Gruaja e Zanit lë Vlorën, merr shtëpi në Burrel
BURREL - Bashkëshortja e Zani çaushit ka lënë vendlindjen e të shoqit ditët e fundit dhe është vendosur me banim në qytetin e Burrelit. Vajza nga një fshat i komunës Lis në Mat, pas celebrimit muaj më parë me Zanin jetonte në shtëpinë e vjehrrit të saj, madje në momentet e fundit të jetës i është gjendur pranë. Nuk janë fort të qarta shkaqet që bashkëshortja e çaushit ka lënë Vlorën dhe ka marrë shtëpi me qera në Burrel, por thuhet se ajo nuk mund të qëndronte më tej në këtë qytet pas vdekjes së babait të Zanit dhe largimit të motrës së këtij të fundit në drejtim të Italisë. Burime pranë burgut të Burrelit thanë për “Panorama” se vajza matjane ka marrë një apartament në lagjen “Pjetër Budi”, në një pallat pranë burgut. Ky vendim lidhet me dëshirën e saj për të qenë sa më afër bashkëshortit në rastet kur autoritetet do ta lejojnë të takohen me Myrteza çaushin. Ajo është parë edhe ditët e fundit në hyrje të burgut të sigurisë së lartë ku ka paraqitur kërkesën për t’u takuar me bashkëshortin madje tani i ka të gjitha mundësitë jo vetëm për të shfrytëzuar të gjitha takimet e lejuara me ligj, por edhe për t’i dërguar atij më shumë ushqime e rroba. Gardianë të burgut thanë se Zani dhe bashkëshortja e tij janë mjaft korrektë në zbatimin e rregullores së brendshme të këtij institucioni dhe deri më tani nuk kanë krijuar asnjë problem për punonjësit e sigurisë. Zani është martuar zyrtarisht afro një vit më parë me vajzën 26-vjeçare nga Mati, e cila asnjëherë nuk ka pranuar të prononcohet për mediat. Pas njohjes me të burgosurin e përjetshëm mësohet se ajo nuk e ka marrë parasysh këtë fakt, duke u lidhur zyrtarisht në martesë me të. Ceremonia martesore është bërë në ambientet e burgut, ku përfaqësues lokalë dhe të burgut të Burrelit ishin dëshmitarë të lidhjes së Myrteza çaushit me të renë. çaushi është arrestuar dhe dënuar, pas akuzave për vrasje të ngritura ndaj tij, për ngjarje të ndodhura gjatë vitit 1997. Ai u cilësua dhe si “kreu i bandës së çoles” në Vlorë, ndonëse vetë Zani nuk e pohoi asnjëherë të kishte kryer veprat për të cilat u dënua. q.b