Gjykata: Burg pa afat, oficerit të ushtrisë, “korrier heroine”
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda e vlerësoi si të rregullt arrestimin e Feliks Rustos pak ditë më parë në Durrës, oficerit të marinës të akuzuar për “trafik të narkotikëve” dhe e la atë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Rusto, i akuzuar si korrieri i personave të arrestuar nga operacioni “Oktapodi”, në maj të këtij viti, u paraqit dje në gjykatë për verifikimin e ligjshmërisë së arrestit dhe masës së sigurisë e caktuar në mungesë për të. Burime pranë seancës bënë të ditur se gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e rregullt të arrestimit të Rustos dhe caktimin e “arrestit me burg” për të. Sipas burimeve, vetë Rusto nuk ka folur gjatë zhvillimit të seancës. Feliks Rusto u arrestua të mërkurën në qytetin e Durrësit, teksa po kthehej nga puna e tij si oficer në marinë. Hetimet disamujore të prokurorisë, të kryesuara nga prokurori Anton Martini, kishin identifikuar Ruston si “korrier droge” të një grupi të akuzuar për “trafik narkotikësh”; Enver, Oltion dhe Ermal Gjurës, të cilët po gjykohen te Krimet e Rënda. Sipas prokurorisë, oficeri i marinës ishte përdorur si korrier i drogës në disa episode të trafikut të lëndës narkotike heroinë. Ndërsa dyshohet se “porosia” e tij e fundit ka qenë një sasi prej 8 kilogramë heroinë. Sipas organit të akuzës, oficeri ishte përdorur në pozicionin e “korrierit”, për shkak të uniformës së tij. Mësohet se duke përdorur uniformën si kamuflazh për t’iu shmangur vëmendjes e kontrolleve policore, Rusto dyshohet se ka dërguar drogën në destinacion.