E Diel, 1 Nëntor 2026

Mars, eksportet arrijnë 120 milionë euro

Shkëmbimet tregtare gjatë muajit mars kanë pësuar ulje, në krahasim me një muaj më parë. Sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga INSTAT, deficiti tregtar gjatë këtij muaji llogaritet në 26 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47.2 %, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 10.2 %, krahasuar me mars 2010. Në mars u eksportuan 16,9 miliardë lekë mallra, me ulje 15.4 për qind, në krahasim me shkurt 2011 dhe rritje me 16.5 për qind, në krahasim me mars 2010. U importuan 42,9 miliardë lekë mallra, me rritje 13.9 për qind, në krahasim me shkurt 2011 dhe rritje 12.6 për qind, në krahasim me mars 2010. Tregtia me vendet e BE është 66.5 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 48.3 për qind dhe importi 29.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 4.7 për qind dhe importi 9.9 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Gjermani, Greqi, Itali, Kosovë, Spanjë, etj, dhe për importin, Austri, Gjermani, Itali, Kinë, Turqi, etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: Eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 42.9 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 26.8 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 17.5 për qind, etj. Eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 44.3 për qind, etj. importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 37.9 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 22.9 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 15.4 për qind, etj. importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 2.1 për qind, etj. Në mars importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 4,6 miliardë lekë, duke zënë 10.7 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me shkurt 2011, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 2.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 73.7 për qind, e zënë nënproduktet e naftës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›