Vendimi i Kolegjit, Berisha: Fitoi shteti ligjor- pres certifikimin e rezultatit

UPDATE- Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se vendimi i Kolegjit Zgjedhor i 3 ditëve më parë ishte shprehje e shtetit ligjor. Berisha e cilësoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor të Apelit që legjitimoi fitoren e Lulzim Bashës, si ngadhënjim të shtetit ligjor në vend, në shembullin e demokracisë amerikane.
Kështu u cilësua të premten edhe nga homologu i tij hungarez, vendit që mban presidencën e radhës së BE Orban, i cili paralelizoi garën për Tiranen me atë presidenciale amerikane Bush-Algor, ku vetëm transparenca e çdo vote, arriti të legjitimonte fituesin e garës së ngushtë.
Kryeministri Berisha, mazhoranca e të cilit po zhvillon një jetë parlamentare me bojkotin e opozitës në Kuvend, deklaroi se do të vendosë një partneritet të ngushtë me gjithë qeveritë vendore, si kusht për ndërtimin e Shqipërisë së zhvilluar dhe evropiane
Berisha riktheu në vëmendje dhe ligjin e faljes fiskale i cili në thelbin e tij nuk ndryshon nga amnistia që opozita e zotit Rama refuzoi ta votonte në Kuvend.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje bizneseve t’i përgjigjen kësaj mundësie më të njëjtën përgjegjshmëri edhe për një arsye themelore.
Ndërkaq, në mbledhjen javore të grupit parlamentar demokrat, Berisha uroi fitoren e të djathtës në Portugali dhe Maqedoni. Sipas Berisha fitorja e të djathtëve në Portugali dhe Maqedoni ka ngjallur entuziazëm edhe në Partinë Demokratike që qeveris vendin në Shqipëri. Pikërisht, kryeministri Berisha, shfrytëzoi minutat e para të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat për të shprehur urimet e tij.