E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 23 Qershorit, test i rëndësishëm për integrimin në BE

08-06-2013 / Gazeta 55

OSBE-ODIHR publikon raportin e ndërmjetëm për ditët e para të fushatës elektorale

OSBE-ODIHR ka publikuar raportin e ndërmjetëm, që përfshin monitorimin e situatës parazgjedhore nga data 15 Maj deri më 3 Qershor. Në këtë raport theksohet se KQZ funksionin me 4 anëtarë dhe kjo pengon punën për administrimin e zgjedhjeve. Disa vendime të KQZ-së janë shumë të diskutueshme dhe ka mungesë transparence. Zgjedhjet e 23 Qershorit theksohet në raport shihen si një test i rëndësishëm për aspiratën e vendit për integrimin në BE. Klima politike është karakterizuar nga polarizimi mes dy forcave të mëdha politike. ODIHR nënvizon se Partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur mund të kontestojnë zgjedhjet. Disa nga vendimet e KQZ-së janë kritikuar si të pabazuara në ligj. Vendimet e KQZ-së nuk pasqyrohen menjëherë në faqen online të KQZ-së siç kërkohet nga ligji dhe kjo ul besueshmërinë apo transparencën e këtij institucioni. Fushata është zhvilluar përgjithësisht e qetë por shpesh arritjet e qeverisë janë vënë në shërbim të fushatës së PD-së. PS kritikon qeverinë dhe premton përparime në fushën e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, thelbi i mesazheve të fushatës është lënë në hije shpesh nga sulmet verbale mes dy partive të mëdha.
Pjesë nga raporti: “Mjedisi politik ka qenë i tensionuar që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2009, zgjedhjet e para të mbajtura nën një sistem zgjedhor  proporcional rajonal. Çështja e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka qenë në qendër të vëmendjes dhe shqetësim. Pas ikjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) nga koalicioni qeverisës në prill të vitit 2013, parlamenti shkarkoi anëtarin e propozuar nga LSI, i cili u zëvendësua nga një përfaqësues i Partisë Republikane (PR) në koalicion me PD. Ky shkarkim çoi në dorëheqjen e tre anëtarëve të propozuar nga opozita, të cilët ende nuk janë zëvendësuar. Klima politike është e karakterizuar nga polarizimi dhe mosbesimi mes PD-së dhe PS-së. Shumica e partive pjesëmarrëse janë bashkuar me një nga dy koalicionet për zgjedhjet e ardhshme: 25 parti janë në Aleancën për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim, kryesuar nga PD e kryeministrit, Sali Berisha dhe 37 parti janë  bashkuar me Aleancën për Shqipërinë Europiane, e udhëhequr nga PS-ja dhe kreu i saj Edi Rama. Të gjitha partitë aktualisht në parlament kandidojnë brenda këtyre koalicioneve”. Ndër të tjera, raporti thekson se disa vendime të KQZ-së janë kritikuar për mungesë të bazës ligjore.  Vendimet e KQZ-së nuk janë publikuar menjëherë në faqen e saj, siç kërkohet nga ligji. Kjo redukton transparenca e KQZ-së për vendimet e saj, thotë raporti. Fushata ka qenë përgjithësisht e qetë dhe paqësore, megjithatë thelbi i fushatës zgjedhore është lënë shpesh në hije nga sulmet verbale ndërmjet dy partive të mëdha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›