E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët, shtyhet seanca e 80-të ndaj “Gaxhait”

 

TIRANE - Gjykata shtyu përsëri dje seancën gjyqësore të radhës ndaj Gazmend Brakës "Gaxhai" pas më shumë se dy vjetësh zvarritje të njëpasnjëshme të procesit. Shkak për zvarritjet është bërë mungesa e avokatëve. Për të 79-ën herë radhazi seanca për Gazmir Brakën, Armando Sulejmanin, Sokol Sinematin, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu, të cilët akuzohen për organizim të strukturave kriminale dhe vrasje, është shtyrë përsëri për mungesë të mbrojtësve ligjorë që përfaqësojnë të pandehurit. Kafazi i hekurt në sallën e gjyqit ishte i boshatisur edhe ditën e djeshme, pasi të akuzuarit kanë zgjedhur të përfaqësohen nga avokatët e tyre mbrojtës. Prokurori i çështjes ka kërkuar që të shtyhet seanca pasi nuk ishte i pranishëm avokati i Armando Sulejmanit. Trupi gjykues pasi ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit, ka vendosur që seanca të shtyhet për mungesë të avokatëve çka bënte të pamundur vazhdimin e procesit. Seanca është shtyrë deri më datën 5 janar të vitit të ardhshëm, kur pritet që trupi gjykues prokurori dhe avokatët të mblidhen përsëri. Togat e zeza kanë vendosur të zëvendësohet avokati i të pandehurit Armando Sulejmanit, duke i caktuar këtij të pandehuri një avokat kryesisht nga gjykata. Zëvendësimi i avokatit të Armando Sulejmanit ka ardhur pasi ai ka munguar vazhdimisht edhe në seancat e tjera paraardhëse. Gjykata tha dje se për këtë do të njoftohet edhe Dhoma e Avokatisë, me qëllim që të marrë masat e parashikuara nga ligji, pasi mbrojtësit ligjorë po bëhen shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›