E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, vala e dytë në shtator, Ylli: Kemi marrë masat

Virusi H1N1 i ri i njohur nga të gjithë si gripi i derrave pritet të ketë një valë të dytë rreth muajit shtator-tetor, periudhe në të cilën pritet të prodhohet edhe stoku i parë i vaksinës kundër këtij virusi. Lajmi konfirmohet nga drejtori i ISHP. 

TIRANE- Gripi i derrave pritet të ketë një valë të dytë në sezonin e vjeshtës ndoshta edhe më të fortë se vala e parë që po përjetohet aktualisht në të gjithë botën. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili duke iu referuar të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se virusi H1N1 i ri parashikohet të ketë një tjetër përhapje rreth muajit shtator, muaj në të cilin pritet të dalë dhe stoku i parë i vaksinës kundër këtij virusi.

“Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një valë të parë e cila mendohet është e lehtë, por që mund të rikthehet sërish me fillimin e sezonit të gripit, asnjë nuk mund ta thojë me siguri nëse do të jetë më e fortë apo më e lehtë”- tha Ylli.

Përsa i përket situatës aktuale në vend dhe masave që kanë marrë institucionet shëndetësore, Ylli shprehet se çdo gjë është nën kontroll, ndërsa konfirmon se stoku me medikamentin antiviral Tamiflu është brenda skadencës dhe mund të përballojë deri në 3 mijë pacientë.
Nga survejanca e rritur në kufi e shërbimeve shëndetësore, drejtori i ISHP-së konfirmon marrjen e mostrës vetëm nga një rast, ndërkohë që sipas tij ka filluar marrja e mostrave nga spitalet për të parë se mos rastësisht gripi ka depërtuar ne Shqipëri. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›