Shkodër, zbulohen në Shkrel 4 parcela me kanabis sativa
SHKODER/TEPELENE - Asgjësohen 1598 rrënjë bimë narkotike në Shkodër dhe Gjirokastër. Operacionet e strukturave të antidrogës të të dy qarqeve zhvilluan operacione për zbulimin e bimës dhe kultivuesve të saj, pas sinjaleve të siguruara në rrugë operative. Konkretisht, në komunën e Shkrelit të rrethit Malësi e Madhe u asgjësuan mesditën e së hënës 1500 rrënjë kanabis sativa, ndërsa në Bënçë të Tepelenës blutë zbuluan buzë lumit 98 rrënjë të bimës narkotike. Sipas policisë së Shkodrës, pas informacioneve në rrugë operative u organizua operacioni i koduar “Logu i Shtogut”. Bima u zbulua në komunën e Shkrelit e mbjellë në katër parcela, në toka të shpyllëzuara dhe pa pronarë. Pas zbulimit bima u asgjësua, ndërsa nisën hetimet për identifikimin e kultivuesve. “Bimët ishin të mbjella në katër parcela, me distancë të vogël me njëra–tjetrën, në një zonë që dikur ka qenë pronë e ndërmarrjes së pyjeve dhe që aktualisht është e shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm”, bëri të ditur policia. Bima kishte një lartësi prej 50-130 cm. Në orët e pasdites të së hënës, policia e Gjirokastrës organizoi një operacion në fshatin Bënçë, rreth 7 km nga qyteti i Tepelenës. Blutë kishin siguruar informacion për vendndodhjen e një sasie hashashi të mbjellë. Gjatë kontrollit të ushtruar në shtratin e lumit Bënçë, policia arriti të identifikonte një parcelë të hapur rishtas të kultivuar me bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas burimeve policore, në parcelë ishin mbjellë 98 rrënjë kanabis sativa, të cilat kishin një gjatësi nga 70-90 cm. Policia mori një pjesë të këtyre bimëve në cilësinë e provës materiale dhe pjesa tjetër është asgjësuar në vend me anë të djegies. Blutë shoqëruan tre shtetas nga Tepelena, të cilët u dyshuan të jenë kultivuesit, por për mungesë provash më pas ata u lanë të lirë. r.d/ p.n