E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Edi Rama ofron bllokimin dhe antipunësimin - i paaftë për të drejtuar Shqipërinë

08-06-2013 / Gazeta 55

Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD, Arben Imami takon banorët e lagjes “Haxhias”, në Elbasan: “Autostrada Tiranë-Elbasan inaugurohet në 17 Qershor”

Në një takim me banorët e lagjes “Haxhias” të qytetit të Elbasanit, kreu i deputetëve të PD në qarkun e Elbasanit, Arben Imami, i shoqëruar nga kandidati për deputet, Luçiano Boçi përfaqësues i kësaj zone elektorale, ka akuzuar Edi Ramën, si një nga bllokuesit e vendit drejt BE, si dhe, qëllimi i vetëm i tij, tha Imami, është mbyllja e vendeve të punës dhe varfërimi i shqiptarëve. “Kjo votë është shumë e rëndësishme, vota në 23 qershor, është vota për kryeministrin e vendit. Jemi midis dy zgjedhjeve, zgjedhja për Edi Ramën që ofron bllokimin, alternativën e antipunësimit, mosrespektimit të ligjit dhe institucioneve, apo zgjedhja për Sali Berishën që ofron alternativën e punësimit, stabilitetit politik, rritjes dhe zhvillimit të këtij vendi? Përgjigja është: Vota jonë është për Sali Berishën”, tha ai. Duke u ndalur tek problemet e shumta që ka zgjidhur kjo qeveri, Imami është ndalur tek investimet në rrugë, qendra të shumta shëndetësore, me mbi 100 shkolla vetëm në qarkun e Elbasanit me kanalizime dhe ujësjellësa, të gjitha të realizuara nga qeveria. “Në këto katër vjet ne kemi treguar këtë model, ne e kemi ndryshuar këtë vend, në katër vjeçarin e ardhshëm plani për infrastrukturën e vendit është një plan i cili do të mbyllet plotësisht. Ky është modeli i punës sepse ju vetë e keni parë kryeministrin që ulet e bisedon me fermerët dhe nuk e ngatërron jonxhën me marijuanën si Edi Rama”- vijoi Imami. Sipas tij, kur Edi Rama ka qenë kryetar i Bashkisë, ka treguar një model i cili ishte modeli i korrupsionit ku të gjithë investimet e Shqipërisë shkonin në Bashkinë e Tiranës. “Bashkia e Tiranës në kohën e Edi Ramës është institucioni më i korruptuar në 100 vite histori të vendit”, u shpreh Imami duke vijuar se, Rama rrafshoi parqeve për fëmijë dhe betonizimin që iu bë në atë kohë, gjithë Tiranës. Si mundet një njeri që vjen nga kultura nga artet, dhjetë vjet kryetar i bashkisë më të madhe të vendit, nuk ngre dot një muzeum, nuk ngre dot një galeri, një orkestër, varros nën asfalt, rrënojat Romane të qytetit të Tiranës. Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një mungesë totale  respekti për një njeri të kulturës, për kulturën dhe identitetin e qytetit dhe të vendit të tij”, tha Imami. Ai është ndalur edhe një herë tek taksa e lartë propozuar nga Edi Rama, duke e cilësuar këtë taksë shkatërrim të bizneseve dhe shkatërrim të punës. Imami cilësoi se: “Ai nuk propozon gjë tjetër veç kredhjen e menjëherëshme të ekonomisë shqiptare në krizën europiane. Ajo që propozojmë ne, është ta lehtësojmë biznesin nga burokracia, nga taksat, në mënyrë që të hapim vende pune, që investimet nga jashtë të vijnë në këtë vend. Por duke qenë kundër taksës së sheshtë dhe të ulët, kundër licensimeve koncesioneve që janë bërë keto vite Edi Rama është kundër punësimit, kundër interesit jetik të cdo familjeje”, vijoi Imami, sepse Edi Rama pengoi integrimin e vendit drejt BE-së. Një njeri që kupton pak ose aspak nga ekonomia, që nuk kupton fare nga mbrojtja dhe siguria që kur ka filluar NATO-n, ta quajë Natë. Kjo është e pafalshme, për një njeri që do të bëhet kryeministër i vendit. Një njeri që bëhet kryeministër i vendit duhet ta dijë qartë që një vend duhet të ketë; siguri, të ardhme, zhvillim. NATO na jep ne garanci të madhe të sigurisë e mbrojtjes së vendit e kudo që ka hyrë NATO, nuk ka hyrë nata por dita, ka hyrë e ardhmja ka hyrë zhvillimi”, theksoi Imami.
Imami në lagjen 28 Nentori: Autostrada Elbasan – Tiranë inaugurohet në 17 Qershor/Ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kryesuesi i listës së kandidatëve të PD në Qarkun e Elbasanit i shoqëruar nga deputetët Luçiano Boçi dhe Aurel Bylykbashi, zhvilloi dje një takim me banorët e fshatit Broshkë të komunës Papër, si edhe në lagjen “ 28 Nëntori”, të qytetit të Elbasanit. Në fjalën e tij, z. Imami u ndal tek zhvillimi që ka bërë Shqipëria kryesisht në fushën e ekonomisë dhe bujqësisë gjatë këtyre viteve të fundit, rritjes së punësimit, duke e vënë theksin tek shfrytëzimi i tokës dhe ujit edhe në katërvjeçarin e ardhshëm. “Ne u përpoqëm këto vite që dy pasuritë tona themelore, tokën dhe ujin t’i fusim në punë, të mbrojmë prodhimet tuaja, edhe sot edhe në vitet në vijim do të vazhdojmë po kështu, pasi kjo është arsyeja që. Ka një propozim nga Z.Rama që thotë se do të heqim TVSH-në për miellin, grurin, vezën, qumështin, me pretendimin që ulen çmimet për ata që i blejnë dhe i konsumojnë, këtu është fjala kryesisht për qytetin, jo për zonat rurale që i prodhon dhe i konsumon për veten e vet. Por në momentin që në Shqipëri do të heqin TVSH-në për grurin, e vërtetë që do të bjerë çmimi, por gruri juaj, misri juaj nuk konkurron dot më, kështu që Ukraina, Kanadaja, Franca kanë hapësira të pamata dhe prodhojnë me një çmim shumë të ulët, janë konkurrues, do ta shkatërronin tregun vendas. Problemi është se shkatërrohet ekonomia e familjeve, e fermerëve që meren me këto prodhime” - tha Imami, duke shtuar këtu edhe subvencionet që ka dhënë qeveria shqiptare që nga viti 2005 e në vijim për fermerët. Ndërsa shtoi se “në katër vjeçarin e ardhshëm do ti trefishojmë subvencionet, të cilat do të shkojmë 160 milion dollarë. Kjo është rruga për të forcuar ekonominë dhe për të zhvilluar vendin. Kemi hequr akcizën për karburantin, për mekanikën bujqësore, si edhe kemi rritur rrogat e mësuesit që për këtë katërvjeçar do të shkojnë në 700 dollarë”, tha Imami duke e cilësuar fitore të madhe mos futjen e vendit në krizë, duke e vënë theksin edhe tek investimi më i madh publik ai i rrugës me tunel Elbasan - Tiranë e cila do të inaugurohet në datën 17. Për z.Imami, taksa progresive e propozuar nga Rama, do të thotë shkurtim të vendeve të punës. “Nuk ke buxhet shteti dhe brenda ditës mund të futesh në krizë, ndërsa ne u treguam të rezistueshëm, pasi ne nuk u prekëm nga kriza, dhe ne i kemi të siguruara investimet në vitet e ardhshme”, tha Imami. Duke komentuar akuzat e kreut të PS ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, z.Imami tha se Rama tregon mediokritetin e tij si dhe mungesë respekti për jetën e ushtarit shqiptar. “Rama i trembur nga Elbasani ka nisur të sulmojë personale jo ndaj meje, por ndaj Forcave të Armatosura, ai nuk kupton nga ajo punë, një njeri mediokër, një njeri që nuk ka respekt për jetën e ushtarit shqiptar, një njeri që betonizoi Tiranën dhe mendon se mund të administrojë Shqipërinë, ai është i paaftë për të bërë këtë punë, nuk ka kapacitet, nuk mendon për njeriun, ka mungesë të plotë respektin për personin. Ndërkaq z.Luçiano Boçi në fjalën e tij e vuri theksin sërisht tek investimet e qeverisë duke shtuar se “bujqësia ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisjes, sepse është lidere e prodhimit të vendit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›