Kolegji Zgjedhor zbardh sot vendimin për bashkinë e Tiranës. Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto: PS të respektojë ligjin dhe votën e qytetarëve
Deputeti demokrat, Eduard Halimi: Kolegji Zgjedhor, bëri një punë profesionale
Kolegji Zgjedhor pritet të zbardhë sot vendimin e 3 qershorit për pushimin e çështjes, që kishte si objekt kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Vendimi i Kolegjit u dha të premten në 3 qershor duke lënë në fuqi rezultatin e dalë nga KQZ për Tiranën ku u shpall fitues me 81 vota kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha. Ky vendim pritet të zbardhet në referencë të nenit 158/6 në Kodin Zgjedhor, që sanksionon se Kolegji Zgjedhor është i detyruar ta zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga dhënia e tij, që nënkupton ditën e sotme. Kolegji zgjedhor rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kontestonte vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara nga votuesit por PS-ja pritet të ankojë sërish edhe mospërputhjen e votave gjatë vlerësimit të fletëvotimeve të kontestuara.
Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto: PS të respektojë ligjin dhe votën e qytetarëve
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, ka uruar që aksionet politike të Partisë Socialiste të jenë në përputhje me ligjin dhe në respekt të institucioneve kushtetuese të vendit. Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Edmond Haxhinasto dhe Milan Roçen, kanë rënë dakord për lëvizje vetëm me karta identiteti të qytetarëve mes dy vendeve. Duke iu referuar situatës në rajonin e Ballkanit, shefat e diplomacisë së Tiranës dhe Podgoricës, kanë hedhur poshtë tezën e ndarjes së territoreve të Republikës së Kosovës.
Deputeti demokrat, Eduard Halimi : Kolegji Zgjedhor, bëri një punë profesionale
Sekretari i komisionit të Ligjeve të Partisë Demokratike, Eduart Halimi, lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës, u shpreh në një intervistë televizive se Kolegji bëri një punë profesionale. Halimi theksoi se i gjithë procesi zgjedhor në tërësi ishte transparent dhe se zëri i qytetarëve u dëgjua.
...