Ambasadori Arvizu, thirrje për fushatë të qetë zgjedhore

Ambasadori i SHBA-ve takon kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj
Partitë politike mund ta bëjnë më të lehtë punën e Policisë së Shtetit, duku iu shmangur pasioneve politike dhe duke ruajtur qetësinë, theksoi dje Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, në përfundim të një takimi me Kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Gjatë një prononcimi për mediat, Ambasadori Arvizu i bëri apel mbështetësve të partive politike në vend, të kontrollojnë pasionet në mënyrë që të shmangen incidentet elektorale. "Mbështetësit e partive politike mund ta bëjnë më të lehtë punën e Policisë së Shtetit, duke mbajtur pasionet nën kontroll dhe duke zbatuar ligjin. Këtë shpreson dhe pret SHBA", theksoi Arvizu. Ambasadori vlerësoi gjithashtu dhe gatishmërinë e Drejtorit të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin dhe angazhimin për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. "Ka pasur disa incidente, fatkeqësisht kanë ndodhur. Por, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe stafi i tij na kanë siguruar se janë të përkushtuar që të ofrojnë një periudhë parazgjedhore dhe në ditën zgjedhore të qetë dhe te paqtë. Drejtori Burgaj shprehu përkushtimin për neutralitetin e Policisë së Shtetit”, theksoi Arvizu. Nga ana e tij, Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. "Në këto momente që flasim gjithçka është normale, pavarësisht disa incidenteve te lehta, me pasoja dhe dëme të lehta në tre raste. Po monitorojmë në gjithë territorin e vendit dhe Policia e Shtetit do të zbatojë ligjin, duke respektuar liritë e qytetarëve për të votuar të lirë", theksoi Burgaj, ndërsa shtoi se janë duke u marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë në këto prag-zgjedhjesh