E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Votat po vidhen. Berisha, përgjegjësi kryesor nëse nuk njihen zgjedhjet

Numri dy i PS-së: “Jemi të vendosur të mbrojmë votat tek institucionet kushtetuese dhe kudo tjetër”. Ruçi: “Berisha po komandon politikisht KQZ-në për të na grabitur mandatet e fituara”

Shaban Sulçe

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se procesi zgjedhor i 28 qershorit jo vetëm që po zvarritet, por po kthehet në një proces të pamëshirshëm të grabitjeve të votave dhe mandateve që populli ka dhënë për Partinë Socialiste. Ruçi akuzoi kryeministrin Berisha se ka vënë në jetë një skenar për vjedhjen e votave të shqiptarëve. Deputeti socialist theksoi se do të jetë përgjegjësi direkte e kryeministrit Berisha mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në emër të Partisë Socialiste ne duam t’i bëjmë apelin e fundit Sali Berishës të heqë dorë përfundimisht nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit. Në të kundërt do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimimit të zgjedhjeve, mosnjohjes së rezultatit të tyre dhe delegjitimimit të të gjitha institucioneve të dala prej tyre”, - u shpreh Ruçi.

Procesi
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se teksa prej tetë ditësh shqiptarët kanë votuar lirisht për të zgjedhur një pushtet demokratik dhe një qeveri të popullit, ata po zhgënjen prej zvarritjes së procesit zgjedhor dhe degjenerimit të tij në një skemë të tërë vjedhjesh të votave të tyre. Ruçi akuzoi kryeministrin Berisha se po keqpërdor politikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në funksion të qëllimeve të tij për t’u mohuar shqiptarëve të drejtën legjitime të llogaritjes së votimeve të tyre. Për këtë arsye, sipas Ruçit, zgjedhjet po kthehen në vjedhje. “Prej 8 ditësh, Sali Berisha, njeriu që komandon politikisht shumicën e tij të vogël në KQZ, në shkelje të plotë të ligjit dhe në dhunim të të gjithave parimeve kushtetuese, po u mohon shqiptarëve të drejtën legjitime të llogaritjes së votimeve të tyre dhe transparencës për çdo votë të hedhur në kutitë e votimit. Prej 8 ditësh, për këtë shkak zgjedhjet po kthehen në vjedhje. Zgjedhjet nuk kanë rezultatin që ka krijuar vota e popullit, zgjedhjet po delegjitimohen, zgjedhjet po delegjitimojnë çdo institucion që do të dalë prej tyre. Ne emër të Partisë Socialiste ne duam të sigurojmë çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se kemi bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja”, - vijoi kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Berisha-Meta
Ruçi lëshoi akuza të ashpra në drejtim të koalicionit të ri qeveritar. Sipas deputetit socialist, vullneti i Sali Berishës dhe i Ilir Metës synon që të mos bëjë transparente votat e shqiptarëve. Sipas Ruçit, Berisha dhe Meta po shkelin ligjin dhe institucionet kushtetuese. Ai deklaroi se Partia Socialiste është e vendosur të mbrojmë çdo votë në institucionet kushtetuese, por përballë dhunës së Berishës mbi votën jemi gati të mbrojmë çdo votë dhe kudo tjetër. “Vullneti i Sali Berishës për të vjedhur zgjedhjet po del mbi ligjin dhe mbi çdo institucion kushtetues që administron zgjedhjet. Vullneti i Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mos bërë transparente çdo votë po del mbi vullnetin e ligjit dhe detyrimit të çdo institucioni kushtetues që administron zgjedhjet për të treguar në dritë të diellit çdo votë. Krimi kushtetues i KQZ-së që refuzon prej 8 ditësh të numërojë dhe të pasqyrojë rezultatin fitues të votimeve për Partinë Socialiste në Fier është prova më e qartë e gjithë kësaj, ashtu siç konfirmon botërisht se martesa Meta-Berisha synon me çdo çmim të vjedhë mandatin e 9-të të Partisë Socialiste në Fier. Interesi jetik i kësaj martese është të ndalojë transparencën mbi votat e shqiptarëve në Shkodër, Tiranë, Fier dhe Berat. Ky standard i ri kriminal i cenimit të votës së shqiptarëve po i bën zgjedhjet e 28 qershorit të papranueshme dhe rezultatin e tyre të pamundur për t’u njohur si legjitim. Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë në institucionet kushtetuese, por përballë dhunës së Berishës mbi votën jemi gati të mbrojmë çdo votë dhe kudo tjetër”, - u shpreh kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Pretendimet e Partisë Socialiste

Partia Socialiste pretendon se është duke u grabitur mandati i 9-të në qarkun e Fierit, të cilin ajo e deklaron të fituar prej saj.

Partia Socialiste pretendon se ka fituar mandatin e 5-të në qarkun e Beratit. Aktualisht në këtë qark mandatet janë ndarë: 4 mandate PS, 3 PD dhe 1 LSI.

Partia Socialiste pretendon se i është mohuar mandati i 5-të në qarkun e Shkodrës për shkak të manipulimeve. Aktualisht në këtë qark PD ka fituar 7 mandate dhe PS 4.

Partia Socialiste pretendon në ndryshimin e rezultatit në qarkun e Tiranës, pasi sipas saj ende nuk janë hapur disa kuti votimi në rrethin e Rrogozhinës.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›