E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grossruck Zgjedhjet nje moment i rendesishem per demokracine ne Shqiperi

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim Wolfgang Grossruck, Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Grossruck për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në Evropë dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë.

Grossruck, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore e uroi kryeministrin Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, e kandidatit të tij Lulëzim Basha, në bashkinë e Tiranës, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.

Më tej, Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare, gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.

Kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on line përmes sistemit One Stop Shop, e- taksa, e-dogana, prokurimet elektronike etj.

Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të dy vendeve në shumë fusha, si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zënë vendin e tretë përsa u përket investimeve të huaja ne Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri, turizëm etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›