E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja dhe dy vajzat një muaj në burgun e Lipjanit

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Supreme, me kërkesë të prokurorit, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh bashkëshortes dhe dy vajzave të Hamdi Sopës, i vrarë ditë më parë, në Prishtinë.

Avokati mbrojtës i bashkëshortes së të ndjerit Sopa, Florin Vërtopi ka thënë se një vendim i tillë është kundërshtuar dhe se ankesa do të dorëzohet sot në apel.

“E kemi kundërshtuar vendimin e Gjyqtarit dhe se sot do të dorëzohet ankesa në apel, kemi kërkuar nga prokuroria me i dorëzu shkresat e lëndës për arsye se prokurori nuk i ka prezantuar ato prova në mënyrë të artikulueshme siç i kërkon kodi i procedurës penale”, ka thënë Vërtopi për Indeksonline.

Vendimin e Gjykatës Supreme e kanë kundërshtuar edhe tri të akuzuarat, të cilave u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“ Kërkesën për paraburgim e kanë kundërshtuar edhe të mbrojturat tona sepse nuk janë pajtuar për pretendimet e prokurorit”, ka shtuar Vërtopi.

Sipas avokatit mbrojtës pas analizës së provave të cilat duhet t’ia dorëzojë prokurori do të shqyrtohen të njëjtat dhe do të parashtrohen propozimet e mbrojtjes.

"Nëse prokuroria nuk na jep shkresat e dosjes, mbrojtja do të kërkojë që ketë rast ta merr Eulex-i, për arsye të shkeljes ligjore", ka theksuar Vërtopi.

Sipas avokatit mbrojtës, që të triat pritet ta vuajnë paraburgimin në Burgun e Lipjanit./A.Fonda/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›