E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria merr në Uashington mbështetjen amerikane për në NATO

Shqipëria merr sërish mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit në 2 prill. Garancia është dhënë gjatë takimeve që Ministri i Mbrojtjes Mediu zhvilloi me Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts dhe me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs. Fillimisht, ministri Mediu u prit nga Zëvëndës Sekretari i Mbrojtjes, Gordon England dhe më pas nga numri një i këtij Departamenti, Gejts. Mediu informoi Sekretarin Gates dhe zëvëndësin e tij England, me arritjet e reformës në fushën e mbrojtjes dhe cilësoi se tashmë jemi në një pikë kritike për realizimin e saj. Falë Departamentit të Mbrojtjes dhe asistencës së dhënë në realizimin e proçesit të Vlerësimit të Mbrojtjes, ministri Mediu tha se, Qeveria Shqiptare është e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sukseset janë të dukshme. Zbatimi i ligjit dhe zhvillimi i ekonomisë, janë prioritete të Qeverisë Shqiptare. Ministri Mediu falenderoi qëndrimin e SHBA gjatë Samitit të Rigës, që nëpërmjet Presidentit Bush mbështeti aspiratën e vendeve të Ballkanit përfshirë dhe Shqipërinë për integrimin sa më të shpejtë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Qeveria Shqiptare është e vendosur të arrijë integrimin në NATO, dhe për këtë ka akorduar 2 përqind të GDP-së për Buxhetin e Mbrojtjes, deri në vitin 2008, vit kur pritet marrja e ftesës për anëtarësim në Samitin e radhës të NATO-s” - tha Mediu. Nga ana e tij, Sekretari Gates u shpreh se, SHBA vlerëson vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të luftuar korrupsionin, krimin dhe trafiqet e paligjshme. “Ne e vlerësojmë shumë që nga një forcë e vogël e armatosur si e juaja, jepet një kontribut kaq i madh, i cili është tepër i vlerësuar. Ne jemi të vendosur për t’ju mbështetur, në menyrë që të arrini standartet e kërkuara për të mundësuar integrimin sa më të shpejtë në NATO”- tha Sekretari Gates gjatë takimit me ministrin Mediu. Në këtë kuadër Gejts dhe England falenderuan ministrin Mediu, qeverinë dhe popullin shqiptar për kontributin e çmuar në Irak dhe Afganistan. Mediu zhvilloi gjithashtu takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me zotin Xhidi Krauç - Ndihmës i Presidentit Bush dhe Zv/Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Gjatë këtij takimi ministri Mediu vlerësoi mbështetjen e dhënë nga SHBA dhe Presidenti Bush për vendet e Kartës së Adriatikut, duke e cilësuar gjithashtu si një detyrim për këto vende për të përshpejtuar proçesin e reformave me qellim marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e vitit 2008. Falë bashkëpunimit dypalësh, tha ministri Mediu, reformat në përgjithësi dhe në veçanti në fushën e Mbrojtjes, janë në rrugë të mbarë. “Jemi të vendosur të qëndrojmë përkrah koalicionit ndërkombëtar në luftën globale antiterror, deri sa misioni të përfundojë”, tha ministri Mediu, duke iu referuar prezencës së trupave shqiptare në Afganistan dhe Irak. Zv/Këshilltari i Presidentit Bush për Sigurinë Kombëtare, falenderoi Mediun për kontributin e Shqipërisë me trupa në Irak dhe Afganistan. “Në proçesin e integrimit ne shohim që vendet aspirante kanë ecur shumë mirë në reformën e mbrojtjes, ndërsa i inkurajojmë për zhvillime më të shpejta në fushat e tjera,veçanërisht në luftën kundër korrupsionit , krimit dhe trafiqeve” tha ai, Krauç shtoi se SHBA është në mbështjetje të iniciativave të përbashkëta në rajonin e Ballkanit, veçanërisht mes vendeve anëtare të A3, për të siguruar mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Një takim të veçantë Ministrit të Mbrojtjes i është kushtuar nga Shefja e Diplomacisë amerikane znj.Rice, i tha ministrit Mediu se SHBA mbështet përpjekjet e Shqiperisë në rrugën e integrimit dhe inkurajon ndërmarrjen e reformave të duhura për të arritur këtë synim. Ndërsa ministri Mediu e siguroi znj. Rice për thellimin e reformave në të gjitha fushat, dhe sidomos në atë të Mbrojtjes. Ai i tha Sekretares së Shtetit se integrimi i vendit në strukturat Euro-Atlantike ka mbështetjen e të gjithë spektrit poltik në vend dhe të vetë qytetarëve shqiptare. Në Uashington, Ministri Mediu pati takime të veçanta dhe në Kongresin amerikan me kongresmenin Frank Ëolf dhe në Senat me senatorin Bill Nelson. Mediu u kërkoi dy përfaqësuesve të Kongresit amerikan, mbështetjen e tyre ndaj Shqiperisë, për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ëolf dhe Nelson e siguruan ministrin e Mbrojtjes Mediu për mbështetjen e tyre. Edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Lazar Elenovski shprehu dje optimizëm se vendet e Kartës së Adriatikut do të marrin ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, pas takimit të mbrëmshëm në Pentagon me kolegët e tij nga Shqipëria dhe Kroacia dhe me Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts, shprehu optimizëm se vendet e Kartës së Adriatikut do të marrin ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e ardhshëm të Bukureshtit. “Duhet të ripërcaktohet e ardhmja e vendeve të Kartës së Adriatikut duke pasur parasysh që shtetet e reja të rajonit duhet të ‘kyçen’ në një iniciativë shumë frytdhënëse”, deklaroi Elenovski. Takimet zhvillohen në prag të samitit të NATO-s në Bukuresht në muajin prill. Në këtë samit, vendet anëtare të aleancës pritet të njoftojnë vendimin e tyre lidhur me kërkesën për anëtarësim e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kroacisë
Anëtarësimi në NATO, kreu i Jashtëm letonez Riekstins viziton sot Tiranën/Në prag të samitit të NATO-s në Bukuresht, Ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Maris Riekstins, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, bëri të ditur zyra e shtypit pranë MPJ-së. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ministri i Jashtëm letonez pritet të zhvillojë takime me autoritetet më të larta shqiptare, Ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, pritet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Taksimit të Dyfishtë.
Meta: Maqedonia të njohë pavarësinë e Kosovës, nëse do anëtarësimin në NATO dhe BE/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehurdje në një prononcim për mediat optimist se pavarësia e Kosovës do të ecë në një rrugë më të mbarë, me një njohje gjithnjë e më të gjerë dhe më të plotë ndërkombëtare, pasi shpallja e saj ka qenë një akt i parapërgatitur në mënyrën më të matur, midis faktorit politik të Kosovës dhe atij ndërkombëtar. Duke iu referuar deklaratës së djeshme të kryeministrit maqedonas, Nicola Gruevski, në lidhje me pavarësinë e Kosovës, Meta shprehu bindjen se “padiskutim që Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi ajo ka synimin dhe interesin e saj për anëtarësimin dhe integrimin në NATO dhe BE”. Gjithashtu, ai deklaroi se puna e bërë nga mediat vendase dhe të huaja i dhanë një shtysë tepër të madhe nënshkrimit të marrëveshjes, që ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave. “Ishte pikërisht reagimi i medias dhe faktorit politik në Maqedoni, Shqipëri, rajon e Bashkimin Europian, që e detyroi qeverinë e Gruevskit që të hiqte dorë nga një veprim i nxituar dhe i papjekur, siç ishte ai për vendosjen dhe shtrëngimin e regjimit të vizave me Shqipërinë”- tha Meta. Në këtë drejtim, ai vlerësoi punën e bërë nga mediat e shkruara e vizive për sensibilizimin që i bënë qeverisë së Maqedonisë dhe qeverisë shqiptare, si dhe për sensibilizimin që i bënë BE-së, e cila reagoi në mënyrë shumë aktive për të zgjidhur një problem të rëndësishëm midis të dy vendeve.
Oketa: Brenda 6-7 vitesh plotësojmë detyrimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian/Është diskutur dje në komisionin parlamentar të Integrimit Europian, në prezencë të zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, Numri 2 i qeverisë duke prezantuar shkurtimisht disa nga prioritet tha se kjo strategji është një përmbledhje e gjithë strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale, e cila pasqyron prioritetet kryesore afatmesme dhe afagjata. Zëvendës-kryeministri shtoi se në hartimin e kësaj strategjie janë përfshirë ekspertë nga të gjitha fushat, si dhe është marrë mendimi i shoqërisë civile, donatorëve të ndryshëm dhe kontributi i tyre ka qenë mjaft i rëndësishëm. Sipas Oketës prioritetet e vendosura në këtë strategji, janë prioritete që ka vendosur qeveria, që brenda një afati kohor 6-7 vjeçar të përmbushë të gjitha detyrimet e saj për anëtarësimin në BE. Sipas tij qeveria brënda një afati dy vjeçar pas ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, do të plotësojë dosjen e aplikimit për marrjen e statusit kandidat për t'u anëtarësuar në BE. Anëtarët e majtë komisionit kanë shfaqur gjithësesi disa rezerva në lidhje me këtë document. Kreu i komisionit, Ilir Meta tha se ky dokument i prodhuar i ngjan më shumë një kolazhi që në vetvete ka shumë strategji, të cilat janë prodhuar deri më sot për sektorë të ndryshëm, por nuk e ka qartësinë e duhur për prioritetet për zhvillimin dhe integrimin e vendit dhe nuk ka objektiva konkrete për këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›