Gruaja e shkrimtarit: Brengat që mori me vete Mitrush Kuteli

Efterpi Skendi (Pasko) duke rrëfyer për Panorama
Kur flet për jetën e Mitrush Kutelit, bashkëshortja e tij i shmanget periudhës së burgut.Këmbëngulja për të depërtuar në pjesën më dramatike të jetës së shkrimtarit të shquar rezulton e kotë, ndërsa gruaja që ka ndarë vitet më të bukura të jetës me të përmend arsyet pse heziton ti kthehet kësaj historie. Dhimitri, sa ishte gjallë nuk foli kurrë për ditët e burgut, madje as kur rrinim vetëm, kujton ajo duke zbardhur një brengë të hershme të tij. Sidoqoftë, Efterpi Skendi (Pasko), nga mënyra si shprehet për të shoqin, nuk mund ta fshehë deri në fund lëndimin e përjetuar gjatë bashkëjetesës me të. Ca më tepër kur u kthehet dokumenteve që i ka besuar në formën e dorëshkrimeve të pabotuara, librave të censuruar dhe letrës së lamtumirës, shkruar para se të ndërronte jetë, destinuar vetëm për atë. Përtej kësaj pjese të trishtë, gruaja e poetit të shquar ruan mjaft kujtime të tjera, që nga njohja në vitin e parë të pasluftës, dasma në Korçën e porsaçliruar, gëzimi i lindjes së fëmijëve, e deri te miqësitë e sinqerta me Sterio Spasen, Eqrem Çabejn, Vedat Kokonën, Nonda Bulkën, Zisa Cikulin, Mustafa Gërbëlleshin, Skënder Luarasin, Petraq Kolovicën etj. Në rrëfimin për Panorama, bashkëshortja e Kutelit të madh zbulon një mori faktesh e ngjarjesh të panjohura nga jeta e shkrimtarit dhe poetit të shquar që ka lënë gjurmë si rrallëkush në historinë e letërsisë shqipe…
Zonja Efterpi, cila ka qenë ngjarja më e rëndësishme që keni përjetuar nga bashkëjetesa 20-vjeçare me Kutelin?
Kemi përjetuar gëzime e dhimbje të përbashkëta, por më e veçanta ka qenë periudha e burgut, ajo që i shkaktoi vdekjen e parakohshme. Për të Dhimitri nuk foli asnjëherë, duke na mbajtur larg kësaj historie deri në fund. Nuk donte ti kujtonte vuajtjet dhe kurajën me të cilën i përballoi ato. Bile mendonte se tu rikthehesh atyre vend e pa vend është e padobishme. Kjo ishte bindja e tij deri në ditën kur ndërroi jetë, pavarësisht brengave që mori me vete…
Para se të flasim për këtë pjesë të dhimbshme të jetës së tij, të kthehemi pak në retrospektivën e lidhjes tuaj. Kur jeni njohur me Kutelin?
Njohja me të ka qenë diçka e rastit. Për herë të parë jemi takuar në një vizitë te një miku ynë i përbashkët. Ka qenë pranvera e vitit 1945. Aty filloi edhe lidhja, pastaj fejesa. Gati pas një viti, më saktë më 28 prill të vitit 1946, bëmë martesën. Dhimitri nuk bëri dasmë. Ai mori pjesë në ceremoninë që bënë njerëzit e mi në Korçë. Në atë kohë familja e tij kishte përjetuar disa fatkeqësi. Italianët i kishin vrarë babain dhe e kishin djegur bashkë me shtëpinë në Pogradec. Pas dasmës jetuam në shtëpinë që Mitrushi kishte marrë me qira te Shallvaret…
Pra, ju u martuat kur Mitrushi vazhdonte të punonte në bankë…
Dhimitri kishte filluar punë në bankë në vitin 1943. Ishte diplomuar për këtë në Universitetin e Bukureshtit. Profesionin si bankier e kishte nisur në Rumani, fill pas përfundimit të studimeve. Pas kthimit në Tiranë, për rreth një vit punoi si drejtor i SASTEB dhe më pas në Bankën Kombëtare. Në vitin 1946 dha dorëheqjen
Me çfarë e arsyetonte largimin nga Banka, në një kohë që vendi në atë kohë kishte nevojë të madhe për ekspert si Mitrushi?
Mbaj mend që vendimi i tij ishte diçka e papritur. Kur e pyesja për këtë, rezervohej shumë, bile ndiente një lloj bezdie. Mënyra si reagonte, së paku me mua, të linte të kuptoje se motivet kishin qenë të forta. Sidoqoftë, ai u mjaftua me një shpjegim zyrtar që ua kishte dhënë autoriteteve të…
Cilët ishin shokët me të cilët shoqërohej gjatë kësaj periudhe?
Dhimitri kishte shumë shokë e miq. Kishte të njohur gjatë studimeve në Rumani, ish-kolegë me të cilët kishte punuar në bankë, bashkëmoshatarë nga Pogradeci etj. Të gjithë i respektonte. Ndër më të afërtit ishin Sterio Spase, Eqrem Çabej, Vedat Kokona, Ilia Mitrushi, Nonda Bulka, Zisa Cikuli, Mustafa Gërblleshi, Skënder Luarasi e tjerë.
Me se u angazhua Mitrushi pas largimit nga Banka?
Shkëputja njëherë e përgjithmonë nga banka pasoi me vështirësi të shumta. Para së gjithash i duhej një punë për të siguruar të ardhura për jetesë. Mori vesh se do të hapej Instituti i Folklorit dhe shpresoi për tu sistemuar aty. Bile, sipas një kërkese që i kishin bërë, përgatiti edhe një tekst të folklorit. Po ndodhi që hapja e Institutit po zgjaste dhe kjo i shtonte brengat. Duke qenë në pritje vazhdonte të shkruante e të përkthente. Bisedonte për to me Sterio Spasen, Nonda Bulkën e Vedat Kokonën. Ata e vlerësonin shumë punën e tij. Ishte koha kur në bibliotekat tona kishte mungesa nga fondi i librave të kohës. Fakti që Dhimitri zotëronte disa gjuhë të huaja dhe një pjesë të kryeveprave i kishte lexuar në gjuhë të huaj, vlerësohej nga miqtë e tij si një avantazh në përpjekjet për të kompletuar fondin e Bibliotekës Kombëtare. Është kjo periudha kur ai shqipëroi disa nga kryeveprat botërore dhe u bë i njohur midis krijuesve të kohës…
Ndodhi që në kohën kur kërkonte punë, e arrestuan…
Atë çast e kam në sy si tani. Data shënonte 16 maj 47, ishte ditë e enjte. Po rrinim në shtëpi te Shallvaria, kur u dëgjuan trokitje të forta në derë. E para dola unë. Këtu është Dhimitri?, më pyetën tre burra të armatosur dhe u futën brenda. Dhimitër Pasko, në emër të popullit, je i arrestuar!, i tha njëri prej tyre. E morën pa e prangosur. Sakaq një grup tjetër nisi të kontrollojë banesën në çdo skutë. Nuk dija çtë bëja…
Kur u takuat pastaj me Mitrushin?
Deri ditën e gjyqit me Dhimitrin nuk patëm asnjë takim. Në izolim ku ishte i çonim vetëm ushqime e veshmbathje, si gjithë të burgosurve të tjerë. Nuk bëhej ta takonim. Çdo përpjekje që bëja, ishte e kotë. Bile edhe ditën që doli në gjyq, nuk dinim gjë. Lajmin për dënimin e tij na e dhanë policët e shërbimit kur po i çonim ushqim. Ata na thanë se tani do të kishim mundësi edhe për ta takuar. Na caktuan bile edhe ditën dhe orën e takimit. Aty morëm vesh se ishte dënuar pesë vjet. Kështu që Dhimitrin e takuam disa ditë pas përfundimit të gjyqit. Kishte kaluar gati një vit pa e parë me sy. Me mua në atë takim ishte motra e tij, Sterio Spasija me të shoqen dhe Sotir Sinjari me të shoqen…
Në cilin kamp e çuan pas procesit gjyqësor?
Pasi u njoha me vendimin e gjyqit, unë shkova në Korçë. Qëndrova te njerëzit e mi disa ditë dhe u ktheva përsëri në Tiranë. Në zonën e Qafës së Thanës, makina në të cilën udhëtoja u shkëmbye me autokolonën që transferonte të dënuarit për në kampin e Vloçishtit. Dhimitri që ishte ulur në karrocerinë e njërit prej kamionëve më dalloi sipër karrocerisë së makinës ku kisha hipur, pasi na ishte prishur makina me të cilën u nisëm nga Korça dhe më thirri në emër. Sa e pashë, i thirra dhe unë. E përshëndeta dhe vazhdova rrugën për në Tiranë. Në kampin e Vloçishtit, ku e çuan, ishte i dënuar edhe vëllai im. Dhimitri aty qëndroi shtatë muaj. Prej andej e sollën në Tiranë. Lajmin për këtë na i solli im vëlla me një telegram nga kampi. Kjo na lehtësoi disi, pasi do ta kishim më afër dhe do ta takonim më shpesh. Megjithatë arsyet e vërteta të transferimit i morëm vesh më vonë….
Pra, pse e sollën në Tiranë?
Në Tiranë e sollën për ta bashkuar me një grup tjetër të dënuarish me të cilët do të punonte për përkthime të ndryshme. Bëhej fjalë për një punë të detyruar, që gjithsesi për ne vlerësohej me e volitshme nga ajo e Vloçishtit…
Aty i bëri të gjitha vitet e burgut?
Dhimitri ishte dënuar pesë vjet, por bëri vetëm dy, pasi