Grisin teserën e Partisë Socialiste mbi 150 anëtarë të PS së Kukësit
Kanë qenë 30 vetë, nga strukturat e Partisë Socialiste dhe mbi 150 anëtarë nga Kukësi dhe zonat e tjera të Shqipërisë të cilët në mënyrë demonstrative kanë grisur teserat e Partisë Socialiste, duke kaluar tashmë si anëtarë të Partisë Demokratike. Kjo ka ndodhur gjatë një takimi që Asllan Dogjani ka zhvilluar me komunitetin kuksian në Pallatin e Kulturës në Kamëz. Gjatë fjalës së tij z. Dogjani u shpreh se, z. Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në një kompani ndërtimi. Ndaj e ardhmja për të gjithë shqiptarët është Partia Demokratike, është Sali Berisha. “Në këtë sallë kanë ardhur dhe janë shumë socialistë të cilët besojnë tek programi i Partisë Demokratike, besojnë tek Sali Berisha, besojnë tek investimet që do të bëhen dhe në punën që është bërë. Ata me kanë shprehur dëshirën që të dalin këtu përpara jush të flasin dhe të thonë se pse ne do vijmë të votojmë për Partinë Demokratike dhe pse ata u bëjnë thirrje gjithë shqiptarëve të votojnë për Partinë Demokratike, thirrje që ju shkon gjithë komunitetit të kuksianëve, qytetarëve të Kamzës dhe gjithë shqiptarëve.”-ka deklaruar Dogjani. Ndërsa antarët e Partisë Socialiste janë shprehur se sot ata kanë ndërmarrë një nisëm, atë të largimit nga Partia Socialiste dhe ardhjes së tyre në gjirin e Partisë Demokratike. -“Unë jam Zenel Rexha, kryetarë i Partisë Socialiste në Valiasit të Ri. Deklaroj i hapur se organizatën time do ta shkrijë në Valias të Ri”. -“Unë jam Jetmir Dunga, sekretarë organizate në një lagje të qytetit të Kukësit, nga ky moment bashkohem me Partinë Demokratike dhe e mbështes fuqishëm atë. Arsyeja se pse ne tërhiqemi nga Partia Socialiste është mos respektimi i vlerave, mos respektimi i punës tonë dhe zhgënjimi e disfata që na ka dhënë vazhdimisht z. Rama”. “Unë jam Bujar Sokoli, si antarë i Partisë Socialiste këto vitet e fundit jam ndjerë shumë i zhgënjyer nga politika e Partisë Socialiste dhe e zotit Rama në përgjithësi. Z. Rama na ka çuar nga zhgënjimi në zhgënjim, nga disfata në disfatë. Ne nuk kemi kohë për të humbur, ne duam të ecim sa më shpejtë, të kapim kohën e humbur. Ndaj ju bëj thirrje të gjithë socialistëve shqiptarë që t’i bashkohen nismës tonë. Unë që nga ky moment jam anëtarë i Partisë Demokratike dhe sot ndihem shumë i përfaqësuar nga z. Sali Berisha”.