të Rënda deklaronte fajësi për të akuzuarit e çështjes, njëri prej të cilëve ishte paraplegjik dhe dënimin e tyre me një total prej 48 vjetësh burg. Pasi dëgjoi kërkesën e organit të akuzës dhe pretendimet e mbrojtësve ligjorë të të pandehurve, trupa gjykuese vendosi deklarimin fajtor të tyre dhe dënimin me 11 vjet burg për të pandehurit Pëllumb Guri dhe Irfan Dalipaj, me nga 10 vjet burg për të pandehurit Bardhi Proda dhe Resul Çela, si dhe 6 vjet heqje lirie për të pandehurin Nino Tushe. Ndërkohë që të pandehurit e kësaj dosjeje do të përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit të dhënë nga gjykata, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Përveç të pandehurit Tushe, të cilit gjykata vendosi dënim me 4 vjet më pak se kërkesa e prokurorisë, për të pandehurit e tjerë gjykata i dënoi me aq burg sa kishte kërkuar organi i akuzës në fazën e pretencës. Dosja në ngarkim të të akuzuarve nga prokuroria si trafikantë klandestinësh drejt Greqisë u dërgua për gjykim në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa arrestimi i tyre u realizua në muajin korrik 2008. Sipas prokurorisë, duke funksionuar si një grup i strukturuar kriminal të pandehurit nga data 5 prill deri në 25 maj 2008 kanë tentuar të kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme drejt Greqisë 72 persona të moshave të ndryshme. Po sipas organit të akuzës, kalimi do të bëhej në këmbim të shumave nga 500 deri në 1500 euro për çdo klandestin. Gjatë hetimit prokuroria kishte mundur të siguronte pamje filmike të klandestinëve në terren, fotografi, përgjime bisedash telefonike si dhe deklarime të klandestinëve të arrestuar gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit. Gjatë gjykimit në shkallën e parë të drejtësisë, të pandehurit u akuzuan për veprat penale të "dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit në formën e grupit të strukturuar kriminal" dhe "kryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal në bashkëpunim". ar.ba