E Diel, 1 Nëntor 2026

Griset opozita, Edvini mbetet me Gjinushin

Opozita ndodhet sërish në prag të përçarjes së madhe. Premtimet e përbetimet për të mbajtur të fshehta dhe larg syve e veshëve të opiionit të gjerë mëritë dhe mosmarrëveshjet mes njëri-tjetrit, janë thyer në mënyrë të njëanshme nga Lëvizja Socialiste për Integrim, drejtuesit e së cilës në dy ditët e fundit kanë përshkallëzuar kërcënimet dhe presionet ndaj selisë ylberiste, deri në dalje nga koalicioni i majtë. Nëse në Fier, kreu i LSI-së, Ilir Meta, do të ishte më ambig në deklaratën e tij gjithësesi të fortë kundër kompromisit të dy partive të mëdha pro aplikimit të listave ta mbyllura zgjedhore, një formulë në fakt e rekomanduar nga misioni i OSBE-ODIHR-it për të shmangur deformimin e vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, dje nënkryetari Dritan Prifti është shprehur hapur se në rast se PS nuk del kundër listave të mbyllura dhe në tërësi për të mundësuar një reformë zgjedhore që përfshin realisht të gjitha forcat politike në kryerjen e reformës zgjedhore, LSI do të konkurrojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme elektorale të parashikuara për vitin 2009. Nënkryetari i LSI-së, ka akuzuar gjithashtu selinë rozë se po shkatërron koalicionin duke iu rikthyer marrëveshje të dyshimta me mazhorancën. “Nëse Rama dhe Berisha duan të lajnë hesapet me njerëzit brenda forcave të tyre politike, ky nuk është problem i Shqipërisë. Shqiptarët nuk duhet që të paguajnë harraçin e kësaj politike. Nëse PS ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme që tryeza e opozitës të mos funksionojë më, atëherë ne do të nisim fushatën vetëm. LSI mund të bëjë një fushatë e vetme para të gjithëve. Jemi të bindur se kemi përkrahje shumë më të madhe. Kemi mundësi që të jemi forca e parë e së majtës” - theksoi ai. Situatë e nderë ekziston edhe me partinë e Skënder Gjinushit. Dega e PSD-së në Fier është shkërmoqur nga kalimi kolektiv i 200 socialdemokratëve me LSI-në së bashku me drejtuesin lokal. Në një kohë që edhe fushata e kandidatit të Gjinushit në komunën e Paskuqanit për zgjedhjet e pjesshme lokale të së dielës së ardhshme s’është bojkotuar vetëm nga LSI, por edhe nga PDS dhe PAD, krerët e së cilës kanë shfaqur edhe ata rezerva të mëdha në lidhje me sjelljen e PS-së ndaj tyre dhe trajtimin e privilegjuar të një PSD-je anemike.
Oketa: Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë PD-PS/Nuk ka asnjë marrëveshje mes dy partive kryesore politike, PD-së dhe PS së  për reformën zgjedhore. Përderisa është ngritur një komision i posaçëm është ai që do të vendosë për këtë reformë, duke i përcjellë Kuvendit propozime konkrete. Kështu është shprehur dje numri 2 i qeverisë Gazmend Oketa. Në një prononcim për mediat, zëvendëskryeministri Oketa shprehu besimin për një miratim konsensual edhe për ligjin elektoral, sikurse ndodhi me ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor', si hapi i parë i reformës në drejtësi”. “Edhe për reformën zgjedhore shpresoj për një konsensus sa më të gjerë, i cili do të kënaqë pjesën më të madhe të partive politike. Normalisht do të ishte shumë e vështirë të kënaqeshin interesat e të gjitha partive, por objektivi kryesor i PD-së dhe maxhorancës është arritja e një konsensusi sa më të gjerë dhe një sistem elektoral që do të pasqyronte realisht votën e qytetarëve dhe nuk do të sillte një produkt të deformuar. Një sistem i tillë do t'i jepte vendit një garanci dhe stabilitet politik, duke lehtësuar hapat drejt integrimit” - deklaroi Oketa.Përsa i takon pretendimeve të partive të vogla në kuadër të reformimit të ligjit elektoral, ai tha se është e vështirë të gjesh një sistem zgjedhor perfekt, ku të gjitha palët të jenë të kënaqura. “Ky do të ishte rasti ideal dhe do të uroja që të ndodhte, por reforma ka edhe procese të tjera si infrastruktura zgjedhore, që janë pajisja e qytetarëve me karta identiteti, regjistri elektronik i gjendjes civile, listat elektronike etj, për të cilat qeveria po punon intensivisht. Tashmë jemi informuar që në mes të këtij viti përfundon regjistri i gjendjes civile, ndërsa në fund të shkurtit hapet tenderi i pajisjes me karta identitet” - vijoi më tej zëvendëskryeministri. Këto deklarata zoti Oketa i bëri pas raportimit në komisionin parlamentar të Integrimit Europian, lidhur me strategjinë kombëtare të qeverisë për zhvillim dhe integrim. 
Republikanët: Të gatshëm të bashkëpunojmë me dy partitë e mëdha/Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, deklaroi për mediat se republikanët vazhdojnë të mbajë të njëjtin vullnet dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me dy partitë e mëdha në vend për reformën zgjedhore. Duke rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e PR-së për reformën zgjedhore, Madhi vuri në dukje se kjo forcë e ka përcaktuar vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe me partitë e mëdha, pasi janë gjetur zgjidhje për katër nga çështjet që kanë përbërë edhe vërejtjet dhe rekomandimet e OSBE- ODIHR-it. Duke u ndalur te çështja e sistemit zgjedhor, Madhi u shpreh se PR nuk shkel parimet dhe kërkesat e saj dhe qëndron e vendosur deri në fund për të respektuar të drejtën e konkurrimit për çdo kandidat që do të marrë pjesë në votim. Për sa i përket çështjes së vetos në komision, Madhi u shpreh se çështja e vetos është një çështje proçeduriale teknike. “Vetoja nuk funksionon në komisionin e reformës zgjedhore, pasi ne duhet të shkojmë dhe të përfshihemi në këtë komision, duke patur parasysh këtu të plotësojmë në tërësi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Nëse do të duhet të ruhet i njëjti sistem, atëherë sigurisht që duhet të shkohet drejt një akordi të plotë edhe me dy partitë e mëdha dhe unë besoj se do të gjendet ky akord. Por nëse dy partitë e mëdha do të marrin nismën e tyre për të ndryshuar sistemin, më parë duhet të ulen e të bashkëbisedojnë me të gjithë aktorët politik, sepse sistemi ka të bëjë me rregullat e lojës, dhe rregullat e lojës nuk vendosen vetëm nga dy parti të vetme. Nëse ne do ta gjejmë veten të përjashtuar nga ky proces, ne do të ndjekim rrugën tonë kushtetuese” - përfundoi Madhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›