E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja e Remzi Hoxhës kërkon varrin e burrit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Një varr ku të qajnë njeriun e tyre dhe zbardhjen e së vërtetës rreth zhdukjes enigmatike, kanë kërkuar familjarët e biznesmenit shqiptaro-maqedonas.
Të thirrur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në cilësinë e dëshmitarit, bashkëshortja dhe i biri i Remzi Hoxhës kanë deklaruar se nuk duan të hakmerren, por vetëm të dinë ku ka varrin njeriu më i dashur i tyre. Ndërkohë që, në sallën e gjyqit nuk janë paraqitur asnjë prej të dyshuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi kanë preferuar të mos përballen me dëshminë e familjarëve të biznesmenit, të cilët kanë plot 13 vjet, që kërkojnë të paktën një varr për bashkëshortin dhe babain e tyre.
Dëshmia
“E dimë që shteti e ka rrëmbyer, por deri më sot askush nuk na ka dhënë shpjegime rreth mënyrës, kush e ka bërë, për çfarë arsyesh dhe në çfarë mënyre” ka deklaluar gjatë dëshmisë së saj, Sejdie Hoxha, gruaja e Remzi Hoxhës. Ndërsa, djali i saj, Ardiani, deklaroi përpara gjykatës se familja Hoxha pas zhdukjes së Remziut ishte përpjekur dhe ka mbledhur shumë informacione informale për gjetjen e tij. Nga dëshmitë e familjarëve mësohet se Remzi Hoxha dhe krejt familja kanë qenë vazhdimisht nën kërcënimet serbe në kohën, që jetonin në Prishtine dhe Shkup. Me cilësinë e dëshmitarit në seancë ata kanë dhënë versionin e tyre të historisë, duke shprehur hapur pakënaqësinë. “Ajo, së bashku me të birin kanë treguar se megjithë kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe përpjekjet e gjithëfarshme për të mbërritur në të vërtetën nuk janë ende të informuar. Sipas saj, SHIK-u i Gazidedes nuk i ka pritur asnjëherë, madje as Berisha. “Ne nuk duam të hakmerremi, duam thjesht të dimë ku ta qajmë. Duam një varr për të”- kanë thënë familjarët në seancën e djeshme. Vendimi për t i pranuar ata në cilësinë e dëshmitarit u mor në seancën e shkuar, në ngarkim të Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros, kur ishte radha e mbrojtjes për të bërë deklaratat e tyre. Në atë seancë, avokati mbrojtës i Sefgjinit tha ato që kishte deklaruar edhe më parë, duke pretenduar se dosja që po hetohet u rihap për shkak të lojërave politike dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë në ngarkim të klientit të tij. Vetë Koldashi bëri një deklaratë ku ka thënë se është i pafajshëm, nuk ka torturuar njeri dhe ka zbatuar vetëm urdhrin. Sefgjini, Koldashi, dhe Meçe akuzohen për përfshirjen në zhdukjen e biznesmentit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.
Rrëmbimi
Në dosjen e Prokurorisë, mësohet se Ziso Kristopuli ka treguar se është rrëmbyer më 17 tetor 1995, ndërsa ai ndodhej në kryqëzimin e Ksamilit. “Ndaloi një makinë para këmbëve të mia dhe dy persona m u paraqitën si përfaqësues të Kontrollit të Shtetit, dega Gjirokastër. Më thanë se duhet të shkoja për sqarime në Gjirokastër, lidhur me pularinë e Ksamilit. Gjeta një shkak, thashë se kisha nënën sëmurë dhe nuk më morën. Të nesërmen m u paraqit ish-shefi i Krimeve në Sarandë. “Do vish me mua në Komisariatin e policisë në Sarandë”,- ma priti prerë. Ai më shpuri në kampin e punëtorëve dhe aty më dorëzoi në një tjetër makinë. Me personat e një dite më parë nisëm udhëtimin drejt Gjirokastrës, por aty nuk ndaluam. Më 19.30 kishim mbërritur në Tiranë. Mua më zuri frika, pasi vura re se në çdo qendër banimi, ku hynim, ata ndërronin targën e makinës. Pasi arritëm në Lezhë, më futën në një godinë. Nga dritarja pashë një shatërvan dhe kuptova se një të tillë të ngjashëm e kisha parë dikur në një ndërtesë apo vilë të ish-udhëheqjes komuniste në Lezhë”, ka dëshmuar Ziso Kristopuli. Më pas mësohet se Ziso Kristopuli ka deklaruar se rrëmbyesit e tij e pyesnin për lidhjet e tij me persona të ndryshëm, ndërsa e akuzonin edhe për trafik armësh.
Ky lajm është publikuar: 26/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›