E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja merimangë pagëzonte fëmijët e familjeve të kamura

Eva, 54-vjeçarja minoritare përdorte mënyra të ndryshme për t’u afruar me “viktimat” e mashtrimit të saj

Përveç vrasjes së biznesmenit, 54-vjeçarja minoritare që ka shokuar të gjithë Greqinë përdorte mënyra të ndryshme për t’u afruar me “viktimat” e mashtrimit të saj, duke mos ngurruar të pagëzonte edhe fëmijët e tyre. Pas vrasjes në Dikofto të Patrës ku betonoi 42-vjeçarin Tasos Tsagaropoulos, i cili sipas dëshmisë së saj, nuk i jepte pjesën e parave që i takonin, të gjithë personat që kanë rënë pre e mashtrimeve të saj po denoncojnë njëri pas tjetrit në televizionin grek, i cili i ka kushtuar një emision të veçantë ngjarjes makabër.

Në televizionin “Alter” teksa diskutohet për mashtrimet e Eva Zhangës, një person ka denoncuar një nga “mjeshtëritë” e saj. Folësi, një shqiptar, ka treguar se Eva dhe një person i shfaqur si bashkëshorti i saj, bashkëpunëtor në krim, kanë qenë pagëzuesit e njërit prej fëmijëve të tij. Ende folësit i kishte mbetur në mendje mënyra që ata përdorën për të kërkuar para nga familja e tij. Sipas denoncuesit, 54-vjeçarja sapo kishte shkuar në shtëpinë e tyre u kishte thënë se i kishin vjedhur kryqin e florinjtë që kishte blerë për fëmijën dhe se nuk dispononte as para, pasi nuk i kishin ardhur ende nga një transfertë nga Amerika, për të blerë një tjetër. Madje, gruaja nuk ka ngurruar të thotë se duhet të huante prej familjes të gjitha shpenzimet e kryera në rastin e pagëzimit, shumë kjo që shkonte në rreth 600 euro. Sipas emisionit “Fos sto tunel” 54-vjeçarja dispononte pasaporta dhe identitet fals dhe duke u nisur nga kjo policia beson se ka persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin e saj, në Greqi dhe Shqipëri.

Ky nuk ishte i vetmi rast, kur persona të ndryshëm kanë rënë pre e mashtrimeve të saj. Duket se Eva Zhangës nuk i ka mjaftuar vetëm Greqia për të ushtruar aktivitetin e saj. Ajo për të zhvatur para ka mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po në televizionin “Alter” kanë folur edhe të afërm të ish-burrit të Zhangës, i cili ka shitur gjithçka kishte dhe madje ka mbetur pa asnjë grosh në xhep dhe jetën e ka mbyllur në një shtëpi të paligjshme për të moshuar, që dyshohet se ishte hapur nga një shqiptare, në varfëri të plotë. Sipas drejtueses së emisionit televiziv, të afërmit e grekoamerikanit thanë se njohja e Evës me njeriun e tyre kishte ndodhur pas një lajmërimi në gazetë që i moshuari kishte bërë. Ai kishte punuar gjithë jetën për të vënë pasurinë që dispononte e cila sipas emisionit shkonte në 700 mijë dollarë dhe disa apartamente në Greqi. Pas njohjes me të moshuarin, 54-vjeçarja nisi të vërë në funksion pjesën e dytë të planit të saj, pra të mësonte gjithçka rreth pasurisë së të moshuarit, i cili do të bëhej edhe bashkëshorti i saj. “Merimanga” i mbushi mendjen të moshuarit të shiste gjithçka dhe të shkonin së bashku e të jetonin në Athinë. Ai, me vendimin që mori, duket se i dha mundësinë asaj ta mashtronte duke i marrë gjithçka. Duket se gruaja e kishte llogaritur mirë që mashtrimin ta realizonte në Greqi e jo në SHBA, pasi në këtë të fundit nuk kishte ku të vinte, ligjet e mbërthenin shumë shpejt pas hekurave 54-vjeçaren, që kishte rënë tashmë në njeri të pasur. Në skemën e mashtrimit, sipas policisë greke, ka qenë edhe 42-vjeçari, të cilit më pas gruaja i ka marrë jetën duke e fshehur kufomën e tij poshtë dushit në një banesë të marrë me qira.

Pasi i mori gjithçka të moshuarit që solli nga Amerika, ajo e dërgoi atë në një azil, të jashtëligjshëm, i ngritur nga një minoritare, e cila quhet Dhimitra dhe u merr pensionin të moshuarve që mban në azilin pronë të saj. Sipas dëshmisë së të afërmit të të moshuarit, te kjo shtëpi të moshuarish, njeriu i tyre vdiq në varfëri të plotë.

Aq shumë njerëzve u kishte marrë para me anë të mashtrimit sa kur u shfaqën ata, 54-vjeçarja u zhduk. Ka qenë policia ajo që pas denoncimit të një fqinji ku jetonte me qira dikur Eva Zhanga, ka mundur të zbulojë krimin e saj e më pas edhe disa bëma të tjera të gruas minoritare, që është quajtur edhe si “gruaja merimangë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›