E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e divorcuar: Burri ngacmoi djalin, ekspertiza rrëzon padinë

TIRANE – Një grua 29-vjeçare denoncoi bashkëshortin në polici, duke e akuzuar se ka ngacmuar seksualisht dhe ka kryer veprime të turpshme me djalin e mitur, vetëm 5 vjeç. Ngjarja, sipas Alida L., ka ndodhur rreth dy javë më parë, në banesën e prindërve të saj në Kinostudio të Tiranës, kur bashkëshorti kishte shkuar të takonte të birin, meqenëse vetë jetonte në Gjirokastër. Ndërkohë, mbrëmë, avokati Aurel Celibashi, që mbron të denoncuarin nga ish-bashkëshortja, ka hedhur poshtë akuzat. Avokati tha se ekspertiza e mjekëve ligjore ka përfunduar, duke konfirmuar faktin se me fëmijën nuk ka pasur asnjë abuzim. Në denoncimin e saj në polici, gruaja ka sqaruar se prej disa muajsh jeton e ndarë nga i shoqi dhe se veprimet që ai ka kryer me fëmijën e tyre të vetëm, i ka mësuar nga i biri, i cili pretendohet se i ka treguar të gjitha veprimet që babai dyshohet se kishte kryer me të. Burime nga Policia thanë se Alida L. është paraqitur për të bërë denoncimin më 18 maj 2011 në Komisariatin Nr.4 në Tiranë, dy ditë pasi djali i kishte treguar se çfarë kishte ndodhur. Ajo e akuzon bashkëshortin, Jorgo L., 36 vjeç, për “veprime të turpshme me të mitur” dhe pretendon edhe për ngacmime seksuale. I akuzuari Jorgo L. u arrestua mëngjesin e dy ditëve më parë, por dje, pas daljes së ekspertizës nga Mjekësia Ligjore, ai është lënë i lirë. Aurel Celibashi, avokati i të dyshuarit, tha mbrëmë për gazetën “Panorama” se klienti i tij ishte i lirë, pasi prokuroria mori ekspertizën e bërë me fëmijën 5-vjeçar, ku është vërtetuar se pretendimet e gruas nuk qëndrojnë. Sipas avokatit në fjalë, klienti i tij është denoncuar në polici nga e shoqja, për shkak të konflikteve mes të dyve pas divorcit të ndodhur kohë më parë. Jorgo L., nga Gjirokastra, ka hedhur poshtë akuzat e gruas, duke pohuar se ka sqaruar versionin e tij në polici e më pas është lënë i lirë pas daljes së ekspertizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›